Eko Higjiena

Vit i turpshëm për politikën

/ 3 minuta lexim

2016-a mbahet mend si dështim total për pushtetarët dhe opozitën. Tensionet politike në Kuvend, aferat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, skandale për mbamendje në politikën kosovare gjatë vitit 2016.

Gjatë vitit 2016 Jeta skandaloze në institucionet e shtetit të Kosovës, e filluar që nga ditët e para të mandatit të këtij koalicioni qeverisës në vitin 2014, e vazhduar në vitin 2015, me të njëjtin ritëm ka filluar dhe mbaruar dhe këtë vit që po e lëmë pas. Kriza dhe jostabiliteti i institucioneve të vendit, gazi lotsjellës në Kuvend, dështimi i përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, fillimi i arrestimeve ekstravagante të figurave qendrore të luftës për krim të organizuar dhe korrupsion, zbardhja e dosjes ‘Pronto’ për muaj të tërë me seri të njëpasnjëshme, ishin vetëm disa nga skandalet e mëdha që përcollën skenën politike gjatë këtij viti dhe si të tillë po e përmbyllin atë. Një nga temat e nxehta që ka skandalizuar dhe bllokuar jetën parlamentare edhe gjatë këtij viti, në pjesën dërrmuese të kalendarit të punës, ka qenë vazhdimi i storieve të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në shenjë kundërshtimi të ratifikimit të Demarkacionit të kufirit më Malin e Zi.

Lotsjellësi kundër Demarkacionit Me lotsjellës filloi edhe viti 2016, seanca e 19 shkurtit të këtij viti, për të vazhduar edhe me përsëritje të të njëjtit skenar edhe në seancat e tjera të sesionit pranveror. Skenari i lotsjellësit në Kuvend ka vazhduar edhe në muajin mars. Ka qenë seanca e 10 marsit, e cila u pengua nga subjektet opozitare me hedhje të gazit.

Fundamenti

Ishte deputeti i ‘Vetëvendosjes’, Salih Salihu, që hodhi gazin në Kuvend. Lotsjellësi është shijuar nga deputetët edhe në seancën tjetër atë të 26 shkurtit, për ta detyruar koalicionin qeverisës që duke ikur nga opozita të improvizojnë mbajtjen e seancave në mënyrë “ilegale” në sallën alternative. Pranvera dhe vera e tensionuar me shijen e lotsjellësit në Kuvend ka vazhduar deri në shtator. Madje lotsjellësi është hedhur edhe më 9 gusht në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ishte atë ditë deputeti Driton Çaushi ai që hodhi gazin lotsjellës gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, derisa po pritej të diskutohej për projektin e Demarkacionit. Madje Lotsjellësi ka arritur të futet ditë pas ditësh, deri në sallën e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit, më datën 18 gusht të këtij viti, kur lotsjellësi është hedhur nga deputeti i ‘VETËVENDOSJES’ Glauk Konjufca, derisa pritej që kryesia të marrë vendim për procedimin e Demarkacionit në seancë plenare. Ndonëse lotsjellësi është ndërprerë si mjet pengese e punës së Kuvendit nga opozita në Kuvend gjatë sesionit të vjeshtës, pasojat kanë mbetur evidente./kosova sot/