Fundamenti

VIP-at nuk tregojnë sa kanë fituar për Bajram

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Ditët festive të Kurban Bajramit i kanë kaluar duke performuar në vendet e ndryshme të Kosovës dhe më gjerë. Por, ata nuk është se kanë pasur përfitime të mëdha nga ngjarjet e organizuara për nder të kësaj feste. Kështu së paku kanë treguar disa nga këngëtarët tanë për gazetën Tribuna. Ryva Kajtazi, Teuta Selimi e Labinot Tahiri janë vetëm disa nga emrat e njohur të skenës sonë që festën e kanë kaluar në punë…

Tradita e festimit të Kurban Bajramit së bashku me familjen nuk qëndron për yjet e skenës muzikore shqipe. Puna që ata e kanë zgjedhur shpesh i detyron që në momentet më të rëndësishme të jenë të angazhuar. Përveç që janë shumë të zënë gjatë stinës së verës dhe periudhave të tjera të vitit, këngëtarët tanë duhet që edhe ditët e festave të punojnë. Ryva Kajtazi, Labinot Tahiri e Teuta Selimi janë vetëm disa nga emrat e njohur që kanë performuar në vende të ndryshme për nder të ditës së Kurban Bajramit. Por ka edhe nga ata që këtë ditë e kanë shfrytëzuar vetëm për festë dhe pushim, siç është këngëtari Shkëlzen Jetishi. Por ku ishin këta këngëtar gjatë festës së bajramit dhe sa janë ka janë të kënaqur me përfitimet kanë treguar ata vetë në një bisedë për gazetën tribuna.

Ryva, e kënaqur me atmosferën e të ftuarve…

Këngëtarja e njohur Ryva Kajtazi ka treguar se natën e Kurban Bajramit ka kënduar në qytetin e Prizrenit së bashku më këngëtarin Sefë Duraj. Por ata nuk kanë performuar vetëm për Bajram. Puna e tyre atë natë ishte të argëtojnë shumë të ftuar në një gazmend familjar. “Kemi qenë në Prizren së bashku me Sefë Duraj, ku kemi kënduar në një dasmë, e që ka qëlluar të jetë natën e Bajramit”, ka thënë Kajtazi. E pyetur se si është ndarë me përfitimet, Ryva ka thënë se nuk është se ka pasur përfitime të mëdha nga ky eveniment, por ka theksuar se është e lumtur që atmosfera ka qenë e zjarrtë. “Nuk ka qenë ndonjë përfitim i madh, më shumë ka pasur atmosferë dhe kjo gjë më ka bërë të ndjehem mirë”, ka theksuar ajo.

Labinot Tahiri për përfitime flet në fund të vitit!

Mobi Casa

Keq më mbrëmje për këtë festë nuk ka qenë as njëri ndër këngëtarët me të kërkuar të skenës muzikore shqipe Labinot Tahiri. Ai për Tribuna ka thënë se gjatë kësaj festë ka qenë prezent në Ferizaj dhe në Prishtinë. “Po, kam kënduar edhe për festë, kam qenë në Ferizaj në ‘Diamonds Club’ dhe në Prishtinë në ‘Duplex’. Mund të them se jam pritur shumë mirë nga fansat e mi”, ka thënë Labi. Ndërkaq edhe pse këngëtari nuk ka dashur të flas për përfitimet, ka shpalosur se nj gjë të tillë e bën në fund të vitit, ku përmes tatimeve tregon edhe sa ka fituar. “Nuk dua të flas fare rreth përfitimeve, unë ato i tregoj përmes tatimit në fund vit, prandaj nuk dua të komentoj tani”, ka thënë këngëtari.

Teuta Selimi: përfitimet janë relative

Për dallim nga kolegët e saj që performuan në Kosovë, këngëtarja Teuta Selimi ka dalë jashtë kufijve, duke i argëtuar mërgimtarët në Gjermani. “Kam kënduar në Gjermani sepse kam qenë e ftuar atje në një manifestim që ka qenë organizim familjar”, ka thënë Teuta. Kurse sa u përket përfitimeve, këngëtarja ka thënë se përfitimet janë relative. E rëndësishme për te është që të pranishmit janë kënaqur me muzikën e saj. “Përfitimet janë relative por kjo gjë nuk ka rëndësi. Atë natë ka pasur shumë persona të cilët janë argëtuar shumë me muzikën time”, ka nënvizuar Teuta.

Shkëlzen Jetishi e pret Bajramin në shtëpi

E ndryshe nga kolegët e vet, këngëtari nga Gjakova, Shkëlzen Jetishi ka zgjedhur që festën e Kurban Bajramit ta kaloj në shtëpi pranë familjes. Ai për gazetën Tribuna ka treguar se nuk ka kënduar askund. Pasi që ka zgjedhur që këtë festë të qëndroj pranë familjes së tij. “Jo nuk kam qenë prezent askund, këtë Bajram kam zgjedhë që të qëndrojë pranë familjes time, që të festojmë së bashku”, ka thënë Xeni në fund të bisedës.