UBT

Video incizimet në Komunikacion

/ 4 minuta lexim

Nga Skender Berisha – Aksidentet e fundit por jo vetëm, i kanë shtyrë Policinë e shtetit të marrin masa drejt shtrëngimit të masave për shoferët që ngasin pa kujdes. Pa drejtuar akuzat drejt Policisë apo Autoshkollave duhet drejtuar gishtin nga vetja!

Sa jemi të kujdesshëm ne si shoferë gjatë ngasjes?

Kohëve të fundit vërejmë edhe një shtim të publikimit të video incizimeve në rrjetet sociale të ngasësve që bëjnë tejkalime dhe shkelje të rregullave të komunikacionit, dhe në të njëjtën kohë vërejmë edhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj shoferëve të tillë që rrezikojnë jetët e tyre.

Është interesante edhe reagimi i qytetarëve ndaj atyre që bëjnë publike apo bëjnë incizimet nga veturat e tyre nëpërmjet kamerave statike apo edhe telefonave të tyre. Po të shohish në komentet e tyre vërejmë edhe shoferë që nuk janë fort të kënaqur me këto publikime, sepse nga rutina që kanë krijuar për të mos respektuar rregullat e komunikacionit i kanë shtyrë ata që të ndalojnë nga kjo rutinë, pasiqë tanimë nuk dihet se kush të bën një video dhe publikon ato, përderisa je duke shkelur rregullat dhe më pas dënimi vije nga policia atëherë kur nuk e pret fare.

Këto rregulla janë të lejuara dhe praktikohen edhe në botën perëndimore, dhe së fundi edhe në Kosovë ky veprim i qytetarëve po zë vend.

Fidanishtja

Na ka rastisur të gjithëve të dëgjojmë se në botën perëndimore të gjithë qytetarët luajnë rolin e “policit”, të gjithë janë aktivë në mbrojtjen e rregullave dhe interesave të qytetarëve, në identifikimin e personave që kryejnë ndonjë veprim kundërligjor, apo janë akterë të ndonjë ngjarje e kështu me radhë.

Siç shihet, edhe në Kosovë ka filluar një rregull i ri i pashkruar në mendjen e qytetarëve, të gjithë kanë filluar të shohin me kujdes për veprime që janë në kundërshtim me ligjet dhe jetën shoqërore, ka filluar të instalohet vetvetiu një kulturë e re e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, një kulturë që mbron jetën e qytetarëve, një kulturë dhe civilizim që i jep përparësi jetës kundrejt vdekjes, një manifestim që rezulton me shpëtim të jetës nga një reagim shoqëror.

Këto adresime dhe publikime duhet të kenë një trajtim sa më serioz nga policia dhe gjyqësori, e që më pas kjo shoqëri e cila po ecën drejt emancipimit të kalojë në një stad tjetër duke e respektuar edhe masën më të vogël të ndalesës, dhe duke e konsideruar jetën e tjetrit si gjënë më të shtrenjtë jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, por edhe për tërë shoqërinë në përgjithësi.

Ky popull kaq bujar, me vlera të larta morale dhe etike, me karakteristika të veçanta, i ndjeshëm dhe shumë human, me rininë e saj që tjerët i´a kanë zili duhet ruajtur dhe kultivuar ditë për ditë, duhet shtuar kujdesin secili individualisht që ky trend i aksidenteve nga pakujdesia që po vret familjes tona të minimizohet maksimalisht, dhe një ditë këto ngjarje të kobshme mos të zënë vend në mediat dhe portalet tona me humbjet e jetëve të qytetarëve tonë nga pozita dhe vende të ndryshme: në punë, gjatë vozitjes, gjatë organizimeve të ndryshme e kështu me radhë.

Autor: Msc. Skender Berisha