KKVITI

Vihet gurthemeli i Qendrës Kulturore dhe Edukative, më të madhe në rajon

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Të hënën e 1 gushtit, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar publikisht, Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, kremtoi në mënyrë solemne tre vjetorin e themelimit të kësaj shoqate, pastaj shënoi ditën e Diasporës, si dhe vënien e gurthemelit të Qendrës Kulturore dhe Edukative, një nga projektet më gjigante në rajon.

Për të qenë pjesë e këtij evenimenti të lartë kulturor, merrnin pjesë personalitete të shquara në Bujanoci me rrethinë si: z/reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, kryetari i Degës së OVL-së nga Bujanoci, Bejtulla Bejtullahu, drejtori i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” Zejni Fejzullahu, Arbnora Fejza Idrizi, rekordmene nga Kosova e shumë të tjerë donatorë e adhurues të këtij Fondacioni.

Këtë manifestim kaq madhështor e konsideroi të hapur zëdhënësja e Fondacionit Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, znj. Leonora Memeti, e cila fillimisht përshëndeti të pranishmit, duke dhënë një ekspoze trevjeçar të veprimtarisë së këtij fondacioni.

Zonja Leonora, në fjalimin e e saj tha se qëllimi dhe synimi i “Amanetit”, ka qenë dhe do të jetë, ofrimi i ndihmave për të gjithë ata që kanë nevojë në Luginë dhe më gjerë, duke i falënderuar pafundësisht njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët i mbështetën vazhdimisht.

“Sot “Amaneti” i mbush tri vjet, plot lodhje e angazhime, por me themelimin e tij, ia ka arritur barra qiranë, Ju falënderohemi që jeni pjesë e jonë, ngase këtu po niset diçka e re, diçka e bukur në komunën tonë, për rajonin tonë, këtu që ka më së shumti nevojë për ne për ty, për rata të rinj, që po ia mësyjnë Ervopës”, u shpreh znj. Leonora.

Në vazhdim, ajo, tha me bindje të thellë se “Bashkë bëjmë shumë, jemi për punë për vepra, ia kemi borxh atdheut, këtij vendi të shenjë. Askush si ne shqiptarët, nuk dinë me bë punë të mira, kur bëhemi bashkë”, theksoi me plot krenari znj. Leonora.

Gjatë fjalimit të saj zëdhënësja e Fondacionit, znj. Leonora, nuk la pa përmendur e falënderuar njerëzit vullnet mirë me mirënjohje deri në pafundësi, nga Lugina e viset e tjera nga diaspora e deri në Amerikën e largët.

“Ne do të punojmë nëse ju jeni prapa nesh. Ne i kemi vënë mision vetes vetëm ta çojmë në vend Amanetin e atyre, që japin “amanet” për ta dërguar aty ku duhet e ka nevojë”, theksoi në fund të fjalimit të saj znj. Leonora Memeti, zëdhënëse e Fondacionit “Amaneti”.

Në vazhdim të këtij manifestimi madhështor, fjalën e mori z/reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, i cili përgëzoi veprimtarinë e Fondacionit “Amaneti” dhe drejtuesin e saj, kryetarin Refik Memeti, e cili me ekipin e tij, ka arritur në një periudhë trevjeçare të bëjë mrekullira si në rrafshin e humanitetit, por edhe ate kulturor.

“ E përgëzoj, në veçanti për këtë gurthemel, nga i cili do të ngritet një tempull i madh i dijes, kulturës dhe edukimit. Ky është gurthemeli i parë në vitet e demokracisë, që po ndërtohet në Luginë të Preshevës. Unë nuk mbaj mend të jetë ndërtuar dicka e tillë më herët, përveç renovimeve të disa objekteve, prandaj kam kënaqësinë, t’ju përshëndes për një projekt me vlera shumëdimensionale, i cili na ka munguar deri tani”, theksoi, në fjalimin e tij përshëndetës z/reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi.

Po ashtu, në vazhdim të këtij manifestimi me karakter solemn, fjalën e mori kryetari i Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës – OVL, Bejtull Bejtullahu, i cili, midis tjerash tha se “çdo gjë që vjen e re, është e mirëseardhur e posaçërisht këtu ku gërshetohen shumë aktivitete, shumë punë në shërbim të qytetarëve në përgjithësi të Luginës”.

Fundamenti

“Sa i përket Fondacionit “Amaneti” , ai, e ka dëshmuar me vepra gjatë këtyre viteve. Ne si organizatë e OVL-së pak kemi përkrahje institucionale këtu, përkrahje më të madhe kemi gjetur prej Fondacionit “Amaneti”, duke ndarë ndihma familjeve të dëshmorëve, veteranëve etj”, u shpreh kryetari i Degës së OVL-së Bejtulla Bejtullahu.

Me një fjalim përshëndetës të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu, i cili uron që kjo shtëpi e Zotit dhe këto aktivitete të jenë të përbashkëta, nga se të bashkuar do të jemi më të fortë.

Madhështinë e këtij manifestimi e shtoi edhe prania e Arbnora Fejza Idrizi, rekordmene nga Kosova, e cila me fjalimin e saj mbushi plot optimizëm dhe krenari të pranishmit.

“Shumë me krenari dhe me nder jeni duke e realizuar dhe finalizuar amanetin e donacionit kulturo e humanitar. Pa dyshim se rruga e suksesit ka edhe cilësi dhe sfida të ndryshme, mirëpo bashkimi dhe besimi dhe puna që bëhet për Zotin dhe vullnetin e mirë, gjithmonë jep ato frytet dhe rezultatet e mira. Unë si drenicake, apo rekordmene e Kosovës, kam dashur punën dhe suksesin ta shtrijë edhe më gjerë. Jam e nderuar që jam bashkëvepruese me Fondacionin “Amaneti”, ku bashkërisht kemi plane dhe projekte madhore, për momentin jemi duke u angazhuar një projekt të tillë ta realizojmë edhe në Kosovë. Shpresojmë që ky tempull i dijes, kjo qendër multifunksionale, nuk do te jetë vetëm këtu, por rrënjët e saj do të shtrihen edhe nëpër vendet e tjera”, u shpreh rekordmenja kosovare Arbnora Fejza Idrizi.

Në fund, të këtij manifestimi u paraqit kryetari Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, Refik Memeti, duke shprehur shumë falënderime poër të gjithë, që e kanë mbështetur rrugëtimin trevjeçar të Fondacioni, të cilin e drejton me sukses.

“E kemi nisur me Medvegjën, me një nënëloke 87 vjeçare. Kur e kimi pyetur, si e keni gjendjen me Ramazan, më tha nuk e kam hallin e Ramazanit, por e kam hallin e djemve të sëmurë. Falë njerëzve vullnetmirë kemi arritur të vejmë themelet e një kalaje, që nuk do t’i dihet fundi me katet 1, 2, 3, 4, 5, çdo kat me 500 metra katror”.

Prioritet i parë, tha në vazhdimësi kryetari Refik Memeti, do të jetë kuzhina popullore humanitare, e cila do të jetë në shërbim të ri nacionaliteteve që jetojnë në komunën tonë. Ajo to t’ju ofroj ushqim të gjithëve që kanë nevojë, duke ngrënë ushqimin këtu, me marrë me vete dhe me ia dërguar me vozitës nëpër shtëpi njerëzve me nevoja të veçanta, jetimëve, pleqve etj, Pastaj, do të jenë dy restorante, një i përgjithshëm dhe tjetri vetëm për gra, një veç e kemi të hapur dhe po funksionon, do të jetë Çerdhja që veç e kemi, shkolla e nxënësve me aftësi të kufizuara, do të jetë një market, një depo për pako ushqimore , një dhomë frigorifer për mishin e Kurbanit, i cili po i besohet “Amanetit”.

Në vazhdim shtoi kryetari Refik Memeti, kati i dytë do të jetë komplet faltore, apo xhami, e ndarë për burra dhe gra veç e veç. Kati i tretë Shkolla e Kuranit, që vec e kemi ku i ndjekin mësimet 80 nxënës , do të jetë Biblioteka, që veç e kemi ne katër gjuhë, Libraria që veç e kemi, një butik islam me veshje islame veshje kombëtare, parfume etj, për komunitetin mysliman, do të ketë banesa të rasteve sociale, ndokujt që i digjet shtëpia e ka nevojë për strehim deri sa t’i rregullohet, zyra për organizatat joqeveritare të ndershme që nuk kanë mundësi me paguar qiranë, ne OVL-së ia paguajmë qiranë dhe i ndihmojnë ata që kanë nevojë për zyra veprimi, si mediumet siç janë Folonline,i cili na përcjell aktivitetet dhe të tjerat. Ndërsa, kati i katërt do të jetë shtëpi e pleqve , kati i pesë këndi i lodrave për fëmijë, ata s’kanë nevojë të shkojnë në Gjilan e Prishtinë, do t’i kenë në Bujanoc, ku mund të argëtohen.

Gjithashtu, gjatë këtij fjalimi kryetari Refik Mehmeti, falënderoi nga zemra dhuruesit e truallit dhe ata që dhanë donacione për ngritjen e objektit të i Qendrës Kulturore dhe Edukative, projekt i Fondacioni Kulturor dhe Humanitar “Amaneti”, i cili do të ketë 100 të punësuar nga të gjitha nacionalitete, që jetojnë në Komunën e Bujanocit dhe më gjerë, me degët e tij në Medvegjë, Fushë Kosovë, Prishtinë, Elbasan etj.

Në fund të këtij manifestimi, organizatori shtroi një darkë për të pranishmit, njofton Jetapress.