Mobi Casa

Vitiasit po ikin… Shifra shokuese!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Florim Brahimi – Një fenomen rrëqethës po e përcjell Vitinë javët e fundit. Rreth 1.000 qytetarë të Vitisë vetëm javën e fundit kanë ikur (përkatësisht kanë kaluar kufirin) mes Serbisë dhe Hungarisë (e më pas kanë ikur tutje), me arsyen për një jetë më të “mirë” për të mbajtur familjet e tyre. Kah po shkon Kosova?, kah po shkon vendi ore? Qetarët tanë po i braktisin shtëpitë, rinia po lë vendin, po rrezikojnë jetët e tyre vetëm e vetëm për një ëndërr (për një jetë më të mirë). A nuk është ky alarm për politiken dhe shtetin e Kosovës? A nuk është ky shqetësim kombëtar? A nuk është kjo luftë sociale? A është kjo “perspektiva Evropiane” që llomotitet në gojët e qeveritarëve tanë?

Ky është populli për të cilin flasin dhe në emër të cilit flasin e thirren qeveritarët dhe politikanët. Kjo është politika për të “mirën” e qytetarëve tanë, të cilët atë të “mirë” nuk po e ditkan ku është e po e kërkojnë ta gjejnë diku tjetër. Ky është “patriotizmi” me të cilin ju mburreni çdo ditë. A nuk është patriotizëm që të punohet e t’i krijohet ekzistencë popullit që ju thirreni në emër të tyre, e që ju i doni shumë (në kohë të zgjedhjeve). Dikur e dinim kënd e kishim armik, ia kthyem pushkën, luftuam, na ndihmuan, u çliruam, sepse kishim të drejtë dhe ndaj një populli të drejtë bëheshin shumë padrejtësi. Por tani kënd e kemi armik, kush po na sulmon, kush po na detyron të ikim, kush po na përzë nga shtëpitë të cilat me shumë mund i ndërtuam e po i mbajmë? Cili është plani i “”zhvillimit” të Kosovës, apo mos keni futur elemente nga plani i famshëm i Vasa Cubrilovicit apo Ilia Garashaninit (Naçertania), plan i cili kishte për qëllim zbrazjen e Kosovës dhe viseve shqiptare nga territoret e banuara prej tyre, duke ua bërë jetën e vështirë, të rëndë dhe të padurueshme për të jetuar, ku nga kjo gjendje familjet shqiptare detyroheshin te iknin për një jetë më të mirë (në Turqi e gjetiu).

“Perspektiva Evropiane” e Kosovës, nuk është e një Kosove të cilën duhet ta braktisim, plani për “zhvillimin” e Kosovës nuk duhet të jetë plani i cili duhet rrënuar atë dhe popullin e saj ta lë rrugëve, në rrugë pa krye, në rrugë pa shpresë, me një të ardhme të brishtë e që nuk premton asgjë përpos frikës për bukën e gojës dhe shëndetin e rënduar të familjeve. Nuk ka faj populli që po ikën, nuk ka faj, kanë mbetur të vetëm, kanë mbetur të izoluar dhe Kosovën nuk po e shohin më si një “kopsht me lule” që po lulëzon, por një “Guantanamo” në mes Evropës. Një popull i tërë i burgosur, Evropa nuk ka pasur kurrë një burg më të madh në zemër të saj siç është Kosova dhe populli i saj i burgosur në brendi të saj.

UBT

Si mund të arsyetohemi e të themi se ne po i pranojmë e po kujdesemi për personat e riatdhesuar nga vendet e treta (Evropës), kur nuk jemi në gjendje t’i mbajmë as këta që i kemi. Rreth 5.000 qytetarë kthehen çdo vit me “Planin e riatdhesimit” në Kosovë. Por vetëm në muajin e fundit (vetëm nga Vitia) kanë ikur rreth 3.000 dhe atë vetëm për një derë të hapur në një shtet Evropian (Hungaria) e cila nuk po i intereson nëse qytetarët kosovarë kanë të drejtë të marrin azil apo jo, pos ta shfrytëzojnë fondin për emigrant të cilin fond qytetarët shqiptarë nuk po ua harxhojnë aspak, kjo sepse destinacioni i tyre nuk është Hungaria, por më larg (Franca, Gjermania, Zvicra etj.)

Sa do të shkojnë shifrat në vazhdim????…Vërtet Shokuese..!