UBT

Vit i keq për Kosovën

/ 4 minuta lexim

Nga Anton Marku – Kosova po përmbyll vitin më sfidues që nga shpallja e pavarësisë duke ndërruar tri qeveri. Në këtë kohë krize asnjëra prej tyre nuk udhëhoqi me shtetin, por që të tria bënë, cila më pak e cila më shumë, që kriza të udhëheqë me shtetin. Pandemia na mundësoi që të kuptojmë se sa të parëndësishme janë gjërat tjera në krahasim me shëndetin, e aq më tepër me jetën.

Pandemia
Qeveria aktuale, përpos që çdo ditë e më tepër po dëshmon paaftësinë e saj për t‘u përballur me pasojat e virusit, po përpiqet që edhe të kufizojë demokracinë duke përdorur mjete demokratike (dekrete, udhëzime administrative, etj). Po të bëhet një bilanc dhe të tërhiqet një vijë për sa i përket luftimit të kësaj të keqeje globale atëherë ajo do të vendosej në këndin e poshtëm të mesatares, diku mes dëshpërimit dhe frustrimit. Por, edhe ashtu, që nga marsi më nuk po i shtrëngojmë duart njëri-tjetrit por po ‘‘grushtohemi’’.

E prapë se prapë kosovarët e duan shtetin e tyre si asnjë tjetër. Po të mund të zgjidhnin se ku do të lëshonin shpirtin atëherë shumica absolute do ta bënin këtë mu aty.

Gjykata speciale
Në historinë më të re Haga ka bërë shpesh që gjethet e rëna t’u kthehen degëve, të marrin zë, të flasin dhe të tregojnë se kush i detyroi të prekin dheun. Në këtë kontekst kosovarët duhet të besojnë në drejtësinë ndërkombëtare pa paragjykime dhe hezitime, dhe atë jo vetëm atëherë kur ajo lëshon aktgjykime liruese. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se të pafajshmit do të dalin faqebardhë. Të tjerët e dinë vetë. E di dhe populli që e kanë burgosur për dy dekada, e për fat të keq, të burgosurit nuk kanë çelësa. Ata duhet kërkuar diku tjetër.

Merimangat gjatë tërë jetës punojnë rrjetën e tyre, por edhe vetë jetojnë në të.

Erërat nuk fryjnë vetëm për të lëkundur trupat e lisave, por edhe për të pastruar rrugët.

Fidanishtja

Dialogu
As Kosova e as Serbia nuk i kanë hyrë sinqerisht procesit të dialogut, dhe atë që nga fillimi. Ajo ishte më shumë fasadë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se gjoja janë të interesuar për normalizimin e raporteve mes tyre. Në anën tjetër kanë punuar pareshtur që të sabotojnë zbatimin e marrëveshjeve të dala nga ai. Kjo strategji dha rezultate dhe vazhdon të japë edhe sot. Negative natyrisht. Shenjat janë se edhe në të ardhmen do të luhet e njëjta lojë. Mbase kësaj radhe me mjete dhe protagonistë të tjerë.

Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës mbase do të shtyhet deri në shekullin tjetër, atëherë ku ca gjenerata të tjera, të cilat nuk arritën të armiqësohen ndonjëherë, të pajtohen mes vete. Ajo ditë do të varet lartë në perin e historisë. Deri atëherë, jo vetëm ajo por dhe i tërë Ballkani, do të vazhdojnë të kultivojnë me stoicizëm epitetin me të cilin i njeh bota: Fuqi baroti.

Ne dhe ata
Është koha e fundit që serbët të kuptojnë se Kosova u ka dalur nga duart dhe se ajo nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë. Në anën tjetër, edhe kosovarët duhet të fillojnë të mos besojnë më se njohja nga Serbia, sikurse edhe anëtarësimi në BE, NATO e OKB janë afër.

Liria di t’i ngjajë edhe diellit pa dritë. Emrat e një pjese të atyre, asaj më të zhurmshme, që pretendojnë se e sollën atë, do të mbeten të shënuar në kujtesën kolektive si miza të cilat kurrë nuk arritën të bëhen flutura.

Reflektim
Kosova po hyn në dekadën e re e lodhur, e sëmurë, e rrudhur dhe më me pak njerëz. Ka kohë që mbi qiellin e saj nuk është parë asnjë ylber.

Qoftë ndryshe në vitin që po hyjmë!/rajonipress/