RCCOLA

Viti i krizës politike, migrimeve dhe luftimit të ekstremizmit

/ 15 minuta lexim
RCCOLA

Si asnjë vit më parë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës, viti 2014 u përshkua me një krizë të vazhdueshme institucionale.Që nga fillimi, qeveria e atëhershme e koalicionit të ndërtuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kishin humbur përkrahjen e shumicës në Kuvend dhe ishte çështje ditësh kur ajo të detyrohej të largohej.

Dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës e më pas edhe i formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, dëshmoi mungesën e fuqisë politike të asaj qeverie.

Dështimi i transformimit të FSK-së në FAK

Në ditën e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, pati premtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohej brenda pak javësh apo muajsh në Forcë të Armatosur.

“Kjo është parada e fundit e nderimit të Ditës së Pavarësisë ku ne e shohim parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me emrin e saj të deritanishëm. Na ndan një kohë shumë e shkurtër, javë apo muaj nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Me këtë premtim, qeveria e atëhershme hartoi ligjin për Forcat e Armatosura, por që ky tranzicion të ndodhte ishte i nevojshëm dhe një ndryshim kushtetues. Ky ndryshim kushtetues nuk mund të bëhej pa mbështetjen e pakicave. Ishin deputetët serb ata që e bojkotuan seancën dhe rrjedhimisht formimi i Forcave të Armatosura dështoi.

Ndërsa Kuvendi dhe Qeveria dështuan ta bëjnë tranzicionin nga Forca e Sigurisë në Forcën e Armatosur, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtnant Kadri Kastrati ishte zotuar se FSK është plotësisht e gatshme për të kaluar në Forcë të Armatosur.

“Unë si komandant Forcës së Sigurisë së Kosovës, me siguri të plotë mund të ritheksoj se Forca e Sigurisë së Kosovë është e gatshme të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe t’i marr detyrat e reja, mbrojtjen e vendit dhe qytetareve të saj”, ka thënë Kastrati.

Shpërndarja e Kuvendit

Humbja e përkrahjes nga shumica në Kuvend, qeverinë e koalicionit PDK-AKR e kishte futur në një rrugë njëdrejtimëshe kah shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.

Më 14 shkurt, ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-lideri opozitar atë kohë, Isa Mustafa lidhën marrëveshje për shpërndarjen e Kuvendit.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, më 7 maj, Kuvendi i Kosovës me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime mori vendim që të shpërndajë vetveten.

I vetmi subjekt politik që kishte dalë kundër ishte Vetëvendosje. Lideri i kësaj partie politike, Albin Kurti, qysh atëherë pretendonte krijimin e një blloku opozitar që do ta sfidonte PDK-në.

Andaj, edhe besonte se një opozitë e bashkuar do të mund ta rrëzonte qeverinë.

“Nëse shkojmë në zgjedhje me shpërndarje të Kuvendit ne e humbim ofensivën si opozitë. Nëse e rrëzojmë qeverinë, ne hyjmë në zgjedhje si parti opozitare me ofensivë. E ofensiva është çelësi i fitores. Prandaj, ne duhet ta rrëzojmë qeverinë dhe të shkojmë në zgjedhje të ardhme këtë vit”, ka thënë Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Pas shpërndarjes së Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi konsultime me partitë politike dhe në fund shpalli 8 qershorin, datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Me shpalljen e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që fushata zgjedhore të zgjasë dhjetë ditë.

Por, në fakt, partitë politike të vetëdijshme se vendi po shkonte në zgjedhje e kishin nisur fushatën muaj më parë.

Nga kjo fushatë mbahen mend premtimet e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi për 200 mijë vende të reja pune dhe kundërpërgjigja e liderit të LDK-së, Isa Mustafa për 120 mijë vende të reja pune.

Në anën tjetër, Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti premtonin rend dhe ligj por shpesh edhe i rikujtonin ata që ishin në pushtet se me Vetëvendosjen në qeveri luftimi i krimit dhe korrupsionit do të niste nga ish zyrtarët e lartë qeveritar apo komunal.

Ngjashëm me zgjedhjet lokale, edhe në ato parlamentare mori pjesë edhe subjekti politik serb i krijuar nga Beogradi zyrtar me emrin Lista Serbe. Kjo listë, organizonte fushatë zgjedhore në pjesët qendrore e lindore të Kosovës, por jo edhe në veri. Megjithatë, nuk bëhej fjalë për bojkot.

Fushata kaloi shpejt dhe zgjedhjet u mbajtën më 8 qershor. Ato kaluan mirë dhe pa incidente. Këtë e thanë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Këto zgjedhje u cilësuan si më të mirat në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës.

Por, krahas kësaj, rezultati i zgjedhjeve ishte ai që u interesonte më shumë subjekteve pjesëmarrëse dhe votuesve. Para mesnatës, u kuptua se zgjedhjet sërish i fitoi Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit.

“Kosova duhet të jetë krenare. Me këto zgjedhe PDK dhe Kosova fillojnë “misionin e ri””, ishte shprehur ndër tjera Thaçi.

Dhe ndërkohë që të gjithë mbanin sytë kah zgjedhjet dhe skenarët e mundshëm për krijimin e institucioneve të reja, në urën qendrore mbi lumin Ibër, po zhbëheshin barrikadat prej guri e dheu, dhe po vendosej ai që do të quhet “Park i Paqes”.

Zemërimi për të do të shpërfaqet më 22 qershor, gjatë përplasjeve të dhunshme ndërmjet protestuesve shqiptarë dhe frocave të rendit

Bllok kundër PDK-së

Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, më 10 qershor, liderët e partive opozitare, Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma vendosën që të formojnë koalicion me pretendimin që ta lënë në opozitë fituesen e zgjedhjeve, Partinë Demokratike të Kosovës.

Deklaratën e përbashkët e kishte lexuar Agim Veliu i LDK-së, duke sqaruar edhe ndarjet e posteve. Nga ky moment, bashkimi i këtyre partive u quajt shkurt – LAN.

“LDK, AAK dhe Nisma kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje. Të tri partitë janë pajtuar që kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj të jetë kandidat i përbashkët për kryeministër të Kosovës, kurse posti i kryetarit të Kuvendit do t’i takojë LDK-së, si dhe pozita e presidentit në harmoni me Kushtetutën”, ishte shprehur Veliu.

Ky bashkim opozitar, nga nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi jo vetëm që ishte parë si jo kushtetues, por edhe pretendim për rritjen e pazareve politike.

“Vullneti i qytetarëve nuk mbrohet me marrëveshje anti-kushtetuese. Kjo është një formë presioni për të rritur pazarin negociues me ne – Partinë Demokratike të Kosovës”, është shprehur Kuçi

Për shumë kë në Kosovë, bashkimi opozitar për krijimin e qeverisë dukej edhe si një mision i pamundshëm. Këto tri parti politike, mbështeteshin edhe nga Vetëvendosje, e cila atë kohë nuk u ishte bashkuar ende.

Në bazë të Kushtetutës, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, presidentja Atifete Jahjaga thirri seancën e parë konstituive më 17 korrik.

Seanca u drejtua nga deputetja më e vjetër Flora Brovina, anëtare e PDK-së dhe ajo më e reja, Teuta Rugova nga LDK-ja. Ndërsa konfirmimi i mandateve dhe betimi i deputetëve kaluan pa telashe, në pikën tjetër atë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit filluan përplasjet.

PDK insistonte se vetëm ajo ka të drejtë të propozoj kryetarin e Kuvendit si parti fituese, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma pretendonte se ka krijuar grupin më të madh parlamentar andaj edhe synonte ta nominonte për kryetar kuvendi, Isa Mustafën.

Në pamundësi që partia fituese të zgjedhte kryetarin e Kuvendit, kryesuesja Flora Brovina ndërpreu seancën. Mirëpo, vetëm 30 minuta më vonë, të gjitha partitë tjera, përve] PDK-së u kthyen në sallë dhe në prani të 83 deputetëve me 67 vota për, Isa Mustafa u zgjodh kryetar i Kuvendit. Menjëherë pas, PDK iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila pak ditë më vonë pezulloi zgjedhjen e Mustafës.

Fundamenti

Më 21 gusht, Gjykata Kushtetuese dëgjoi argumentet e PDK-së në njërën anë dhe bllokut LAN në anën tjetër. Një ditë më vonë, doli me vendimin se Mustafa ishte zgjedhur në mënyrë anti-kushtetuese dhe kërkonte që deputetët të gjejnë një zgjidhje kushtetuese për këtë post.

LAN bëhet VLAN – Reagimet ndërkombëtare

Më 10 shtator, bllokut LAN iu bashkua edhe Vetëvendosje, duke e shndërruar atë në VLAN. Vetëvendosje iu bashkua partive opozitare me kushtet e saj që të merrte sipër dialogun me Beogradin dhe të rishqyrtonte procesin e privatizimit.

Përfshirja e Vetëvendosjes në këtë bllok, e nxori jashtë kombinimeve për përfshirjen në qeverinë e ardhshme Listën Serbe, e cila pas konsultimeve me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuqiq, përmes kryetarit të saj Aleksandar Jabllanoviq mori vendim të mos jenë në një bllok ku është Vetëvendosje.

“Vetëvendosje nuk është për ne tërësisht e papranueshme. Për ne është e papranueshme ajo pjesë e politikës, të cilën Vetëvendosje dëshiron ta zbatojë lidhur me marrëveshjen e Brukselit dhe në rrjedhën e mëtutjeshme të bisedimeve”, ka deklaruar Jablanoviq.

Nga ky moment, nga disa përfaqësues ndërkombëtar filluan të adresohen disa mesazhe ku mes tjerash kërkohej që institucionet e reja të kenë prioritet vazhdimin e dialogut me Serbinë, themelimin e gjykatës speciale si dhe të formojnë institucione gjithëpërfshirëse.

Por, deklaratat që shënuan kthesë në gjithë procesin e vakuumit institucional ishin ato të ambasadores amerikane Tracey Jacobson.

Gjatë një debati që kishte organizuar lëvizja Fol, më 6 nëntor, ambasadorja amerikane kërkoi që partitë politike t’u japin fund marifeteve politike.

“Koha e marifeteve politike ka marrë fund. Kemi një situatë ku e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se PDK-ja e ka të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por e di që edhe koalicioni e ka një marrëveshje ku parashihet që Isa Mustafa të jetë kryetar i Kuvendit kurse Ramush Haradinaj kryeministër”, ka theksuar Jacobson.

Madje ajo ishte shprehur edhe në gjuhën shqipe me atë mesazhin e shumë dëgjuar – “Mos e dh… punën”.

Rënia e Bllokut VLAN dhe ribashkimi PDK – LDK

Ditët në vijim shënuan shembjen e bllokut VLAN. LDK në pamundësi që të merrte postin e kryetarit të Kuvendit i kërkonte tani AAK-së postin e kryeministrit.

Marrëveshja për postet nuk u arrit dhe LDK më 19 nëntor, mblodhi Këshillin e Përgjithshëm ku u vendos që të lë bllokun VLAN dhe t’i bashkohet koalicionit me PDK-në.

Liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa nënshkruan deklaratën e marrëveshjes parimore në prani të presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane Tracey Jacobson.

Pas tri javë diskutimesh Thaçi e Mustafa nënshkruajnë përfundimisht marrëveshjen sipas të cilës, Isa Mustafa kandidohet për kryeministër, kurse Hashim Thaçi fillimisht pajtohet të merr postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm, me pretendimin që në vitin 2016 të kandidoj për postin e presidentit.

Po ashtu, marrëveshja e parashihte që kryetar i Kuvendit të zgjidhej zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Bazuar në marrëveshjen Thaçi – Mustafa, presidentja Atifete Jahjaga mandatoi Isa Mustafën për postin e kryeministrit. Me një vonesë prej pesë muajve, seanca u thirr dhe Kuvendi u konstituua me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Më pas, u thirr edhe seanca tjetër e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë, por nuk u përmbyll ditën e parë ngaqë mungonin deputetët serb.

Pas konsultimeve me Beogradin, të nesërmen, më 9 dhjetor, u kthyen edhe deputetët e Listës Serbe dhe Kuvendi shkoi në procedurë votimi, ku me 73 vota për, 38 kundër dhe 2 abstenime, zgjodhi qeverinë e re me kryeministër Isa Mustafën.

Megjithatë, Mustafa atë ditë kishte edhe një mesazh të papritur për disa nga deputet e LDK-së të cilët nuk e votuan, pasi e kundërshtonin koalicionin me PDK-në.

“Falënderoj për këtë besim të gjithë ju që votuat. Falënderoj edhe ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan. Natyrisht, e gjithë kjo vlen për të gjithë ju, por jo për deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Nga mesi i dhjetorit, Kosova u bë me institucione. Ato morën përsipër zbatimin e obligimeve ndërkombëtare si vazhdimin e dialogut me Beogradin, themelimin e gjykatës speciale për krimet e luftës, miratimin e ligjit për sanksionimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit e të ngjashme.

Premtuan zhvillim ekonomik e ulje të papunësisë. Por, ajo që i karakterizoi muajt e fundit të këtij viti ishin migrimet e shtuara ilegale. Me mijëra kosovar po largoheshin për në vendet evropiane me shpresën se do të gjenin një vend pune, pavarësisht se rruga deri te destinacioni kërkonte shumë shpenzime dhe ishte plot rreziqe, kurse qëndrimi i tyre atje ishte dhe mbetet ilegal.

Presidentja Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj vjetor para Kuvendit të Kosovës tha se problemi i ikjes së qytetarëve nga vendi do të duhej t’i shqetësonte të gjitha institucionet dhe subjektet politike.

“Skenat e të rinjve të papunë, që bredhin shesheve të qyteteve tona, qytete këto që gradualisht rrezikojnë të shndërrohen në qytete-fantazmë, apo skenat e radhëve të gjata për të blerë bileta një-drejtimëshe drejt adresave fiktive dhe të paqena të shpëtimit, duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë. Ne bartim përgjegjësi për ëndrrat e parealizuara dhe zhgënjimin e qytetarëve me shtetin e Kosovës”, është shprehur Jahjaga.

Ekstremizmi islam dhe arrestimet

Viti 2014 nuk u karakterizua vetëm me migrimet ilegale, por edhe me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftë në Siri e Irak.

Rreshtimi i tyre ishte në krah të organizatave të shpallura terroriste si forcat militante të Shtetit Islamik apo edhe organizatës Al Nusra. Më 11 gusht, Policia e Kosovës kishte arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione.

Prokurori i rastit, Blerim Isufi, ka thënë se fakti që këta persona u kanë takuar organizatavetë shpallura terroriste, u kanë dhënë bazë organeve të ndjekjes penale që të arrestohen.

“Sa i përket pjesëmarrjes në luftë, pothuajse të gjithë këta të arrestuar, përveç 2-3 vetave për të cilët nuk kemi informata të sakta, të tjerët kanë qenë të gjithë pjesëmarrës. Përveç kësaj, këta, veprimtarinë e vet e kanë ushtruar edhe përmes mjeteve tjera elektronike duke bërë thirrje për shkuarje në një luftë që vërtet është e pakuptimtë dhe që bie ndesh me dispozitat e Kodit Penal”, ka thënë Isufi.

Ditëve në vijim, Policia e Kosovës ndaloi edhe imamë të xhamive më të mëdha në Kosovë të cilët po hetoheshin për nxitje të rinjve për veprimtari ekstremiste.

Problemin me ekstremizmin islam e ka adresuar në shumë raste edhe Presidentja Jahjaga.

Ajo në disa raste e ka përsëritur se Kosova “nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”.

Majlinda, futbolli dhe Olimpiada

Sidoqoftë, anash krizën politike, thellimin e varfërisë dhe migrimet ilegale, viti 2014 për do të mbahen në mend edhe për suksesin e sportit dhe sportistëve të Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Xhudistja Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës. Ajo fitoi titullin kampione e botës në Çeliabinsk të Rusisë, më 26 tetor, pasi që në finale e ka mundur rumunen, Andrea Chitu në kategorinë deri në 52 kg.

Një e arritur tjetër në sportin e Kosovës ishte futbolli. Pas negociatave të shumta, përfaqësueses së Kosovës në futboll iu lejuan ndeshjet miqësore nën emblemën e FIFA-s. Kështu, më 5 mars, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Kosova zhvilloi ndeshjen e parë ndërkombëtare kundër Haitit.

Një sukses tjetër i madh në fushën e sportit për Kosovën ishte pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Pasi kishte marrë miratimin në tetor, Kosova më 09 dhjetor u pranua si anëtare me të drejta të plota.

Kjo nënkupton që Kosova mund të merr pjesë në lojërat e ardhshme evropiane në Baku më 2015, si dhe në ato olimpike në Rio de Janeiro, në vitin 2016./rel/​