RCCOLA

Vetëvendosje thotë se pa ikë “Qeveria e Rashkës” s’ikë as Vuçiqi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar vizitën e sotme të Aleksandar Vuçiqit, për të cilin ka kujtuar se ka qenë ish zyrtar i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, ish Ministër për Informim i Qeverisë së Milosheviqit dhe kryeministër aktual i Serbisë.

Vetëvendosje kujton se ai nuk mori leje nga askush, por e mori gjysmën e kabinetit të tij me vete, dhe në mes të Kosovës tha se: “Këtu është djepi jonë (i serbëve) dhe askush nuk mund të na ndalojë që edhe tutje fëmijët të lindin këtu”, duke aluduar që këtë ua ndalojnë shqiptarët.

“Nga lufta e fundit në Kosovë e viteve 1998-1999, u vranë ose zhdukën nga forcat e Serbisë 1090 fëmijë shqiptarë, prej të cilëve 185 ishin më të vegjël se 7 vjeç. Qeveria e Serbisë në të cilën ka shërbyer atëbotë vetë Vuçiqi ka qenë ajo që ka kryer gjenocid mbi popullin shqiptar, kurse eshtrat e të pagjeturve akoma nuk po kthehen nga Qeveria të cilën tash e udhëheq po ky Vuçiqi”, ka thënë Vetëvendosje, përmes një njoftimi me shkrim.

KKGJILAN

Sipas LVV-së, vizita e Vuçiqit në Kosovë është vetëm simbolika e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe luftës së saj të pandalur për gjymtimin e Kosovës si shtet.
“Përmbajtjesorja është puna e strukturave paralele e kriminale të Serbisë, të cilat janë legalizuar dhe amnistuar me Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Derisa Vuçiqi si vizitor në Pasjan është dekor provokues, pas 9 dhjetorit 2014 me marrëveshjen Mustafa-Thaçi-Jabllanoviq për një ‘Qeveri të Rashkës’, ai është bërë faktor vendimmarrës brenda Kosovës”, ka shkruar Vetëvendosje.

Kjo lloj deklarate, shkruan LVV-ja, kjo lloj vizite, përcjellë me gjithë pompozitetin dhe ikonografinë e njëjtë, është vetëm simptomë e të njëjtës sëmundje nga e cila lëngon Kosova: dialogu pa kushte e pa reciprocitet me Serbinë, në dëm të vazhdueshëm të sovranitetit, integritetit territorial dhe rregullimit kushtetues e administrativ të vendit.

“Këtë dialog është zotuar që do ta vazhdojë dhe do ta mirëmbajë zellshëm edhe Isa Mustafa, Kryeministri i ‘Qeverisë së Rashkës’. Për deri sa kemi këso qeverish të cilat prioritet e kanë pasurimin vetanak, familjar e klanor dhe për këtë nuk zgjedhin mjete, vendin do ta kemi të pambrojtur edhe ndaj degradimit politik që po na e bën Vuçiqi e Jabllanoviqi, edhe nga ai ekonomik në formë të varfërisë, që po bëhet shkak për ikjen masive të qytetarëve jashtë”, shkruan kjo parti.