Vitia dhe Kaçaniku pajtohen për të rregulluar rrugët e brezit kufitar

Gjilan – Kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi ka pritur të martën homologun e tij nga Kaçaniku Besim Ilazi, ku me këtë rast ata kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi i cili ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit dhe financimin e dy komunave fqinje në projektin e përbashkët për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës Shushtë-Samokovë deri në fshatin Glloboqicë të Komunës së Kaçanikut.
“Bashkëpunimi ndërkomunal është i bazuar në interesin e përbashkët lokal për dy komunat pasi që ky projekt lidhë komunat me kufirin e shtetit të Maqedonisë, andaj komunat në fjalë këtë projekt do ta trajtojnë si prioritet” thuhet në memorandumin i cili është nënshkruar të martën nga dy kryetarët e komunave, raporton rajonipress.
Nexhmedin Arifi tha se investimi në brezin kufitar dhe lidhja e fshatrave shqiptare të Kosovës me ato të Maqedonisë është prioritet i tij dhe i qeverisë komunale. “Ne do jemi përherë përkrahës të këtyre projekteve ku përfitues janë shqiptarët. Çdo investim në brezin kufitarë ua lehtëson edhe komunikimin, por edhe ndikon pozitivisht në mirëqenien e atyre familjeve që kanë vendosur të jetojnë dhe punojnë në vendlindjet e tyre” tha Arifi./rajonipress/