Eko Higjiena

Vetëvendosje akuzon Qeverinë dhe opozitën për dialogun me Serbinë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ka filluar me akuza në drejtim të kryeministrit, Hashim Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, kjo parti opozitare ka akuzuar edhe partitë opozitare, që siç thonë ata po i bashkohen karvanit të Qeverisë së Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se mbrëmë kryeministri Hashim Thaçi ka darkuar me kryeministrin serb Ivica Daçiq, për kompromiset që po i bëhen Kosovës.

Madje, ai kryeministrin Thaçi e ka quajtur një Azem Vllasi të dytë në këtë kohë.

“Të ia besosh këtij njeriu mbrojtjen e interesit të Kosovës, është sikur të ja besosh “ujkut se do të i ruaj delet”. Kësi opozite do të kishte ëndërruar për liderë qeveritar autoritar tipi i Llukashenkos, një opozitë që e përkrah Qeverinë bllanko dhe gratis. Opozitë e cila nuk e sfidon Qeverinë, por i nënshtrohet asaj. Zonja dhe zotërinj kryeministri Thaçi është një lloj Azem Vllasi i kohës tonë. Ju e mbani mend Azem Vllasin kur ishte koha të mbronte autonominë, ai nuk e mbrojti as republikën, në këtë mënyrë, Thaçi nuk po e mbron planin e Ahtisaarit, e lëre Republikën e Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Por për këtë kanë reaguar drejtuesit e Lidhjes Demokratike e Kosovës, duke i quajtur fyese dhe dëmshme deklaratat e kësaj lëvizje.

Uji Dea

“Konjufca në deklarimin e tij shpifi, ai mund të fol vetëm në emër të Lëvizjes Vetëvendosje. LDK ka thënë vazhdimisht se dialogu me Serbinë duhet të ndodhë, mirëpo me obligime në mënyrë që mos të preket sovraniteti dhe në fund Kuvendi të vendos për çdo marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.

Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi shprehu mospajtimin me deklaratat e Konjufcës për opozitën.

“Edhe unë s’pajtohem me atë që tha Glauku, gratis. Unë nuk besoj që ka shërbime gratis”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, gjatë vazhdimit të deklarimeve të lira, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu akuzoi televizionin publik, për shkelje të Ligjit për RTK-në, duke i bërë thirrje Bordit të RTK-së që të kontrollojë dhe penalizojë shkelësit, ndërsa nga Kryesia e Kuvendit i bëri thirrje që të kërkojë llogari çka po ndodhë me menaxhmentin e RTK-së.

Kuvendi në rend dite ka për shqyrtim të parë tri projektligje, Projektligjin për investimet e huaja, atë për Avokaturën Shtetërore dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil. Po ashtu, në rend dite është edhe ratifikimi i vendimit të Qeverisë për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të Universitetit të Pejës.