Hidromorava

Vetting-u “krasit” të korruptuarit

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim se si dhe deri kur do të funksionojë skema mafioze e zgjidhjes së rasteve gjyqësore, ku sundon leku dhe mafia, mafio-politika dhe grupet e interesit.

Kapiti: Edhe administrata, edhe drejtësia, i shërbejnë abuzivisht dhe korruptivisht një klike apo grupi të ngushtë interesi politik!

“Kjo do të thotë që me aplikimin e ligjit të Vetting-ut ata do të përgjigjen detyrimisht edhe për prejardhjen e pasurisë së tyre, e që dihet se si janë pasuruar, nga korrupsioni, dhe sado që mundohen t’i fshehin ato, sikur janë paratë e gatshme nga korrupsioni apo edhe pasuritë e tjera të pajustifikueshme në patundshmëri, shtëpi,toka, troje,banesa me dhjetëra sosh,vetura dhe të tjera pasuri të paluajtshme,sigurisht se do të japin llogaridhënie para ligjit,por dhe të tillët pastaj nuk do ta kenë vendin në drejtësi”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit po e përcjellin me shqetësim se si dhe deri kur do të funksionojë skema mafioze e zgjidhjes së rasteve gjyqësore, ku sundon leku dhe mafia, mafio-politika dhe grupet e interesit.

Shqetësim në vete paraqet edhe fenomeni se si dhe deri kur do të mund të funksionojë drejtësia në Kosovë edhe me shantazhet dhe kushtëzimet e politikës. Duke e parë këtë sistem në këtë gjendje, ata vlerësojnë se Kosova është shndërruar në një oaze të krimit, vetëm falë drejtësisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën sipas ligjit e në zbatim të tij. Duke qenë në bashkëjetesë me krimin dhe korrupsionin, edhe gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë mirë dhe komod me politikanët, prandaj edhe flirtojnë me politikën sipas stilit “ti më bën një favor mua, e unë ta kthej me një tjetër favor”, pra edhe kështu trafikohet drejtësia. Prandaj, sipas analistëve të kësaj fushe, nuk mund të ketë drejtësi për qytetarët, për sa kohë ky sistem është i kapur nga politika e inkriminuar. Kjo mënyrë funksionimi në drejtësi vlerësohet se është edhe arsyeja se pse deri më tash rezultati i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është i barabartë me zero. E, kur bëhet “incizimi ” i krejt situatës del se edhe strukturat brenda gjyqësorit,prokurorisë dhe policisë janë mbrojtës dhe garantues të veprimit të pacenueshëm të krimit të organizuar në Kosovë.

ARKATANA

Të inkriminuarit i rezistojnë reformës

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, politika dhe drejtësia po barrikadohen për ta ruajtur një gjendje të tillë, prandaj edhe po e zvarritin miratimin e ligjit VETTING. Ai potencon se është fakt i keq për drejtësinë kosovare, që duke e shtyrë Vettingun sa më larg në kohë,gjyqtarët e prokurorët bashkë me politikën e inkriminuar po përpiqen të blejnë sa më shumë kohë dhe t’i fshehin pasuritë e tyre, derisa ta arrijnë të sigurojnë një qëllim të tillë kriminal në fshehjen e gjurmëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sidomos fshehjen e parave të gatshme nga korrupsioni, por edhe pasuritë e tjera të pajustifikueshme në patundshmëri – shtëpi, toka, troje, dhjetëra banesa, në Kosovë dhe jashtë saj, vetura dhe të tjera pasuri të luajtshme, prandaj këtu është burimi i krejt korrupsionit. “Me ligjin e VETTING-ut sigurisht se do të hetoheshin gjyqtarët dhe prokurorët e inkriminuar dhe do t’u konfiskohej pasuria e kundërligjshme, por dhe do të pastrohej sistemi i drejtësisë nga të inkriminuarit e të korruptuarit. Kështu që sado që mëtojnë për ta shtyrë Vetting-un sa me larg në kohë de fakto dhe de jure kjo nuk do t’u shërbejë në qëllimet e tyre, pasi ky ligj do të kryhet patjetër edhe me ndërhyrjen dhe presionin e faktorit ndërkombëtar, ngase sado që tentojnë të fitojnë në kohë, është fakt i pamohueshëm se sistemi i drejtësisë ka mjaft gjyqtarë e prokurorë që janë pasuruar kundërligjshëm dhe ata pashmangshëm duhet të pastrohen para ligjit”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Drejtësia në kthetrat e politikës

Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti konsideron se të gjitha reformat substanciale, që sjellin ndryshim efektiv në drejtësi, po bllokohen kryekëput për shkak të ruajtjes së interesit të ndikimit politik në drejtësi dhe të lidhjeve të ndryshme kriminale të grupeve të caktuara të interesit. “Nuk ka asnjë dyshim, dhe këtë fakt askush nuk mundë ta mohojë, sepse ka mjaft raste e fakte konkrete që flasin se drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe e dirigjuar ashpër nga politika. Këtë fakt e argumentojnë shumë hulumtime e raporte nga organizata vendore e ndërkombëtare, madje edhe këto më të rejat të fundit të këtij viti që i bënë organizatat vendore. Kjo logjikë e mbrapshtë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, e cila vepron nën kthetrat e politikës e jo brenda mandatit kushtetues e ligjor, ka prodhuar një gjendje kritike dhe anarkie në të gjitha institucionet e shtetit”, theksoi ai. “Prandaj, është koha për reforma gjithëpërfshirëse në këtë sistem me një model më të përpiktë të mundshëm, në mënyrë që standardi i mbrapshtë i funksionimit të institucioneve të drejtësisë të përfundojë njëherë e përgjithmonë, sa më shpejt e sa më mirë. Mirëpo, ky proces dihet që nuk fillohet e aq më pak të realizohet pa një vullnet politik që duhet t’i shtyjë proceset reformuese në sistemit e drejtësisë përpara. Tani është koha kur nevojitet edhe një presion më i madh i miqve ndërkombëtarë për ta marrë seriozisht reformimin funksional të këtij sistemi të kapur nga politike, sepse tani më shihet në shumë veprime sa thellë janë të kapur të gjithë mekanizmat kontrollues të sistemit të drejtësisë nga ana e politikës dhe grupeve të tjera të interesit, duke i pamundësuar të funksionojnë në mënyrë të pavarur hallkës së tërë zinxhirore të institucioneve kontrolluese të drejtësisë në të gjitha nivelet”, vijoi më tej Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas tij, sado që është vonuar Kosova në këtë proces, është moment i duhur dhe Kosova si shtet duhet të marrë për obligim reformat në sistemin e drejtësisë që janë një çështje kruciale, por mbarëvajtjen e të gjitha institucioneve publike.

(Kosova Sot)