UBT

Viti i banditëve!

/ 4 minuta lexim

Nga Lavdim Hamidi – Asnjë zë nuk dëgjohej brenda dhomave, ndonëse ato ishin përplot me fëmijë dhe të rritur, të cilët pas pak çastesh do të thonë përfundimisht: Goodbye Kosova!

Ishte mbrëmje, një vit më parë, kur vilat e Suboticës ishin të stërmbushura me kosovarë, nga ku të gjithë në mëngjes do të niseshin për ta kaluar ilegalisht kufirin serbo-hungarez dhe më pas drejt Gjermanisë, apo Francës.

Pyesim recepsionistin nëse ka dhoma të zbrazëta në vilë, ndërsa ai sjell kokën dhe thotë: Vështirë!

Megjithatë, niset që t’i shikojë dhomat e ne (ekipi i “Zërit”) pas tij.

Derisa bën përpjekje që ta fusë çelësin në derë, duke menduar se dhoma është bosh, dikush nga brenda me një serbishte të dobët pyet: Kush është?

Recepsionisti i përgjigjet në rregull është, vetëm shikova nëse dhoma është e lirë!

Hidromorava

Ja që nuk ka dhoma të lira, na drejtohet ai.

Në fakt, mundësia për të zënë vend për një natë në këto vila ishte shumë e vogël, pasi që autobusët dhe taksitë nga Prishtina dhe Lugina e Preshevës vazhdimisht arrinin në Suboticë të mbushur me kosovarë, që e kishin braktisur shtetin e tyre, të krijuar pak vite më parë pas një sakrifice të gjatë gjithëkombëtare.
Të lodhur nga varfëria dhe humbja e shpresës se një ditë do të bëhej mirë në Kosovë, dhjetëra mijëra qytetarë të vendit shpëtimin e shihnin në Evropë.

Nëpërmjet këtij destinacioni, nga Prishtina në Beograd e më pas në Suboticë, për më pak se katër muaj, nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në fund të marsit të këtij viti, hiç më pak se 60 mijë kosovarë braktisën vendin e tyre dhe kërkuan azil në Evropë, përderisa numri i atyre që e lëshuan vendin nga viti 2013 e deri më tani arriti në 110 mijë.
Këtij eksodi masiv “hairin” ia panë trafikantët nga Kosova dhe Serbia, të vendosur në Paliç të Suboticës, të cilët vlerësohet se i përfituan rreth 20 milionë euro, duke i marrë nga 250 euro për person për kalim ilegal të kufirit.

Fatkeqësisht kjo situatë nuk i konvenoi vetëm banditëve (trafikantëve), të cilët përfituan miliona euro. Realisht ikjes së madhe të kosovarëve mund t’i jenë gëzuar edhe vetë drejtuesit e Qeverisë së vendit, pasi që mundësia për hapjen e 50 mijë vendeve të punës në vitin e parë të qeverisjes, apo 200 mijë vende pune gjatë katër vjetëve të qeverisjes, ashtu siç u premtua në fushatë, definitivisht është një mision i pamundur. Prandaj, askush nga pushtetarët nuk u brengos për ikjen e tyre.

Isa Mustafa, i cili udhëheq me Qeverinë e vendit, në asnjë mënyrë nuk do të mundë t’i realizojë premtimet e tij për hapjen e qindra mijëra vendeve të punës nëpërmjet investimeve të huaja, derisa qe disa vjet disa banditë të lidhur me partitë në pushtet vazhdojnë të përfitojnë në mënyrë joligjore nga uzurpimi i lokaleve të privatizuara nga diaspora kosovare në qendër të Prishtinës.

Edhe në vitin 2015, që vazhdoi të kishte probleme funksionimi i shtetit ligjor, të vetmit që përfituan nga veprimtaritë ilegale ishin banditët, në kurriz të qytetarëve të vendit. Me shpresën se në vitin tjetër ligji do të vlejë edhe për të “fortit”, Gëzuar 2016!