Fundamenti

Vetëvrasja e ish-ushtarëve, pasqyrë e zezë për Kosovën

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Fenomeni i vetëvrasjes të ushtarëve të UÇK-së në kohë “paqeje”, i cili arrin në 44 sish që nga përfundimi i luftës, është pasqyra më e zezë e institucioneve shtetërore.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të UÇK-së, kjo është pasqyra më e zezë e politikës, e drejtësisë, e humanizmit dhe e demokracisë së institucioneve shtetërore dhe shoqërore të Kosovës, të cilat e mbajnë përgjegjësinë morale, ligjore dhe kushtetuese për braktisjen dhe për mosmbështetjen e gjithanshme ekzistenciale të ish- ushtarëve të UÇK-së.

Madje drejtuesit e këtij këshilli kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se kështu nuk shkohet përpara dhe nëse nuk punohet në këtë drejtim, “durimit për çdo ditë po i vjen fundi”.

Nga ana tjetër ky shqetësim është ngritur edhe nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se është mjaft shqetësuese rritja e numrit të vetëvrasjeve që nga viti 1999 e këndej.

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se qysh prej përfundimit të luftës institucionet tona pothuajse nuk janë marrë fare me veteranët e Luftës edhe përkundër reagimit disa herë rreth këtij problemi.

“Shkaku i anashkalimit nga institucionet, deri më sot 44 veteranë kanë bërë vetëvrasje, rasti më i freskët ishte në Dragash. Unë disa herë e kam ngritur zërin rreth kësaj çështje ngase vazhdimisht kam marrë mesazhe nga veteranët e luftës se do të bëjnë vetëvrasje. Mirëpo, ka qenë e kotë askush nga qeveritarët nuk është marrë me këtë problem, bile as nuk më kanë pyetur se kush janë ata të cilët të dërgojnë mesazhe”, është shprehur i zhgënjyer Qeriqi. Sipas tij, kjo tregon se në çfarë situate janë veteranet e luftës.

“Institucionet thuajse asgjë në këtë drejtim nuk kanë bërë. Kjo është pasqyra më e zezë e politikës, e drejtësisë, e humanizmit dhe e demokracisë së institucioneve shtetërore dhe shoqërore të Kosovës, të cilat e mbajnë përgjegjësinë morale, ligjore dhe kushtetuese për braktisjen dhe për mosmbështetjen e gjithanshme ekzistenciale të ish- ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë Qeriqi duke u apeluar qeveritarëve që të punohet për vlerat e luftës sepse gjërat nuk po shkojnë si duhet.

Ai ka thënë se nëse nuk marrin hapa konkretë në këtë drejtim, kjo dukuri do të vazhdojë edhe tutje.

Eco Higjiena

“Por një gjë mund t’u them se kështu nuk shkohet përpara… nëse nuk punohet në këtë drejtim durimit për çdo ditë po i vjen fundi”, ka thënë Qeriqi.

Ndërkohë, sipas deputetit Haxhiu, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani qysh para dy vitesh në takim me shoqatat e dala nga lufta u ka premtuar ndërtimin e një qendre rehabilituese për ish- luftëtarët e UÇK-së me probleme post-traumatike, të cilin siç ka thënë Haxhiu, nuk e ka realizuar ende.

“Ndërtimi i kësaj qendre është domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Faktori kryesor që ka çuar deri të vetëvrasjet, janë më së shumti traumat e luftës”, ka thënë Haxhiu.

Sipas tij numri i vetëvrasjeve në Kosovë që nga paslufta është tepër shqetësues prandaj një qendër e tillë rehabilitimi është më se e domosdoshme jo vetëm për ish- ushtarët, por për të gjithë ata që janë traumatizuar gjatë luftës.

E, në anën tjetër udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, ka thënë se prej se ka ardhur kryeministri Hashim Thaçi në qeveri janë ngritur pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve qind për qind.

“Tashti jemi në rrugë të mbarë edhe pse me vonesë, që vetëm të dihet numri i saktë i veteranëve dhe të realizohet skema pensionale për të gjithë veteranët. Po ashtu jemi në rrugë të mbarë që të kemi një ligj të mirë për këto kategori dhe të kemi trajtim sa më të mirë ashtu si i trajtojnë vendet e tjera këtë kategori”, ka thënë Fazliu.

Gjithashtu sipas tij, është dashur të bëhet më shumë për këto kategori edhe nga qeveritë e kaluara, mirëpo siç ka thënë ai, e kemi parë ligjin për vlerat e luftës që disa herë është miratuar nga Kuvendi, porse ky ligj ka qenë vetëm në letër, ndërkaq në praktikë asnjëherë nuk është zbatuar./Indeksonline/