Fundamenti

Viti 2018, bashkëshortes sime Qefsere

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Poezi nga Hysen Këqiku

Janari shoqërohej me diell
Ti me ofshama e gjëmë
Në banesën e fundit ortopedi

Vallë, kush e ndjente ngrohtësinë e diellit
As lulemeshat në kopshtin e shoqes përballë

Të dyja mes përpëlitjeve
Bënin dialog për këmbim lulesh

Pranvera erdhi pa ty
Ofshamat e gjëmat
U varrosën në fillim të shkurtit
Me kurmin tënd
Bilur

Lulemesha u mboll
Lëshoj rrënjë
Për adhurimin tënd
U mbush me lule

Ti me vete more rrezet e diellit
Edhe aromën e lulemeshës
Për ta shpërndarë në parajsë

Dhimbja nuk u varros
Më mbeti dhuratë,
Deri në vargun e fundit

TË KAM EDHE KËTU

Lulemesha më mbeti peng
Me aq kujtime të fshehura
brenda petaleve
të brishta

Tek më ngjitesh shkallëve
të mbamendjeve
flakë e zjarr
kudo

Shpërndarë hullive
pentagram pa nota
gëlim loti
ndjesi

Lulemeshë tek rritesh
të shoh e të ndjejë
prore rritesh
në varg

Jam edhe atje
të kam edhe këtu
bashkë me muzën
që ma kujton
Fjalë ëmblën petale

VETËM PËR TY

Mbetur jam
në varg që po lind
në strofë
në rrokje

në ëndërr të ecjes
fshehtësive të dritës
edhe në kapërcim andej

në hulli të pahapur
sernishtave gjembmprehta
të korrjes në përcëllimë vere

përtej therës së fshehur
në strukajën e metaforës
edhe në nëmën e komponuar

në shtigjet e daljes
bashkë me ty shtegëtar
me mallë ngarkuar

në zemër që troket
me ritmin e artisur
për dorën që shtrëngon dorë

mbetur jam
në vargun që po lind
vetëm për ty

DHIMBSHËM

Më ka mbërthyer etja
duke pritur një rigë shi
në serrnishtën
e djegur

Më ka mbërthyer diçka
tek e ndjejë në shqisa
lodhur e stërlodhur
vetë

Shikimi shigjeton atje
ku perendon e nuk lind
deri as nesër
në ag

E rëndë më vjen pesha
tek më kërrus lodhshëm
në vegim tretur
diku përtej

Çka ti them mikut
dikë pyes parreshtur
për thatësinë përcëlluese
në kopshtin tim

SHTERRUESE

Gurra e Perrisë shumë larg
kur etja kërkon shi

Gjethet kanë ngritë majat
lëshojnë lutjet
çdo gjë duket shurdhër

Në mesditë
flakëron hapësira
e vesa para agut ngrinë

ARKATANA

Ku shkon bleta
me atë shpejtësi
ku ta gjej
lulen e vyshkur
të kujtimit

Ëndëra prishet para gjumi
mbetet në belbëzime
Shterruese

Dita pret ditën
në përqafim të treur

RANË NË HESHTJE

Lulemesha
rritet me dhimbjen time
secila petale
e ka nga një kujtim
më vijnë varg e varg
në qësëndisje
si pika shiu e loti
në rrokullisje

Avull i i shkërmoçjes
merr tatpjetën
tok me brenga ngritet
i lagur i tëri nga loti
në rrugët tendoset
në dëshirë malli
fundoset

Kujtimi nuk mbetet
i humbur
në rezidencë kujtimesh
brejtësit hulumtojnë
shpirtin ma grimcojnë

Të pritja ta çelësh gojën
buzët e mallit t ’i shihja
dhëmbët e qeshjes
dhjetë ditë në agoni
pak nga pak ajo duhamë
më mbylli në vetmi

JEMI BASHKË

Asgjë nuk ka mbetur në heshtje
Këtu je qenie që lëviz
T’i dëgjoj hapat
Edhe frymëmarrjen

Ato kanë mbetur këtu
Edhe kur i mbylli sytë i shoh
Edhe kur kotem
me fymëmarrjen time
gjallërohet edhe jotja

këtë e ndjejë
nga shija që më vjen
nga kuzhina
po me atë filxhan
e pij kafenë e mëngjesit
sinqerisht
butësisht
bashkë
askund nuk shkoj pa ty
në sheti
në pushim
në kafene
bashkë jemi

Nuk shikoj anash
As prapa
Bashkë e bëm jetën
me shikim përpara

SI SOT SI DIKUR

Gjerat e mbetura
Ruhen me mallë
Ato i shoh kudo
Kudo dyert e hapura i kam
Aty e atje

Me duar të hapura
pritem
gati për përqafim
Të dyfisht

Një për mua
Një për Ty

Unë i pranoj
Me dashurinë tënde
Të shënuar në mendje
E afërt
E dashur
Nënë
E gjyshe
Këto tipare
Si xhampare
Hareshëm tingëllojnë
Harmonishëm në hap jete
Si sot
Si nesër
Në këtë botë reale

NË RRETH

Jam Brenda ëndërrimit
Nuk shoh dalje askah
Imagjinoj lulemeshën
Petalet më kthejnë
Në kujtimet e zbehura
Varg i këputur

Edhe në gjirin e ditës
Dëshira malli më vijnë

Kur silueta
Si në suprinë mali
Zemrën e shtrydh
Për të bërë gurrë loti
Në dhimbje malli

I zbehur jam fare
Në rrebesh shiu
Sa shumë flluska hapen
Kur kujtimet lagen
Në arsyen e mbyllur

Krejt ndryshe është në rreth
Kur s’ke dalje
Në lëvizje rrethore
kthehesh në të njëjtën pikë
Krjt pa kuptim
Në këtë labirinth

VAJE

Vajet e gëzimit
Me lot lagin bukuritë
Kujtimet tok me përqafime
Gufojnë hapërimeve
Me zemra ndezur

Nuk ndalet
Thellimi në shpirt kënge
Në flakë flakadanesh
Në mungëtira ngecjesh

Vaji nuk mshelet
As me një gjilpër imagjinare
Nga rrjedh loti rubin

Gurrë shpirti
E zemre ndezur

Le të na bashkojë
Për dritë aurora
Le të na galdojë
Si në djep nëna

Loti i nuses
mbetur në cep
të shamisë së vajit
për rritje ninullash