Vihet gurthemeli i çerdhes së re në Dobërçan, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

Gjilan – Është vënë sot guthemeli i çerdhes së re në fshatin Dobërçan, në ngjarjen ku mori pjesë kryetari i Komunës, Alban Hyseni, kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deputetë, këshilltarë komunalë e përfaqësues të shkollës “Nazim Hikmet”.

Kreu i Komunës, Alban Hyseni, pasi falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci për prezencën dhe mbështetjen, tha me këtë rast se arsimi parafillor dhe edukimi i hershëm është themeli i shoqërisë.

“Kjo është mundësia e Dobërçanit, familjeve, nënave e fëmijëve, atyre që janë e atyre që do të vijnë më pas. Ky projekt është kërkesë që buron nga nevojat e banorëve të fshatit. Me të marrë detyrën e kryetarit, me gjithë përkushtimin tim, jam angazhuar që për çdo kërkesë që e kemi marrë, t’i shohim edhe mundësitë për t’i realizuar këto projekte e kërkesa. Përkundër problemeve buxhetore e obligimeve të shumta që i kemi trashëguar si Komune, gjetëm mbështetje në Ministrinë e Arsimit që çerdhen ta nisim pa e bërë ende një vit mandat në qeverisje”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, kryeministri i Republikës, Albin Kurti, theksoi se në vend kemi nevojë për shtim të numrit të çerdheve, për të përmirësuar qasjen dhe përfshirjen në edukim.

“Në lajmet e mira sikur ky i sotmi jemi bërë bashkë e gëzohemi shumë kur e dimë që është lajm i mirë për të vegjlit tanë, atyre iu detyrohemi t’ua sigurojmë një jetë më të mirë dhe më të sigurt. Në vendin tonë, kemi nevojë për shtim të numrit të çerdheve, për të përmirësuar qasjen dhe përfshirjen në edukim. Fëmijët dhe të rinjtë janë prioritet i qeverisë sonë. Ne jemi të zotuar se do të angazhohemi për mbështetje të sektorit të arsimit e veçanërisht zhvillimit të edukimit në fëmijërinë e hershme”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se është kënaqësi e veçantë që po e vendosin gurthemelin e çerdhes, duke krijuar më shumë mundësi për fëmijët e fshatit Dobërçan.

“Jam shumë e lumtur që Komuna e Gjilanit ka qenë e gatshme në identifikimin e vendit dhe në krijimin e mundësive që buxheti i ndarë nga Qeveria të realizohet plotësisht, duke ofruar kushte më të mira për fëmijët tanë”, është shprehur ministrja Nagavci.

Ky projekt, i cili arrin vlerën e afër 300 mijë euro, financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke siguruar hapësirën e nevojshme me tri dhoma për fëmijët nga 0-3 vjeç dhe dy dhoma të tjera për fëmijët nga 3-4 vjeç./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS