UBT

Vetëvritet 17-vjeçarja

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Një 17-vjeçare nga Kukësi i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë me pistoletën e të atit, i cili është efektiv i Policisë së Qarkullimit Rrugor. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në lagjen nr.4 të qytetit verior, raporton BalkanWeb.

Mësohet se Pranvera Sula, nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin “Havzi Nela”, e mori vendimin fatal në një moment të thellë depresiv.

Dyshohet se 17-vjeçarja kishte lidhje miqësie të ngushtë me ish-futbollistin Ilirian Thaçi, i cili humbi jetën tri ditë më parë.

Sipas dëshmive të banorëve, vajza ka qenë e vetme në banesë kur ka qëlluar veten me pistoletë, ndërsa krisma e armës është dëgjuar nga fqinjët, të cilët, të alarmuar e kanë transportuar menjëherë vajzën në spitalin e Kukësit.

RCCOLA

Megjithëse ka mbërritur e gjallë në spital, ajo nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së vetme të marrë në bark. Burime nga spitali i Kukësit, thonë se Pranvera iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale prej 6 orësh, por pa mundur ta rikthejnë në jetë, për shkak të hemorragjisë së madhe të shkaktuar nga plumbi në bark.

Vetëvrasja e vajzës ka tronditur familjen, pasi ata nuk kanë ditur dhe nuk kanë vërejtur ndonjë shqetësim tek vajza e tyre që mund ta çonte në kryerjen e këtij akti. Pranvera Sula, njihej si një vajzë e qetë dhe shumë e sjellshme, me rezultate të shkëlqyera në shkollë.

Ndërsa shokë të gjimnazistes, pohojnë se Pranvera kishte një lidhje miqësie me futbollistin Ilirian Thaçi, që humbi jetën pasditen e 30 nëntorit nga një atak kardiak, ndërsa ishte duke luajtur në fushë. Duket se vdekja e mikut të saj e ka hidhëruar së tepërmi 17-vjeçaren, duke bërë që në një moment dhimbjeje, të vetëvritet.

Edhe Iliriani ishte nxënës i vitit të dytë në shkollën “Havzi Nela”.