Vitia përkujton dëshmorët

Gjilan – Me rastin e 5 majit ditës së dëshmorëve të Komunës së Vitisë, përfaqësues të kësaj komune të prirë nga kryetari Nexhmedin Arifi si dhe familje të dëshmorëve, OVL-UÇK-së, partive politike, nxënës të shkollave të mesme si dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti ku përkujtuan 29 dëshmorë të kësaj komune dhe vendosen kurore lulesh pranë varreve të tyre.
Gjithashtu gjatë ditës së sotme është mbajtur një Akademi përkujtimore për nder të dëshmorëve vitias ku u çmua lartë sakrifica e dëshmoreve për lirinë e këtij vendi.
Në fillim të akademisë përkujtimore 2 nxënësit e Gjimnazit Kuvendi i Lezhës së Vitisë lexuan biografinë e 29 dëshmorëve të Vitisë, ndërkaq në shenjë nderimi për veprën dhe sakrificën tyre është mbajtur edhe një minutë heshtje.
Kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi duke folur në këtë akademi përkujtimore tha se sot populli ynë në veçanti familjet e dëshmorëve kanë ndjenjat e dyfishta atë të krenarisë dhe dhimbjes.”Sot ne të gjithë ndjejmë dhimbje dhe krenari dhe kjo është e natyrshme, dhimbje dhe krenari sepse ata ishin bijtë tuaja, pjesë e juaja si dhe gjaku juaj, por ndjejmë edhe krenari sepse ata tani janë pjesë e përgjithshme e jona, ata tani janë dëshmorët tanë, nderi ynë dhe më në fund edhe krenaria dhe kujtesa jonë kombëtare” u shpreh Arifi.
Kryetari Arifi porositi që vepra dhe sakrifica e dëshmorëve të shërbej për mësimin se si duhet të dashur vendin, ai gjithashtu tha se fal tyre ne gëzojmë lirinë por se lumturia fitohet përmes punës dhe përkushtimit për vendin.
Ndërsa Milaim Abazi nga OVL-UÇK në Viti, tha se amaneti i dëshmorëve duhet të çohet në vend sepse sipas tij ky është obligim. Ndërsa Berat Luzha zv. Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale duke folur për 5 majin tha se kjo është një ditë e veçantë pasi që shënohet në të gjitha trojet të çliruara dhe pa çliruara. “Kjo datë është e posaçme, dëshmorët duhet të kenë vetëm një ditë, ata nuk duhen të ndahen në baza komunale, krahinore apo të një baze tjetër” u shpreh ai.
Luzha tha se dëshmorët janë lidhje e fortë të bashkimit kombëtar,sipas tij ata paraqesin shtyllën e kombit pa të cilën atdheu nuk do të kishte histori dhe identitet por as shtet. Në fund të kësaj akademi është paraqitur edhe një program artistik. /rajonipress/