RCCOLA

Vit i Ri – gjithmonë i njëjti!

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Nga Beqë Cufaj – Jam duke lexuar dhe shkruar. Kam pra, atë që edhe dëshiroja. Në të vërtetë, më parë nuk do ta kisha besuar që shpresa do të më bëhej realitet, që jeta do të më dhuronte këtë tryezë shkrimi, nga e cila i shoh drunjtë dhe shtëpitë e vjetra. Nga ky vend muret e të cilit janë mbështjellur me libra, dhe me një qetësi kaq të pazakonshme.

Në njëfarë mënyre, kjo hapësirë në të cilën jam duke shkruar, i ngjet një ëndrre të një njëzetvjeçari. Çfarë mungon pra? Dhe cili është shkaku që përkundër të gjithave që i ke, megjithatë je i pakënaqur? Shkaku është që e gjithë kjo duket të ketë ardhur paksa si vonë. Sepse ky njeri që është duke i shkruar këta rreshta, është aq esull, saqë e ka të vështirë të besojë në vërtetësinë e kësaj bote në të cilën jeton…”. Me këto fjalë, në fillim të janarit të vitit 1948, shkrimtari francezo-amerikan Julien Green e fillon një nga Ditarët e tij, të cilat për dekada të tëra si një letër lakmuesi e shënojnë kohën në të cilën ky autor jetoi. Dhe ai jetoi gjatë.

Aq gjatë sa pesëdhjetë vjet me radhë, pothuajse çdo ditë “i mbështjellur nga qetësia e mureve të veshura me libra” Green, nga ana tjetër e botës, ana e rënie/ngritjeve me “pesimizmin konstruktiv”, shënonte ato që mendonte se i duheshin atij dhe na duhen neve. Në radhë të parë për veten e tij e më pas për miqtë e fare në fund për lexuesit.

Duket të jetë një rregull i pashkruar që njeriu më me dëshirë shikon (me optimizëm?) drejt së ardhmes së paqartë. Por pa ndonjë dëshirë të madhe e hedh shikimin prapa për të prekur a ndier se çfarë ka ngjarë gjatë një viti që lë prapa, apo edhe më keq, gjatë viteve që ikin si retë në qiejtë që prekim. E ajo që qenien e shpëton kur provon ta kthejë shikimin prapa: janë kujtimet. Këto dinë të jenë të çfarëdo natyre. Për këtë shkak preferoj kujtimet e formës së shkruar.

Qofshin këto shkrime nga vetvetja apo nga dikush që e njeh apo provon ta njohësh. Apo si është ajo fjalia? Njeriu kur lexon, në radhë të parë e lexon vetveten. Besoj se çdokush që e ka fuqinë ta lexojë vetveten duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë shumëçka. Sepse me këtë rast atij mund t’i ndodhë të përjetojë gjëra jo edhe aq të mira. Apo anasjelltas. Kjo nuk vlen vetëm për një shkrimtar. Është ky rregulli i përgjithshëm për çdo njeri, për çdo vdektar të zakonshëm.

Duke nisur nga nxënësit në shkollë, burokratët në zyrë apo gazetarët në gazeta. E nëse vërtet njeriu nuk e ka fuqinë që ta lexojë (shikojë) vetveten atëherë së paku do t’ia vlente të përpiqet të mësojë çfarë të tjerët kanë thënë ose janë duke thënë. Është edhe ky një virtyt nga i cili e deshëm ose jo, mund të mësojmë. Si të jemi. Apo si të mos jemi.

E tëra fillon qysh nga fëmijëria e hershme. Nga shkrimi e leximi kur mësuesi në shkollë a prindërit në shtëpi, provojnë t’i shtyejnë tek qenia e brishtë shkronjat dhe me këtë edhe botën tjetër. Atë pra që është e vërteta sepse mund t’i kthehemi sa herë që për të ndiejmë nevojë. Dhe ashtu, herë me vetëdije e herë pa të, sillemi në këtë qark të paikshëm.

Uji Dea

Pastaj vijnë numrat. Dhe me këtë edhe orët e datat. Është rrumbullakimi kalendarik i një dite, jave, muaji, dhe viti. Sidomos i vitit të vjetër ai që pos na ndalë dhe kthen tek përjetimet e dridhjet, tek gjetja e vetvetes tek ky apo ai shkrimtar, ky apo ai film.

E kur bëhen shumë vite, atëherë mundemi që pa i dhënë ndonjë zor të madh, t’u nënshtrohemi koleksioneve të impresioneve të mbetura thellë në qenie. Një nga to, mund të jenë mendimet e Green-it. Apo njeriu mund ta marrë edhe Fernando Pessoan. E ky na thotë që, ne e glorifikojmë të përkryerën, sepse nuk mund ta arrijmë atë! Dhe kjo e arritur e përkryer, është diçka jonjerëzore, sepse vet njerëzorja është diçka që nuk është e përkryer… Falemnderit Maestro Pesoa!

Është një ngushëllim i cili mund t’i falet edhe një bujku kur breshëri ia shkatërron perimet në të cilat punon me muaj të tërë. Mund të jetë edhe një ngushëllim i mirë për një artist i cili shkruan e krijon, dhe fare në fund nuk e përmbyllë atë që kishte dashur ta arrinte. Është një ngushëllim edhe për një fëmijë i cili nuk është i kënaqur me notën të cilën mësuesi i jep në shkollë.

Sepse asgjë nuk është e përkryer. Më së paku qenia njerëzore. Në këtë mes ka vetëm një problem të vogël, i cili do të mund të shtrohej si pyetje. Çfarë nëse dikush, apo edhe më konkretisht, vepra e dikujt shikohet si e përkryer? Ndoshta kjo gjë mbetet e hapur për vitet që vijnë, ashtu siç mbetet e hapur ajo që a është dikush i përkryer apo jo.

Ashtu siç nuk do të mund ta definojmë këtë punën e përkryerjes, e njejta gjë do të vlente po të ishim të vetëdijshëm më tepër për rrjedhën dhe drejtimin e dirigjuar të jetës. Por ja që atëherë ajo jetë do të bëhej e padurueshme. Prandaj janë të mira këto çaste kalendarike të cilat e bëjnë një rrumbullakësim të pavetëdijshëm të asaj që ka shkuar e nuk kthehet kurrë më. Apo të asaj që ka shkuar e papritmas, fare papritmas kthehet diku në një pikë të vogël të botës që të rrethon.

Arti i shkrimit do të duhej ta bënte njeriun të ndiejë diçka. Diçka që edhe ne vetë kemi ndier, dhe më pas jemi liruar për ta “burgosur” dikë tjetër që do të gjejë veten te ndjenjat e liruara më parë nga shkruesi. Dhe në këtë mes nuk ka kurrfarë teorie apo filozofimi. Ky lirim e kjo burgosje e përshkuajnë tërë jetën tonë, herë me dëshirë e herë jo. Herë rastësisht e herë qëllimisht.

E meqë çdo gjë që është abstrakte di të jetë po aq e mërzitshme, atëherë edhe do të duhej që vërtetë të ikim nga ajo sprovë e rrezikshme. Sepse vetëm një shembull i thjeshtë, sa më i thjeshtë i mundshëm, mundet që të bëjë shumë më tepër sesa qindra faqet e abstraksionit. Arti, ose ndërmjetësimi i tij, nuk është asgjë tjetër pos një dërgim i një pjese apo tërësisë së identitetit intim tek pranuesi, qoftë ai lexues libri a gazete, apo edhe shikues filmi a shfaqjeje teatrore. Për shkakun e thjeshtë- atë të përcjellësit të identitetit intim të tyre, të gjithë mjeshtrit e mëdhenjë të artit, kanë mundur të arrijnë tek pranuesi i tyre. Dhe çfarë është më e rëndësishme ata vazhdojnë t’u qëndrojnë kohërave të këqia apo të mira. Sepse secili që shfleton a shikon artin e madh, e gjen vetveten aty diku. Ashtu pjesë- pjesë, herë të padefinuar e herë të plotësuar. Por të qëndrueshëm. Me përjetësinë. Prandaj, vlen thënia, Viti i Ri është Vit i Ri, gjithmonë i njëjti!