Fundamenti

Viti i jashtëzakonshëm i Florent Muslijës me gola e asistime: Në 2024 për hapin e madh, dua ta vazhdoj me këtë ritëm

/ 4 minuta lexim

Florent Muslija ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm gjatë vitit 2023 me klubin e tij, Paderborn, duke u kthyer në një nga lojtarët kyç jo vetëm te skuadra zikaltër, por në përgjithësi në Gjermani.

Reprezentuesi kosovar ka pasur një vit për mbamendje, pasi ka realizuar 17 gola dhe ka asistuar në 10 të tjerë duke dëshmuar se padyshim është futbollisti i vitit në Bundesliga 2.

Në një intervistë për Telegrafin, Muslija ka folur për vitin që kemi lënë pas, duke e vlerësuar si vitin më të mirin në karrierën e tij deri më tani.

“Viti 2023 ishte shumë fantastik për mua; kam dhënë maksimumin dhe personalisht jam shumë i kënaqur me të arriturat personale që kam pasur gjatë këtij viti”, tha Muslija.

Megjithatë reprezentuesi kosovar thotë se ka mundur të bëj edhe më shumë gola dhe asistime, por edhe më këto shifra ai është mjaftë i lumtur.

“Unë vetë e di cilësinë që posedoj. Do të kisha mundur të kisha shënuar edhe më shumë gola dhe asistime, por për momentin jam shumë i lumtur që arrita të kontribuoj me kaq shumë gola dhe asistime”, thotë Muslija për Telegrafin.

25-vjeçari njihet ndryshe si një futbollist që shënon gola të ‘çmendur’, kryesisht nga largësia, por edhe nga gjuajtjet e lira. Goli më i mirë i vitit sipas tij është ai ndaj St Paulit që e realizoi nga gjysma e fushës.

“Goli më i mirë që kam shënuar në vitin 2023 ishte ndaj St. Pauli nga një distancë prej 56 metrash, ishte gol i jashtëzakonshëm. Me të parë portierin që kishte dalë menjëherë godita dhe jam i lumtur që përfundoi topi në rrjetë”, u shpreh mesfushori dardan.

Muslija e vlerëson 2023-tën si vitin më të mirë në karrierën e tij, por beson se mund të bëjë edhe më shumë.

“Viti 2023 ishte më i miri që kam pasur deri tani në karrierën time. Besoj se mund të kem një vit edhe më të mirë në 2024, pasi jam i motivuar për të bërë edhe më mirë”.

Uji Dea

Gjatë verës kishe shumë oferta në drejtim të mesfushorit, megjithatë Muslija tha se vet mori vendimin për të qëndruar te Paderborn, ku edhe shkëlqeu.

“Kisha një ndjenjë që nuk ishte koha të ikja nga Paderborni këtë verë. Dëshiroja të vazhdoja edhe një vit me Paderbornin, zemra ime ashtu më tha dhe mendoj se kam marrë vendimin e duhur”, vazhdoi tutje Muslija.

Mesfushori ofensivë thotë se ka për qëllim të vazhdoj me këtë ritëm në mënyrë që të ketë suksese edhe më të mëdha në vitin 2024.

“Viti 2024 do të vazhdoj ashtu siç përfundova vitin 2023, me gola, asistime dhe performanca ditë për ditë, javë pas jave. Do të punoj edhe më shumë për të arritur qëllime edhe më të larta”.

Përveç suksesit në klub, Muslija ka shprehur edhe krenarinë që ndien në përfaqësimin e Përfaqësueses së Kosovës. Ai ka thënë se është i nderuar të kontribuojë ndaj objektivave të Dardanëve dhe të ndihmojë në afirmimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

“Jam gjithmonë i kënaqur kur mund të vesh fanellën e Kosovës, sepse është vendi ynë. Edhe pse nuk arritëm të kualifikohemi për Kampionatin Evropian, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës gjithmonë”, tha reprezentuesi kosovar.

Duke parë përpara, Muslija shikon vitin 2024 si një mundësi për të avancuar edhe më tej në karrierën e tij. Ai ka shprehur ambicien për të vazhduar të zhvillohet si lojtar, të përmbushë objektivat personale dhe të ndihmojë ekipet e tij, si në klub ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar, të arrijnë sukses.

Objektivat që i ka vendosur ai vetës janë të qarta, të bëj një transferim të madh dhe të ketë rezultate sa më të mira edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.

“Në vitin 2024 pres transferimin në një klub të madh, por normalisht edhe që të kemi suksese me Kosovën. E rëndësishme është që mos të kem lëndime pastaj duhet të vazhdoj me ritëm të njëjtë me gola e asistime”, përfundoi mesfushori i Kosovës. /Telegrafi/