KKVITI

Viets: Integrimi është lënë anash

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka deklaruar se procesi i integrimit në Kosovë ka mbetur paksa anash për shkak të zhvillimeve të tjera, megjithëkëtë ajo u shpreh optimiste se Qeveria do të punojë në këtë drejtim.

Implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit(MSA), e cila hyri në fuqi para një viti, është hapi zyrtar që Kosova ka bërë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Me këtë marrëveshje ka nisur trasimi i rrugës së Kosovës drejt BE-së. Kështu së paku kanë vlerësuar përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe udhëheqës të institucioneve në Kosovë. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, të titulluar: “Një vit pas hyrjes në fuqi të MSA-së, a jemi më afër integrimit në BE”, është vlerësuar se procesi i integrimit ka mbetur si dytësor, shkaku i zhvillimeve të tjera në Kosovë, siç është liberalizimi e Demarkacioni.

Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GPJ), ka prezantuar të gjeturat, me ç’rast ka thënë se përgjatë gjashtëmujorit të dytë të kësaj marrëveshjeje, ato që janë vënë re kanë të bëjnë me vështirësitë e moskoordinimit të institucioneve.

“Ajo që kemi vënë re, vështirësia e Kosovës në hartim dhe përafrim të legjislacionit, moskoordinimi i institucioneve. Institucionet e Kosovës më mirë punojnë vetëm se të koordinuara”, ka deklaruar ajo.

E përderisa, sipas saj, në gjashtë mujorin e parë ishte realizuar 27% e masave, në pjesën e dytë të vitit janë realizuar rreth 33% e tyre.

Merja tutje, duke folur për MSA-në, ka thënë se kjo marrëveshje është nisur me shumë vrull, vrull ky i cili, siç ajo është shprehur, ka ardhur duke u ndalur më tutje.

Viets: Nganjëherë po mungon vullneti politik në Kosovë

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim çon Kosovën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike Viets tha se procesi i integrimit ka mbetur paksa anash për shkak të zhvillimeve të tjera, megjithëkëtë ajo u shpreh optimiste se Qeveria do të punojë në këtë drejtim.

“Unë vetëm dëshiroj të shpreh dëshirën time që Qeveria të jetë e përkushtuar, sepse rruga drejt integrimit në BE është implementimi i MSA-së”, theksoi ajo.

Tutje, ajo ka thënë se vullneti politik në Kosovë nganjëherë po mungon, por sipas saj, ka pasur edhe zhvillime të tjera të cilat kanë bërë që integrimi të lihet si çështje dytësore.

“Është një shenjë që politika ka qenë e zënë me tema të tjera, liberalizimi, Demarkacioni, kjo e shpjegon pak vonesën”, është shprehur ajo.

Emini: Përfitimi ekonomik ka të bëjë me liberalizimin e tregut

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, ka vlerësuar se komisioni që ajo udhëheq është unik sa i takon proceseve drejt Evropës.

Uji Dea

“Si komision jemi unik sa i përket agjendës evropiane. Kjo është mundësia e vetme që ne bashkërisht t’i intensifikojmë sfidat sa i përket MSA-së e integrimit”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, sipas saj, edhe vendet e tjera të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të tilla kanë pasur sfida në procesin e zhvillimit.

“Edhe vendet e tjera që kanë pasur këtë marrëveshje nuk kanë qenë me zhvillim aq të shpejtë. Ne në fakt jemi munduar që përmes mbikëqyrjes së Qeverisë të shohim se ku jemi. Nuk mund të themi se jemi mirë, por ka pasur edhe zhvillime të tjera që kanë ndikuar në implementimin e MSA-së”, është shprehur Emini.

Ndërkohë, ka vlerësuar se përfitimi ekonomik ka të bëjë me liberalizimin e tregut.

Ahmetaj: MSA-ja, hapi zyrtar drejt BE-së

Ministrja e Integrimit, Mimoza Ahmetaj, ka vlerësuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim ka sjellë një kapitull të ri në procesin e integrimit.

“Hyrja në fuqi e MSA-së ka shënuar kapitull të ri në kuadër të procesit integrues të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, deri te kjo marrëveshje Kosova nuk ka pasur ndonjë raport kontraktual me Bashkimin Evropian. Ahmetaj më tej ka thënë se MSA-ja përbën hapin e parë drejt integrimit në BE.

“MSA-ja përbën hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit të Kosovës në BE”, ka theksuar ajo.

Ajo tutje ka konsideruar se kjo marrëveshje ka krijuar edhe strukturat e reja institucionale të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Ndërkohë që ka numëruar disa përfitime që dalin nga kjo marrëveshje, me ç’rast ka thënë se MSA-ja do të ketë ndikim në rritjen e investimeve të huaja, produktet industriale dhe bujqësore do të eksportohen pa asnjë tarifë, etj.

Nga ana tjetër, Donika Kadaj-Bujupi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherësh anëtare në Komisionin për Integrime Evropiane ka vlerësuar se qysh në vitin e parë Kosova do të humbë 24 milionë euro.

“24 milionë euro do të humbë Kosova në vitin e parë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, Kosova ende është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilit nuk mundin të lëvizin lirshëm.

“Kosova ende mbetet vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave. Kjo është në shpërputhje me MSA-në”, ka potencuar ajo./zeri/