Vitia ulë shpenzimet, rritë të hyrat vetanake
Viti – Ibrahim Rama tha se Qeveria Komunale e Vitisë ka qenë e përkushtuar të ul shpenzimet për derivate të naftës, mirëmbajtjen e veturave etj, por pa e penguar ritmin e punës. Kemi qenë të përkushtuar të ulim shpenzimet e panevojshme dhe kështu mjetet e kursyera janë bartur në investime kapitale tha Rama.
Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve që është mbajtur të enjtën janë prezantuar pasqyrat financiare janar – dhjetor 2014, propozim vendimi për dislokimin e tregut të gjelbër dhe ndërtimin e një parku në fshatin Pozheran të Vitisë.
Po ashtu është folur edhe për projektin e ndërtimit të trotuarit dhe ndriçimit publik në rrugën Lidhja e Prizrenit në Viti i cili parashihet të financohet me 70% të mjeteve nga projekti DEMOS ndërkaq pjesa tjetër do të financohet nga buxheti Komunal i Vitisë.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama duke prezantuar pasqyrat financiare për periudhën Janar-Dhjetor 2014 ka folur për të hyrat vetanake të komunës, shpenzimet e realizuara, dhe pagesën e borxheve nga qeveria e kaluar.
“Gjatë kësaj periudhe një vjeçare janë inkasuar gjithsej të hyra vetanake në vlerë prej 876.595,32€, ku shkalla e inkasimit, duke u bazuar në planifikimin vjetor është 95,96%. Ndërsa krahasuar me të hyrat e vitit 2013 kemi një rritje të të hyrave për 208.409,14€ apo 31,19%” u shpreh Rama.
Ndërsa duke folur për shpenzimet e bëra në të gjitha kategoritë ekonomike ai potencoi se janë shpenzuar 9.674.521,13€ apo 99.14%, por shtoi se nga kjo shumë 295.591,36€ janë paguar obligime të vitit 2013.
Rama gjithashtu tha se Qeveria Komunale e Vitisë ka qenë e përkushtuar të ul shpenzimet për derivate të naftës, mirëmbajtjen e veturave etj, por pa e penguar ritmin e punës. “Kemi qenë të përkushtuar të ulim shpenzimet e panevojshme dhe kështu mjetet e kursyera janë bartur në investime kapitale” tha Rama.
Ndërkaq, Fatbardha Emini, Drejtoresh për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit prezantoj propozim vendimin për dislokimin e tregut të gjelbër dhe ndërtimin e një parku në fshatin Pozheran të Vitisë duke theksuar se komuna e Vitisë ka mbajtur një diskutim publik me banorët e këtij lokaliteti dhe se ata u pajtuan për zhvendosjen e tregut në një lokacion tjetër me qëllim që të atë vend të ndërtohet parku i fshatit.
Gjatë këtij takimi është folur edhe për rregullimin procedurave me qëllim që të mundësohet realizimi i një projekti për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik në rrugën Lidhja e Prizrenit në Viti i cili parashihet të financohet me 70% të mjeteve nga projekti DEMOS ndërkaq pjesa tjetër do të financohet nga buxheti Komunal i Vitisë./rajonipress/


