Vizitë e frytshme e Kuvendit Shqiptar të Zvicrës në Kosovë

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës përmes një komukate për medie bën të ditur se javën e kaluar, një delegacion i këtij kuvendi, i kryesuar nga kryetari Jeton Kryeziu, me anëtarët e Kryesise Avni Binaku dhe Samir Zejneli, ka qenë për vizitë në Kosovë.

Me këtë rast ai ka pasur një varg takimesh me institucionet e Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile të vendit.

Takimet me Parlamentin e Kosovës, Ministrinë e Diasporës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe me drejtuesin e projektit “Diaspora për zhvillim”, kanë qenë disa nga aktivitetet.
“Në Kuvendin e Kosovës, delegacioni i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës është pritur nga këshilltarë të lartë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Eshref Vishi, këshilltar ligjor dhe juridik dhe Izet Ibrahimi, këshilltar për çështje ekonomiko-financiare. Gjatë këtij takimi, drejtuesit e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës kanë shpalosur aktivitetet, objektivat dhe vizionin e Kuvendit. Janë shkëmbyer po ashtu informacione të ndryshme dhe është folur konkretisht për çështjet legjislative në Parlamentin e Kosovës.

Kuvendi Shqiptar ka theksuar rëndësinë e participimit të diasporës në proceset politike dhe jetën shoqërore në Kosovë. Kuvendi shtroi kërkesën që komuniteti shqiptar në Zvicër të ftohet dhe të jetë pjesmarrës gjatë debatimit të amandamenteve dhe ligjeve në Parlamentin e Kosovës, të cilat drejtëpërdrejtë janë të lidhura me jetën e komunitetit shqipëtar në Zvicër, por edhe me diasporën në përgjithësi”, thuhet më tutje në komunikatë. Një qasje e tillë ndaj diasporës është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kanë theksuar përfaqësuesit e Kuvendit shqiptar. Përfaqësuesit e Parlamentit të Kosovës arsyetonin se deri më tani ka qenë e veshtirë, që ai ta bëjë punën e tij në drejtim te interesave kombëtare, për faktin se UNMIK-u e EULEX-i ka pasur një rol me ndikim të madh edhe në legjislacionin e Kosovës.

Në emër të Kryetarit të Parlamentit të Kosovës këshilltarët kanë përshëndetur formimin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës si dhe kanë shprehur gatishmëri të plotë bashkëpinimi me këtë subjekt.

Drejtuesit e KSHZ, kanë pasur gjithashtu një takim me ministrin e diasporës, Ibrahim Makolli, ku janë diskutuar disa çështje konkrete. Në këtë takim është folur rreth taksës ekologjike, e cila është futur në fuqi gjatë kësaj vere. Kuvendi është shprehur disa herë edhe përmes mediave që kjo taksë të mos aplikohet vetëm për t’i vjelur mërgimtarët. Ministri Makolli ka agumentuar, se taksa ekologjike është një ndër standartet e përcaktuara nga BE, të cilin çdo shtet anëtar duhet ta ketë të rregulluar me ligj. Kjo taksë është pagesë vjetore, kap shumën prej 10 eurosh dhe është e përcaktuar për çdo mjet motorik që hyn në Kosovë”, ka thënë ministri.

Karta e gjelbër ka qenë gjithashtu një temë e rëndësishme diskutimi gjatë këtij takimi. Ministri Makolli ka theksuar, se pas takimit të fundit në Zvicër me KSHZ ka pasur takim me ministren zvicerane Simonetta Sommaruga, me të cilën ka biseduar për mundësinë e një marrëveshjeje bilaterale mes Kosovës dhe shtetit zviceran. Për pranim të Kosovës në një marrëveshje bilaterale, pasiqe Kosova nuk është ënde anëtare e OKB-së, do të vendoset në tetor 2012.

Mobi Casa

Me Ministrin Makolli është diskutuar edhe çështja e regjistrimit të popullatës në diasporë. Ministri Makolli ka deklaruar se regjistrimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës do të bëhet në gjithë diasporën, ndërsa Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës për menaxhimin e këtij procesi në forma të ndryshme”, vazhdon komunikata.

Me ministrin Makolli është bieduar edhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, në Zvicër, por edhe në gjithë Diasporën. Kuvendi ka shprehur kërkesën që kosovarëve në Zvicër, që janë mbi 200 000, tu mundësohet ushtrimi i të drejtës për të participuar në zgjedhjet që mbahen në Kosovë. Kjo e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.

KSHZ ka tematizuar edhe mbajtjen e orëve plotësuese të gjuhës shqipe në Zvicër. Kuvendi ka ofruar ndihmë për organizimin e orëve plotësuese për nxënësit shqiptarë në Zvicër në bashkëpunim me institucionet zvicerane. Ministri Makolli ka treguar gatishmëri për t’i shtyrë këto procese përpara në bashkëpunim me Kuvendin.

KSHZ ka pasur edhe një takim me ministrin e shëndetësisë, Ferid Aganin. Në fokus të bisedimeve ka qenë çështja e shëndetit të pacientëve shqiptarë në Zvicër. Në këtë kontekst ministri Agani ka theksuar se do të ofrojë statistika të besueshme, ashtu që potencialet profesionale të koordinohen në mënyrë efikase. Gjithashtu Kuvendi ka shtruar idenë që pacientëve shqiptarë në Zvicër, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhëve të vendit, tu mundësohet marrja e formularëve në gjuhën shqipe gjatë trajtimit mjekësor në Zvicër. Kjo gjë do duhet të koordinohet me institucionet zvicerane.

Kuvendi ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për organizimin e asociacioneve profesionale në fushën e shëndetësisë, të cilat do të mund të kontribuonin në shëndetësinë e Kosovës.
Gjithashtu, bëhet e ditur në komunikatë, gjatë takimit, është potencuar gatishmëria e Kuvendit për ndërmjetësim mes institucioneve shëndetësore zvicerane dhe kosovare. Konkretisht bëhet fjalë për një bashkëpunim me Spitalin e Lozanës, i cili është shprehur i gatshëm për marrëdhënie bashkëpunimi me institucione shëndetësore në Kosovë.

Një takim tjetër Kuvendi ka pasur edhe me koordinatorin e projektit “Diaspora për zhvillim”, Elbasan Morina, i cili ka shprehur kënaqësinë e tij për një bashkëpunim intensiv më Kuvendin. Projekti i ri “Diaspora për zhvillim” është lansuar nga qeveria zvicerane, konkretisht nga DEZA. Gjatë këtij takimi janë shpalosur format konkrete të bashkëpunimit.

Përfaqësuesit e Kuvendit kanë deklaruar se do të ofrojnë bashkëpunim të plotë në këtë projekt shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe diasporën shqiptare, thuhet në fund të komunikatës së dërguar nga Kuvendi Shqiptarëve të Zvicrës.