UBT

Visar Ymeri krahason marrëveshjet Kosovë-Serbi, me ato Serbi-Kroaci

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka krahasuar marrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë me ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se për dallim nga marrëveshjet Kosovë-Serbi, në marrëveshjet Serbi-Kroaci, në fjalinë e parë sigurohet ekzistenca e dy shteteve.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Ka një marrëveshje tjetër për Normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të rajonit preambula e së cilës fillon kështu: “Republika Federale e Jugosllavisë dhe Republika e Kroacisë (këtu e tutje ‘Palët kontraktuese’, …” Kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 1996, pra një vit pas përfundimit të luftës, që në fjalinë e parë e siguron ekzistencën e dy shteteve. Këto dy shtete pastaj që në Nenin 1 të Marrëveshjes zotohen se “Palët kontraktuese do të respektojnë njëra tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve të tyre ndërkombëtar”. Në nenin 8 Palët zotohen se “do t’ua garantojnë kroatëve në Jugosllavi dhe serbëve dhe malazezëve në Kroaci të gjitha të drejtat që u takojnë sipas ligjit ndërkombëtar.” Tjerat janë histori.

Marrëveshja që njihet me emrin e ngjashëm, më saktësisht “Marrëveshja e parë e parimeve që udhëheqin normalizimin e marrëdhënieve”, e nënshkruar mes Thaçit e Daçiqit, nuk ka asnjë referencë të Republikës së Kosovës. Nuk ka as Preambulë. Nuk përmenden as palët (përveç në pikën 14 ku përmenden anët në fjalinë ‘asnjëra anë…’). Kjo fillon me këtë pikë: “Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë.” Në këtë rast nuk ka dy shtete por një ‘Zajednicë’ e komunave me shumicë serbe në Kosovë (vëreni pa Republikë). Tjerat janë histori e ‘Zajednicës’.

RCCOLA

Të dy këto marrëveshje janë të arritura nën siglën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes shteteve. Por natyrisht, duke i parë dallimet drastike në tekst, vetëm njëra mund të jetë e tillë. Ajo e nënshkruar mes Kroacisë dhe Jugosllavisë i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për njoftim dhe e ka karakterin e Marrëveshjes ndërkombëtare. Kjo tjetra e nënshkruar mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit nuk e ka as emrin e aq më pak postin e Hashim Thaçit, por vetëm nënshkrimin.

Në të parën normalizohen marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Jugosllavisë. Në të dytën normalizohet ‘Zajednica’, por edhe marrëdhëniet mes Thaçit e Daçiqit, të cilët prej dhe fal këtij dialogu u bënë miq.

Kjo ‘Zajednicë’, dhe miqësia e Thaçit me Daçiqin, e rrënojnë Republikën, e mohojnë historinë kriminale të Serbisë në Kosovë, dhe e defunksionalizojnë shtetin. Thaçi le ta mbajë mikun e tij, por Kosova nuk do ta mbajë ‘Zajednicën’” (sic). /Telegrafi/