Vetting, për drejtësinë e korruptuar të Kosovës
Sipas analistëve, pa një proces të tillë as të mos shpresojmë se vetvetiu do të vetëdijesohen prokurorët e gjyqtarët e inkriminuar në veprime të mëdha korruptive, sepse pasuria e tyre dhe jeta luksoze, të cilën e kanë krijuar për pak kohë prokurorët dhe gjykatësit, krijon dyshime se edhe ata janë pjesë e degradimit, korrupsionit, por edhe pjesë e krimit ekonomik dhe atij politik.
Inkorporimi i procedurave për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe vënia e kritereve më rigoroze për ta, apo siç njihet ndryshe edhe procesi i Vetting-ut, i ngjashëm siç ndodhi edhe në Shqipëri, po shihet si tejet i nevojshëm dhe domosdoshëm për sistemin e drejtësisë nga analistët dhe njohësit e kësaj fushe, pasi sipas tyre si asnjëherë më parë tani ka humbur besimi në drejtësinë e Kosovës. Procesi i Vetting-ut do bënte një ‘skanim’ të fortë të tërë sistemit të drejtësisë, duke spastruar Gjyqësorin e Prokurorinë nga të gjithë elementët negativë, dhe nga të korruptuarit pa etikë e integritet profesional. Vettingu do duhet të ishte i përmasave të tilla që t’i obligonte prokurorët e gjyqtarët për të treguar dhe dëshmuar me fakte prejardhjen e pasurisë që posedojnë, derisa nëse rezulton se e njëjta ka ardhur nëpërmes rrugëve joligjore të konfiskohej dhe t’i vinte ata para përgjegjësisë, në mënyrë që kësisoj të rikthehej veç tjerash edhe besimi i qytetarëve në drejtësi. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se si asnjëherë më parë ka humbur besimi në drejtësinë e Kosovës, e cila nuk u tregua e denjë në raport me zhvillimet politike dhe me vetë sistemin administrativ. Për fat të keq, sipas tij, drejtësia nuk arriti t’i kontrolloj defektet në bizneset e shumta, të cilat bëjnë veprimtari të pakontrolluara nga shteti, shkruan gazeta Kosova Sot
Munguan nismat serioze të reformimit
Dibrani thotë se drejtësia u tregua e ngathët dhe jo e gatshme për t’u përballur me rastet e krimeve të rënda ekonomike dhe politike.”Pasi deri më tash nuk kemi pasur një nismë serioze në reformimin e drejtësisë, e cila tashmë është dashur t’i japë rezultatet e para dhe të jetë tamam në ofensivë, duke i luftuar të këqijat e shumta, ajo jo vetëm që bën sehir, por si duket vetë përballet me krime të rënda, me korrupsion të lartë dhe ndonjë veprim që e ka implikuar në vepra kriminale dhe sidomos në dilema për vepra të rënda”, ka theksuar ai. “Sigurisht, frika nga ndëshkimi e ka bunkerizuar tërë sistemin e drejtësisë, që paralel me dikasteret tjerë as nuk e kanë ndërmend të reformohen dhe as të lëshojnë pe për të nisur iniciativa ligjore për procesin e Vetting-ut, i cili fillimisht duhej ta bënte kontrollin e rreptë në sistemin e drejtësisë e më pas të kalonte edhe në sektorët e tjerë qeverisës, sepse pa një proces të tillë as të mos shpresojmë se vetvetiu do të vetëdijesohen prokurorët e gjyqtarët e inkriminuar në veprime të mëdha korruptive”, ka vijuar më tej Dibrani, duke shtuar se pasuria e tyre dhe jeta luksoze të cilën e kanë krijuar për pak kohë prokurorët dhe gjykatësit krijon dyshime se edhe ata janë pjesë e degradimit, korrupsionit, por edhe pjesë e krimit ekonomik dhe atij politik.”Proceset e nisura vazhdimisht po shoqërohen me ndonjë spektakël mediatik, i cili po ashtu përmbyllet, bashkë me sekuencat televizive apo shkrimin në gazetë, derisa nismat ligjore për një proces Vettingu në drejtësinë kosovare është i domosdoshëm, sepse e keqja më e madhe për këtë ngecje dhe degradim të tërë sistemit është sistemi i drejtësisë, i cili si duket vetë është pjesë e krimit ekonomik dhe politik në vend”, është shprehur Dibrani.
Duhet ndryshuar edhe sistemi arsimor
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se nëse duam të kemi një vetting të tillë si në Shqipëri, ne fillimisht duhet të kemi substancë që nënkupton se duhet ndërruar rrënjësisht sistemin e arsimimit dhe edukimit në fakultetet e drejtësisë, por edhe në të gjitha profesionet në universitete, gjegjësisht në arsimin e lartë universitar, qoftë ai publik apo privat, në mënyrë që më pastaj, sipas tij, të ketë mundësi që gjatë procesit të selektimit, pasi ligji për vettingun e ka atë qëllim që thjeshtë të nxjerrë personalitete, të nxjerrë figurën e pastër, të ndershme, të dijshme e të kualifikuar të bartësve të institucioneve të drejtësisë dhe gjyqësisë për t’i emëruar pastaj ata në procedura.”Por, problemi është se ne do duhej ndryshuar substancialisht dhe reformuar sistemin e arsimit në mënyrë që të nxjerrim kuadro shumë më të përgatitura dhe të kërkojmë dhe vëmë kritere për të kërkuar edhe më shumë përvojë, dije dhe të kalohet nëpër filtra të caktuar të ndershmërisë, kredibilitetit dhe të figurës së shëndoshë në kuptimin e antikorrupsionit. Pra, kjo do duhej bërë nëse ne dëshirojmë të bëjmë vettingun dhe të fillojmë e t’i spastrojmë, pasi nuk mund t’i spastrosh njerëzit, sepse nuk ke as çka të marrësh apo lësh, ngase ne kemi nevojë për secilin dhe nuk ka njeri të pagabueshëm, por kemi nevojë që të kemi më të mirë mbi më të mirët derisa kjo është esenca dhe qëllimi që do duhej të ketë një reformë e mirëfilltë edhe në frymën e asaj për vettingun”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Mazllum Baraliu./kosova sot/


