RCCOLA

Viti 2019 me asnjë vendim politik dhe proces për avancimin e pozitës shqiptare në Luginë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Këshilli për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë konsideron se viti 2019 ishte vit i vendnumërimit sa i përket respektimit dhe avancimit të të drejtave të njeriut në këto komuna.

“Për me tëpër, problemet e shfaqura në procesin e pasivizimit të vendbanimeve në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen, duke pasur parasysh se jo rrallëherë po rezultojnë në shkeljen e të drejtës për asistencë sociale dhe për pajisje të dokumenteve personale, apo edhe në shlyerje nga regjistri zgjedhor”, thuhet në kumtesën e KDNJ-së, shkruan Titulli.com.

KDNJ vlerëson se gjatë vitit 2019, nuk pati po ashtu asnjë vendim politik dhe proces për për ta përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skajshmërisht të nënpërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës.

Mobi Casa

“Edhe gjatë këtij viti nuk u zgjidhen çështja e mosnjohjes së diplomave të Kosovës për shtetasit e Republikës së Serbisë dhe sidomos çështja e teksteve e planprogrameve mësimore për nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe nw Serbi. Problemet e njëjta mbeten në fushat e tjera jetike për të drejtat e njeriut, si në atë të gjyqësisë, të sigurisë, kulturës dhe të (mos)përdorimit zyrtar të simboleve kombëtare për minoritetin shqiptar”, shkruhet në kumtesë.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut cilëson se në këtë drejtim, mbetet tejet e rëndësishme që të rifillojë dialogu midis përfaqësuesve të qeverisjes republikane dhe përfaqësuesve lokalë, si dhe të dinamizohen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe harmonizimi i tyre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian./Titulli.com/