UBT

Viti i befasive në skenën politike

/ 5 minuta lexim

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i doli shumë punë në vitin 2017. Zgjedhjet qendrore, lokale, balotazhi dhe rivotimi në Istog, ishin procese që u organizuan nga KQZ-ja brenda një periudhe gjashtë mujore. Ishte data 10 maj e vitit që po lëmë pas ku një mocion i inicuar nga Nisma për Kosovën mori 78 vota, për ta rrëzuar koalicionin PDK-LDK. Mocion i cili u mbështet pikërisht nga partia e Kadri Veselit.

Nën pretekstin se po mungojnë vendimet e mëdha, Partia Demokratike e Kosovës e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat pas vendimit të presidentit Thaçi, do të mbaheshin më 11 qershor, shkruan lajmi.net

Ashtu siç bashkërisht e votuan mocionin për rrëzimin e qeverisë Mustafa, tri partitë u bënë bashkë në ditën e fundit të afatit për paraqitjen e koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në minutat e fundit të afatit që ishte përcaktuar nga KQZ-ja, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën u bashkuan në një koalicion që për shumëkënd ishte befasues.

Ishte PDK-ja ajo që i theu “vijat e kuqe” të Nismës dhe AAK-së, duke ia ofruar këtyre të fundit postin e kryeministrit. “PAN” si njihej ky koalicion do të shkonte në zgjedhje me Kadri Veselin si bartës liste.

Koalicion bëri edhe LDK-ja. Partia e Isa Mustafës u bë bashkë me AKR-në e Behgjet Pacollit me Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.

E ishte Vetëvendosja partia e vetme që garoi në zgjedhje pa ndonjë “martesë” politike.

Pas një procesi të rregullt zgjedhor dhe pa incidente, doli që koalicioni PAN të dilte i pari me 33.74% të votave, duke lënë prapa Lëvizjen Vetëvendosje me 27.49%, parti e cila shënoi rritje të madhe për dallim nga zgjedhjet e fundit.

E koalicioni i LDK-së me AKR-në morën 25.53%, duke mos përmbushur pritshmëritë.

Rezultati ishte i tillë që koalicioni i PDK-së me AAK-në dhe Nismën e kishin të pamundur të formonin institucionet, pasi kishin arritur të siguronin vetëm 39 ulëse në Parlament. Bashkë me minoritetet numri i deputetëve ishte 59.

Kjo bëri që vendi të shkojë në një bllokadë institucionale për rreth tre muaj, ku nuk mund të zgjedhej kryetari i Kuvendit, e as të votohej qeveria.

Ishte katër shtatori i këtij viti, ku bllokada dukej se po shkonte drejt thyerjes. PAN kishte arritur marrëveshje me AKR-në. Këtyre të fundit u ishin dhuruar katër ministri dhe zëvendëskryeministri i parë.

Pasi numrat u arritën, PAN-i dhe AKR-ja thirrën seancë më 7 shtator, ku Kadri Veseli u rizgjodh në krye të organit më të lartë legjislativ.

Dy ditë më vonë, më 9 shtator edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj realizoi ëndrrën e kahmotshme. Ai u votua si kryeministër i Kosovës, për ta marrë mandatin nga Isa Mustafa disa ditë më vonë.

Zgjedhjet lokale:

Mobi Casa

Pasi u “rehatua” qeveria dhe u zgjodhën ministrat, partitë fokusin e kthyen kah zgjedhjet lokale që u caktuan të mbahen me datën 22 tetor.

Pas fushatës dhe premtimeve një mujore, më 22 tetor qytetarët e Kosovës iu drejtuan për herë të dytë kutive të votimit.

Në raundin e parë Lista Serbe arriti të fitojë 9 komuna, që të gjitha me shumicë të popullësisë serbe. Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë triumfoi në pesë komuna, AAK-ja në dy, kurse PDK-ja pa balotazh e fitoi vetëm Drenasin.

E në shumicën prej qyteteve, balotazhi do të ishte vendimtar për ta kuptuar kryetarin e ri.

Balotazhi ishte një dramë sidomos në qytetet e mëdha si Prishtina dhe Prizreni. Në këto dy qytete me një numër të vogël të votave fituan kandidatët e Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti përkatësisht Mytaher Haskuka.

VV-ja veç në këto dy qytete, fitoi qeverisjen edhe në Kamenicë me Qëndron Kastratin.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që të sigurojë fitore në Gjilan, Podujevë, Vushtrri, kurse pa balotazh kishte fituar në Lipjan, Fushë Kosovë, Viti dhe Pejë. Kurse për Istogun u vendos të kishte rivotim, pas manipulimeve të votave me kusht dhe me postë.

Befasi e këtyre zgjedhje lokale doli të jetë AAK-ja e Ramush Haradinajt. Veç Junikut e Deçanit që fituan në raundin e parë, partia e kryeministrit korri fitore në Obiliq, Suharekë, Gjakovë, Klinë dhe Rahovec.

E Partia Demokratike e Kosovës pavarësisht që në balotazh shkoi duke kryesuar në disa qytete të mëdha, më 19 nëntor u mposht në Prizren, Mitrovicë dhe Rahovec.

PDK-ja e ktheu qeverisjen në Ferizaj, dhe arriti të udhëheq me Kaçanikun, Shtimen, dhe Drenasin që triumfoi pa balotazh.

Nisma për Kosovën nuk pati ndonjë ndryshim, duke vazhduar të udhëheq me Malishevën.

E gara e cila ishte më dramatike ndodhi në Istog, ku as balotazhi nuk e përcaktoi fituesin. Kjo pasi PZAP dhe Gjykata Supreme vendosën që në këtë komunë të ketë rivotim, nën arsyetimin se votat me kusht dhe me postë ishin manipuluar.

E në rivotim fitues doli Haki Rugova i LDK-së në diferencë prej 14 votash.

Viti 2017 mund të quhet si vit i zgjedhjeve, ai edhe po përfundon si i tillë.

Pavarësisht se qeveria Haradinaj është pak më shumë se 100 ditë në pushtet, partitë opozitare po paralajmërojnë mocion dhe zgjedhje të reja në vitin e ardhshëm.