Vitia i ndërton shtatore ish diplomatit amerikan Richard Holbrooke

Viti – Me propozimin e Sokol Halitit komuna e Vitisë pritet t`i ndërtojë shtatoren diplomatit amerikan Richard Holbrooke. Ky propozim i Halitit është aprovuar në mbledhjen e komitetit për politikë dhe financa të enjten.
Komuna e Vitisë për të nderuar figurën dhe kontributin e madh që ka dhënë ish diplomati amerikan Richard Holbrooke për Kosovën, pritet t`ia ndërtojë një shtatore në qendër të qytetit, raporton rajonipress.
Jakup Haxhiu shef i kabinetit të kryetarit Halitit ka konfirmuar për rajonipress se tashmë janë përfunduar të gjitha rrugët ligjore që përmendorja e ish diplomatit amerikan të punohet dhe të vendoset në qendër të Vitisë.
Haxhiu tha se ideja dhe propozimi janë të vet kryetarit Sokol Haliti derisa shtatorja pritet të ndërtohet nga donacionet dhe me participim të organeve komunale.
Ndryshe propozimi i Halitit ka marrë dritën e gjelbër edhe nga Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i cili në mbledhjen e së enjtes ka aprovuar dhe propozuar lokacionin për ndërtimin e shtatores së Holbrookut./rajonipress/