Viti i ri, politika vazhdon të dirigjojë drejtësinë
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vlerësojnë se shteti i Kosovës po hyn edhe në këtë vit të ri, 2019, si një vend që nuk ka drejtësi, nuk ka as liri dhe demokraci, as barazi dhe zhvillim, por do të vazhdojë të jetë një vend ku do ta dominojë paligjshmëria edhe në vitin 2019 gjithë jetën publike, institucionale e politike.
Kelmendi: Kërkohet një ndryshim rrënjësor, duke bërë spastrimin e tërë sistemit të drejtësisë. Me rroga nuk përmirësohet asnjë gjyqtar dhe prokuror!
“Do të duhej që tani e tutje, që nga ditët e para të këtij fillimviti, të përgatiten këto institucione që të punojnë seriozisht në këtë drejtim, për ligjin e VETTING-ut që njëkohësisht të përmbushet edhe kriteri i mbetur për liberalizimin e vizave, sepse z. Hahn nuk e ka thënë rastësisht as shkel e shko që kjo mund të ndodhë optimalisht në vitin 2020, pa e përjashtuar mundësinë që mund të shkojë edhe më vonë, nëse këto institucione i neglizhojnë obligimet e tyre dhe të mos i përmbushin standardet, të mos e reformojnë këtë sistem të drejtësisë. Reformim që mund të bëhet vetëm me një proces VETTINGu të mirëfilltë, të ngjashëm me atë që po zbatohet në Shqipëri”, thotë Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit vlerësojnë se shteti i Kosovës po hyn edhe në këtë vit të ri, 2019, si një vend që nuk ka drejtësi, nuk ka as liri dhe demokraci, as barazi dhe zhvillim, por do të vazhdojë të jetë një vend ku do ta dominojë paligjshmëria edhe në vitin 2019 gjithë jetën publike, institucionale e politike.
Kjo gjendje mund të shkojë kështu, theksojnë analistët pasi që në vitin që lamë pas patëm vetëm anarki ligjore, e ku organet e drejtësisë edhe gjatë vitit 2018 ishin të fjetura, prandaj edhe në këtë vit vijues mbizotëron frika se politika do të vazhdojë edhe më tutje të dirigjojë gjykatat dhe prokuroritë, policinë dhe shërbimin sekret të shtetit.
Edhe ky vit i ri, 2019, sipas njohësve të fushës së drejtësisë dhe analistët, rrezikon të mbetet si vit në të cilin do të vazhdojë që gjyqësori edhe më tutje të jetë në varësi totale të mafio-politikanëve, pasi që krimbi i politikës së mbrapshtë ka hyrë thellë në shtyllën e shtetit – në drejtësi! Duke e pasur shumë të qartë këtë situatë, njohësit e fushës së sundimit të ligjit mendojnë që është shumë emergjente që në vitin 2019 të bëhet patjetër VETTING-u, të pastrohen radhët e gjykatave dhe prokurorive, për t’ia hapur rrugën sundimit të vërtetë të ligjit, por se ky proces kurrsesi nuk do të mundë të fillojë të realizohet nëse këtë nuk e kërkon dhe nuk e shtyn përpara nën presion bashkësia ndërkombëtare. Për ta futur në agjendë Ligjin e VETTINGut, shpresa e vetme shihet tek insistimi i SHBA-ve se mund të detyrojnë institucionet dhe politikën ta bëjnë në ligj të vetting-ut, sipas modelit në Shqipëri.
Bllokada e qëllimshme e reformës
Prof. i së drejtës, Mazllum Baraliu, tha për “Kosova Sot” se Kosova ka humbur mjaft kohë në agjendën e reformimit substancial të sistemit të drejtësisë, prandaj do të ishte tepër e domosdoshme një reformë e tillë që të ndodhë gjatë këtij viti, e që do të ishte çelësi i vetëm efikas për luftimin e krimit dhe korrupsionit, kriter i papërmbushur edhe në pakon e kritereve për liberalizim të vizave. Sipas tij, me të drejtë BE-ja dhe komisioneri Hahn kanë paralajmëruar se ky proces nuk mund të realizohet para vitit 2020, e që ka rrezik të shkojë edhe më tutje nëse Kosova nuk e merr seriozisht forcimin e sundimit të ligjit.
“Sigurisht që ky vit do të duhej të ishte vit kthese, vit i orientimit dhe i reformimit në radhë të sistemit të drejtësisë, sepse ai sistem është i ndërlidhur me të gjitha gabimet dhe lëshimet tjera dhe nga ky sistem varet edhe plotësimi i kushteve që janë të parapara si standarde nga BE-ja lidhur me plotësimin e faktik të kriterit kryesor e krucial për liberalizimin e vizave, që është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, e që dihet botërisht se ky është akoma kusht i papërmbushur sa i takon liberalizimit të vizave”, vijoi më tej ai.”U pa që në vitin e kaluar nuk patëm liberalizim, por edhe në të ardhmen nuk do të kemi liberalizim të vizave pikërisht për mbetjen peng të këtij kushti, për shkak të mospërmbushjes së këtij standardi, të cilin po shihet ashiqare që nuk po e pranon elita jonë politike dhe establishmenti ynë institucional, e që në fakt aty edhe është ajo që ne e quajmë në fjalorin tonë të shpeshtë “Thembra e Akilit”.
Prandaj, ky vit në të cilin porsa kemi hyrë do të duhej të ishte vit i vazhdimit të thellimit të reformave jo vetëm nga MD-ja dhe institucionet tjera tonat të drejtësisë, sepse është dëshmuar deri më tani që këtë reformë të thellë nuk mund ta bëjnë këta, sepse nuk duan ta bëjnë, por do të duhej që udhëzimet teknike të vijnë nga ekspertët e jashtëm, të shteteve mike, të shteteve të Kuintit, sikurse që ndodhi modeli i propozuar dhe iu kërkuar që të zbatohet në Shqipëri, i cili pa insistimin e ndërkombëtarëve, në këtë rast atyre nga SHBA-të, nuk do të bëhej as nuk do të fillonte”, tha prof. Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.
Kelmendi: Krimi ka pushtuar drejtësinë
Edhe prof. Muhamet Kelmendi mendon se viti 2019 do të jetë gjithsesi vit i sfidave dhe i shumë vështirësive të mëdha dhe në çdo fushë, sepse vendi po ballafaqohet me probleme serioze. “Në veçanti është fusha e rendit dhe e sigurisë, vetë sistemi i së drejtës, që po kalon e që dihet se gjendja aty mbetet akoma e rëndë, ngase qeveria pa asnjë analizë ua rriti të ardhurat prokurorëve dhe gjyqtarëve, deri në 100%, por ata si të tillë, të korruptuar dhe të varur nën diktatin e politikës dhe të firmave private, thjesht vetëm vendime në interes të tyre po sjellin”, u shpreh ai.
“Dihet mirëfilli që mu në prokurori kemi çrregullime, kemi paaftësi dhe ndikim e vendime tipike antiligjore. Kjo fillon nga vetë kryeprokurori, nga prokurorët specialë etj. Mjerisht kështu është gjendja edhe në gjykata, prandaj nuk kemi asnjë vendim ku të dënuar nuk ka nga asnjë prej subjekteve ekonomike dhe politike të nivelit të lartë. Pra, kërkohet një ndryshim rrënjësor, duke bërë spastrimin e tërë sistemit të drejtësisë. Me rroga nuk përmirësohet asnjë gjyqtar dhe prokuror. Përkundrazi, ata vazhdojnë edhe më tutje me keqpërdorime deri edhe me krim”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Baraliu: Vetting-u i pashmangshëm
“Unë them që është ky viti i fundit dhe vit i domosdoshëm në të cilin kjo elitë politike dhe institucionale, ky koalicion që është në pushtet, do të duhej ta kuptonte dhe të vetëdijesohet se nuk mund të shkojë përpara, ndryshe vetëm se ta merr seriozisht dhe t’i rreket nxjerrjes së ligjeve, të cilat mundësojnë dhe realizimin e VETTING-ut të mirëfilltë dhe të cilat pastrojnë gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në tërësi nga të gjitha hipotekat, barrierat dhe pengesat që ka pasur deri më tani për të qenë efikas dhe efektiv, as i pandikueshëm politikisht, e që nuk ishte deri më tani si i tillë dhe strukturalist ishte jo sa duhet i fortë, por gjithsesi pa efekte të kërkuara e të qëndrueshme në punë, sado që ata në fund të vitit dolën e theksuan kinse nëpër disa gjykata kanë kryer punë më shumë sesa që kanë pasur lëndë të planifikuara.
Sidoqoftë, do të duhej që tani e tutje, që nga ditët e para të këtij fillim viti, të përgatiten këto institucione që të punojnë seriozisht në këtë drejtim, për ligjin e VETTING-ut që njëkohësisht të përmbushet edhe kriteri i mbetur për liberalizimin e vizave, sepse z. Hahn nuk e ka thënë rastësisht as shkel e shko që kjo mund të ndodhë optimalisht në vitin 2020, pa e përjashtuar mundësinë që mund të shkojë edhe më vonë, nëse këto institucione i neglizhojnë obligimet e tyre dhe të mos i përmbushin standardet, të mos e reformojnë këtë sistem të drejtësisë. Reformim që mund të bëhet vetëm me një proces VETTING-u të mirëfilltë, të ngjashëm me atë që po zbatohet në Shqipëri”, tha Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.
Burjani: KPK-ja e KGJK-ja të papërgjegjshme
Njohësi tjetër i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, nuk beson që edhe në këtë vit politika kosovare do të merret me reformimin e sistemit të drejtësisë, me temën e VETTING-ut, pasi temë parësore ka nxjerr para vetes bisedimet me Serbinë. “Nuk do të ketë ndryshime fare në rend dhe ligj, gjendja do të mbetet kështu si është, për shkak të dialogut që po fillon, tërë energjia është e koncentruar në konsensus, përderisa KGJK-ja dhe KPK-ja nuk po merren me reformim dhe vlerësim të punës së kryer në këta dy sektorë.
Pra, mangësitë janë të dijshme jo gatishmëria, marrja e njerëzve të politikës pa ndalë me përfitim pa bazë nuk sjell asgjë të re, pra nuk ka konfiskim të pasurive pa bazë, por edhe më keq s’ka as hetime për këto raste e lëre me aktgjykime dhe deri më sot nuk ka ndodh asgjë e rëndësishme, kuptohet se ky sistem duhet të lihet të funksionojë i pavarur”, tha Burjani për “Kosova Sot”.


