Viti 2015, vit evropian për Kosovën
Zëvendësministri i Ministrisë për Integrime Evropiane, Ramdan Ilazi ka deklaruar se Kosova është duke pritur vlerësimin e Komisionit Evropian ndaj rekomandimeve të caktuara për liberalizimin e vizave.
Ilazi për “Zërin” ka thënë se, pritet që një ekip vlerësues të vijë në Kosovë në javët në vijim për të verifikuar nëse Kosova ka përmbushur kriteret ashtu siç është raportuar përmes raportit.
“Ne kemi dorëzuar Komisionit Evropian, raportin e trete mbi adresimin rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian të publikuar në korrik të vitit të kaluar Ministria për Integrim Evropian si udhëheqëse e këtij procesi në vazhdimësi ka punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse për t’i mbledhur të dhënat dhe për të përgatitur një raport sa më substancial. Ne jemi te bindur ne punën serioze qe është bere dhe duke e ditur qe ky është raporti i fundit gjithë përfshirës për përmbushjen e kritereve, presim një vlerësim meritor nga komisioni evropian” ka thënë Ilazi, shkruan Zeri.info
Ndër të tjera, ai është shprehur optimist që ky vit të jetë vit Evropian dhe në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të jenë pjesë e identitetit evropian, të udhëtojnë lirshëm në zonën Schgengen.
Ilazi gjithashtu thotë se Kosova duhet të jetë e përgatitur që të menaxhoj fazat e mëvonshme, duke qenë të përkushtuar pas marrjes së përgjigjes nga Komisoni Evropian.
“Ne, duhet të jemi konsistentë në përkushtimin tonë deri në marrjen e vendimit për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në zonën schengen, por edhe të përgatitemi për ta menaxhuar fazën e mëvonshme. Është përgjegjësi e qeverisë së Republikës së Kosovës, por është edhe përgjegjësi e përbashkëta e jona, e të gjithë qytetarëve, që t’i sigurojmë shtetet anëtare të BE-së se ne nuk do të abuzojnë me të drejtën e lëvizjes se lirë” ka deklaruar Ilazi.
Ndryshe Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, më 5 qershor ka dorëzuar Raportin mbi përmbushjen e kritereve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, tek shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Samuel Zhbogar për ta përcjell në Komision Evropian. /Zëri/


