Vitia do të hartojë një buxhet që është në interes të qytetarëve
Viti – Organizuar nga Misioni i OSBE-së sot në Viti është mbajtur një punëtori rreth Procesit të përgatitjes së Buxhetit Komunal për vitin 2016 ku në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues dhe zyrtarë nga Komuna, por edhe nga Kuvendi Komunal i Vitisë. Gjatë këtij takimi përpos që është folur rreth procesit të hartimit të buxhetit komunal dhe diskutimeve publike është folur edhe për auditimet e brendshme dhe zbatimin e rekomandimeve të dhëna.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke folur rreth projektimit të buxhetit komunal tha se Qeveria Komunale e Vitisë është e përkushtuar që të hartoj një buxhet që është në interes të gjithë qytetarëve të kësaj komune duke potencuar se për çdo vjet po bëhen avancime në këtë fushë. “Duhet të kuptojmë se procesi i hartimit të buxhetit nuk mund të jetë i përkryer por megjithatë ne po punojmë që të avancohet ky proces e të jetë në interes të shumicës së qytetarëve tanë” u shpreh Aliu.
Ndërkaq Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama ka folur për diskutimet publike që ka mbajtur komuna e Vitisë gjatë vitit të shkuar por edhe për ato që do të mbahen gjatë këtij viti ka potencuar se pas diskutimeve publike që do të mbahen në lokalitet e kësaj komune por edhe me kategoritë të ndryshme të shoqërisë do të hartohet buxheti final i cili do të prezantohet para Kuvendit dhe trupave të saj.
Rama ndër tjerash përmendi se me qarkoren e parë ka shkurtim të buxhetit për shkak të disa vendimeve të ndryshme. “Buxheti më shumë do të jetë konsumues, sepse sipas limiteve të para kemi një shkurtim të buxhetit prej mbi 400 mijë euro, kjo ndodhë për shkak të një vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të paguhen provoja e punës së shërbyesve civil prej 0,5 % për çdo vit pune, por ngarkesë për buxhetin e komunës do të këtë edhe për shkak të përqindjes së pagesës për sigurimet shëndetësore” u shpreh Rama.
Ndërkaq Fevzi Mehmeti, Drejtor i Njësisë së Auditimit në Viti ka folur rreth procesit të auditimit duke kërkuar që të gjitha rekomandimet e dala nga raportet e auditimit duhet të zbatohen me qëllim të përmirësimit të punës. Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit kanë paraqitur sugjerimet e tyre në hartimin sa më të mirë të buxhetit komunal për vitet në vijim.
Ndërkaq sipas të pranishmeve u bë e ditur se Komuna e Vitisë është ndër komunat më të mira në nivel vendi në procesin e hartimit të buxhetit për shkak se vitin e kaluar ka mbajtur disa diskutime publike me qytetarët e saj por edhe me kategoritë të ndryshme të shoqërisë./rajonipress/


