Viti i realizimit të ëndrrave për Kryeziun, Luzerni flet shqip

Hekuran Kryeziu padyshim që është njëri ndër lojtarët më të mirë shqiptar në kampionatin zviceran.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ka pasur një vit të jashtëzakonshëm në futbollin zviceran, me skuadrën e tij Luzern ku është bërë lider i saj.
Me vetëm 22 vite Hekurani ka arritur t’i ‘çmend’ të gjithë në Zvicër, falë mençurisë së tij në fushë, pasimeve fantastike, ndërprerjen e aksioneve të kundërshtarëve, golave dhe asistimeve.
Ai është bërë ndër lojtarët më të kërkuar në kampionatin zviceran, nga shumë skuadra të njohura në shtetin ‘helvetik’ dhe më gjerë.
Në një intervistë për Telegrafin, Hekurani flet për karrierën e tij sportive në vitin 2015, synimet për këtë vit, daljet e tij me shokët shqiptarë Migjen Bashën e Jahmir Hykën nëpër Luzern si dhe shumë gjëra të tjera.
“Viti 2015 ishte një vit mjaftë i mirë për mua. Ka shkuar gjithçka ashtu siç e kam planifikuar edhe pse gjithmonë ekziston diçka më mirë dhe nuk duhet të ndalem duke kërkuar edhe më shumë nga vetja”, thotë Hekurani për Telegrafin.
“Kam qenë i huazuar në gjashtë muajt e parë të vitit në Vaduz dhe ai huazim më ka ndihmuar shumë, pasi kur jam rikthyer në Luzern kam luajtur gjithnjë titullarë”.
“Është shumë mirë për mua që kam në skuadër edhe dy lojtarë shqiptarë tjerë, si Jahmir Hyka dhe Migjen Basha. Shumicën e kohës flasim vetëm shqip, sidomos me Bashën pasi ai nuk di mirë gjermanisht”.
“Zakonisht në stërvitje dhe në kabinë flasim shqip, por me Bashen edhe në ndeshje. Me Hykën ndodh që flasim gjermanisht pasi ai po ankohet duke na thënë: “Vllai ju kosovarët e keni prishur fare gjuhën shqipe””, tregon Hekurani duke qeshur.
“Pas ndeshjeve dhe pas stërvitjeve zakonisht jemi së bashku por ndodh që na bashkëngjitet edhe ndonjë shokë tjetër i skuadrës që nuk është shqiptar. Për fat të mirë kemi shumë vende shqiptare ku qëndrojmë dhe hamë drekë apo darkë”.
“Kemi një restaurant shqiptar që është afër stadiumit dhe gjithmonë qëndrojmë aty. Pronarët e restaurantit ‘Ristorante Accademia’, janë dy djem shqiptar nga Deçani, Arianit dhe Diamant Ferizi që gjithmonë na presin shumë mirë dhe për këtë në emër timin e të shqiptarëve të Luzernit dua t’i falënderoj. Përpos këtij restauranti ata kanë edhe një tjetër që quhet ‘Nabucco’, dhe qëndrojmë gjithmonë aty pasi shërbimi dhe pritja është fantastike”, thotë Hekurani.
“Kohën e lirë zakonisht e kalojmë nëpër vende të ndryshme të Luzernit, por edhe duke luajtur ‘Sony Playstation’, ndërsa në mbrëmje zakonisht shkojmë në Zurich në Rinora 4, pasi është vendi i shqiptarëve”, vazhdon tutje Kryeziu.
Djaloshit nga fshati Roganë i Komunës së Kamenicës iu bë ëndrra realitet kur veshi fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen ndaj Shqipërisë, ndërsa më parë ishte pjesë e grupmoshave të Zvicrës nga U-17 deri në U-21.
“Kam luajtur për Zvicrën dhe i jam falënderues si shtet që na ka dhënë mundësinë të bëhemi futbollistë. Por tani jam pjesë e Kosovës dhe kjo ishte një ëndërr e imja e kamotshme. Ndeshja e parë ka qenë shumë e mirë ndaj Shqipërisë dhe jam kënaqur në Kosovë”.
“Si Përfaqësuese e re që jemi kemi të ardhme shumë të mirë dhe besoj se do të bëjmë gjëra të mira në kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’”.
“Shpresoj që në vitin 2016 të mos kem lëndime fillimisht, dhe të luaj rregullisht në Luzern. Dëshira ime e madhe është që Kosova të pranohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA dhe atëherë do të jetë një gëzim i madh për gjithë ne pasi padrejtësisht nuk jemi të pranuar”, vazhdon Hekurani që flet edhe për të ardhmen e tij.
“Momentalisht jam pjesë e Luzernit deri në verë, por klubi më ka ofruar vazhdimin kontratës. Janë edhe disa skuadra tjera të interesuara, por gjatë ditëve në vazhdim do të dihet më saktësisht e ardhmja ime, nëse do të vazhdoj me Luzernin ose jo”, përfundoi Kryeziu për Telegrafin.
Gjatë këtij stinori, Kryeziu ishte titullar i padiskutueshëm te Luzerni dhe ka luajtur gjithsej në 17 ndeshje duke shënuar një gol dhe duke bërë katër asistime dhe ka pasur 1291 minuta gjithsej.
22-vjeçari i cili është edhe reprezentues i Kosovës, është ndër pesë mesfushorët më të vlerësuar në kampionatin zviceran.
Ndërkohë në një sondazh në Zvicër, 22-vjeçari është zgjedhur si futbollisti më i mirë i Luzernit për vitin 2015-të. /Telegrafi/