Vite të mbrapshta!
Për nëntë vjet mëvetësi Kosova nuk ka arritur ta zhvillojë ekonominë dhe ta zvogëlojë papunësinë, ka shkallë të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe ka mbetur vendi i vetëm pa liberalizim të vizave në Bashkimin Evropian, shkruan sot, gazeta Zeri.
Edhe pas nëntë vjetëve pavarësi Kosova ballafaqohet me zhvillim të ulët ekonomik dhe shkallë të lartë të papunësisë. Korrupsioni, si dhe krimi i organizuar për çdo vit e “njollosin” vendin në raportet ndërkombëtare, për pasojë të së cilës, duke përfshirë këtu edhe mosratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, po shtyhet liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian.
Ky është vlerësimi i njohësve ndërkombëtarë dhe vendorë për Kosovën nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, duke shtuar se shteti më i ri në Evropë vazhdon të përballet me probleme të vjetra.
Kurse si suksese të këtyre nëntë vjetëve përmenden konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet demokratike, përpjekjet për integrimin e minoriteteve, si dhe 113 njohjet ndërkombëtare.
Lunacek: Kosova ka arsye për të festuar
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e këtij institucioni për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka thënë për “Zërin” se pas finalizimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim (vitin e kaluar) dhe vetëm disa hapa larg drejt rrugës së liberalizimit të vizave ka arsye të mira për ta festuar Ditën e Pavarësisë. Madje Lunacek ka thënë se në këtë ditë duhet të përkujtohet ish-presidenti Ibrahim Rugova, që, sipas saj, është një simbol i luftës jo të dhunshme.


