Viti i jashtëzakonshëm i Kosovës – nga arrestimi i madh i janarit te Specialja problematike e dhjetorit

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Viti 2017 do të mbahet mend për shumë ngjarje – nisur nga arrestimi i Ramush Haradinajt në janar, zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale dhe ato lokale e deri tek dështimi i deputetëve për zhbërjen e Gjykatës Speciale…

4 janar: Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri aktual i vendit ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhër-arrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.

14 janar: Nga Serbia niset një tren, me qëllim të përurimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u vlerësua nga pala kosovare provokim i rëndë. Në tren kishte mbishkrime se “Kosova është Serbi”.

25 janar: Mbahet takimi mes delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili synonte uljen e tensioneve mes dy vendeve pas provokimit të Serbisë me trenin dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në takimin me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Kosova u përfaqësua nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ndërsa Serbia nga ish-presidenti Tomislav Nikoliq dhe presidenti aktual dhe ish- kryeministri Aleksandar Vuçiq.

4 shkurt: Shembet muri ilegal që ishte ndërtuar para urës mbi Lumin Ibër, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të Serbisë.

27 shkurt: Bangladeshi njeh Pavarësinë e Kosovës, ky është shteti i 114-të që e njeh shtetin e pavarur.Image result for Bangladeshi e njeh Kosoven

3 mars: Kosova është anëtarësuar në Konventën themelore të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave, njofton Klan Kosova.

7 mars: Presidenti Hashim Thaçi inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në ushtri të Kosovës.

27 prill: Gjykata e Apelit në Colmar të Francës liron Ramush Haradinajn.

10 maj: Me kërkesë të opozitës, Kuvendi i Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, ku vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Votimi u mbështet edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Presidenti Hashim Thaçi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë vendosi për shpërbërjen e Kuvendit dhe njoftoi se zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin më 11 qershor.

1 maj: Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani viziton Kosovën.

11 qershor: Mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.

8 korrik: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74% (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 % (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53% (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.

7 shtator: Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, me 62 vota pro nga 120 deputetë, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Veseli ishte zgjedhur kryetar pas gjashtë ndërprerjeve të seancave konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

9 shtator: Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër me 61 vota pro dhe qeveria e re u formua nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.

Hidromorava

22 tetor: Mbahen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.

17 nëntor: Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Gjykata ka vendosur që deputeti Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim.

19 nëntor: Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë. 19 komuna shkuan në balotazh për përcaktimin e kryetarit të Komunës.

24 nëntor: Policia e Kosovës ka arrestuar tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi dhe Albulena Haxhiun, e cila më pas është liruar. Arrestimi është kryer në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë për rastin e hedhjes së gazit në Kuvend.

26 nëntor: Madagaskari njeh Pavarësinë e Kosovës. Madagaskari, i cili ndodhet në brigjet jug-lindore të Afrikës, është shteti i 115-të që e ka njohur shtetin e pavarur.

8 dhjetor: Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Aida Dërguti, e ka quajtur bashkëpartiakun e saj, Albin Kurtin, me një term ofendues, në një bisedë private me disa deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova. Në një grup privat në rrjetin Viber, Dërguati, duke folur për arrestimin e fundit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi pyet: “A atë mutin?”, duke iu referuar arrestimit të Albin Kurtit. Publikimi i këtij mesazhi ka ngjallur shumë reagime si brenda Vetëvendosjes ashtu edhe jashtë saj.

12 dhjetor: Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ka vizituar për herë Kosovën. Gjatë kësaj vizite ai ka takuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, dhe presidentin Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.

13 dhjetor: Presidenti Hashim Thaçi, ka themeluar Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Këtë nismë Thaçi e kishte paraqitur më 13 shkurt 2017, i cili, siç tha, do të mundësojë dialog të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit të shëndoshë.

17 dhjetor: Mbahet rivotimi në Istog, pas dyshimeve se ishin manipuluar votat me kusht dhe me postë. Zyrtarisht këtë komunë e ka fituar Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër Gani Dreshajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

20 dhjetor: Kryeministri Ramush Haradinaj, i ka mbushur 100 ditë të qeverisjes së tij. Të arriturat sipas tij i ka përmbledhur në një raport, të cilin e ka prezantuar në Qeveri dhe më pas të njëjtin ia ka dërguar, presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli. Haradinaj në këtë 100 ditësh është kritikuar për rritjen e pagës se tij për 100% dhe numrin e madh të zëvendësministrave në kabinetin e tij, njofton Klan Kosova.

20 dhjetor: Qeveria e Kosovës dhe Contour Global kanë nënshkruar marrëveshjen për Termocentralin “Kosova e Re”. Kjo është marrëveshja më e madhe e nënshkruar ndonjëherë, e cila kap vlerën e mbi 1 miliard eurove, njofton Klan Kosova. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin e Kosovës. Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023.

Image result for Qeveria e Kosovës dhe Contour Global kanë nënshkruar marrëveshjen për Termocentralin “Kosova e Re”

22 dhjetor: 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës përmes nënshkrimeve të tyre kërkuan seancë të jashtëzakonshme për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Iniciativa e tre ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, tashmë drejtues të tri institucioneve kryesore të vendit, dështoi në dy tentativat e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit. Kundër kësaj iniciative kanë dalë haptas ambasadorët amerikan, gjerman, britanik dhe të Bashkimit Evropian.

29 dhjetor: Është ndërprerë masa e paraburgimit për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin e Donika Kadaj-Bujupin, njofton Klan Kosova. Aktgjykimi për deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e Albulena Haxhiu, do të merret me tre janar në orën 13:00.