Fundamenti

Vetëvendosja ia “then” Thaçit

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Adrian Çollaku -Pamja kur mikrofoni i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili tërhiqej herë nga “pronari” i saj, Jakup Krasniqi, e herë nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, do të mbahet gjatë në mend. Natyrisht për të keq.

Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” duke u munduar që me çdo kusht të pengonin ratifikimin në Kuvend të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte arritur në Bruksel më 19 prill ndërmjet dy kryeministrave, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, bënë veprime të nxitueshme dhe të pamenduara mirë. Madje, edhe jodemokratike.

Është krejt në rregull që Lëvizja “Vetëvendosje” të jetë kundër marrëveshjes, ashtu siç janë edhe shumë qytetarë të Kosovës. Është krejt në rregull që marrëveshja të kundërshtohet me mjete ligjore e demokratike, siç e bënë edhe tre deputetët tjerë që ishin prezent në seancë të Kuvendit të Kosovës. Është krejt në rregull që marrëveshja të kundërshtohet edhe në rrugë, përmes protestave. Është krejt në rregull që secili deputet, secili qytetar i Kosovës ta shprehë lirshëm mendimin e vet për secilin problem, për secilën çështje…

Mirëpo, nuk është në rregull dhe është mënyrë jodemokratike “uzurpimi” i karriges së kryetarit të Kuvendit. Nuk është në rregull pengimi i hyrjes së deputetëve në ndërtesën e Kuvendit. Nuk është në rregull pengimi i pjesëmarrjes në seancë të diplomatëve të huaj…

Me këto veprime, deputetët e “Vetëvendosjes” pos që nuk kanë arritur të pengojnë ratifikimin e marrëveshjes, vetëm sa ia kanë “thyer” kryeministrit Hashim Thaçi.

Fundamenti

Nuk është aspak në rregull që të pengohet liria e tjetrit – e atyre deputetëve që dëshironin të hyjnë në sallën e kuvendit – ku e kanë edhe obligim ligjor që të shkojnë. Nuk është në rregull një sjellje gati se e dhunshme për të ndalur rrugën e ambasadoren amerikane apo të cilitdo shtet tjetër. Është gati se skandal diplomatik ky.

Të gjitha këto veprime bëhen edhe më pak të arsyeshme dhe të pajustifikueshme kur dihej, edhe “Vetëvendosje” e dinte se rezultat nuk do të ketë. “Vetëvendosje” e dinte se Marrëveshjen nuk do të arrijë ta ndalë, atëherë pse të shkaktojë dëm shtesë, përveç atij që e prodhon marrëveshja.

Deputetët e “Vetëvendosjes”, me veprimet e djeshme vetëm sa ia kanë shtuar poenët politikë Thaçit, jo vetëm te bashkësia ndërkombëtare, por edhe te qytetarët kosovarë. Kryeministri Thaçi pas këtyre veprimeve të pamatura të “Vetëvendosjes”, po tregohet aleati i vetëm i shteteve perëndimore dhe ai, i cili po “heq të zitë e ullirit” për t’i “kaluar” shumë çështje të rëndësishme për të mirën e Kosovës dhe të rajonit.

Zgjedhja e formave jodemokratike të pengimit të disa proceseve, si ajo e djeshmja për ratifikimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, vetëm sa do ta forcojë kryeministrin Thaçi dhe partinë e tij.

Me një fjalë, Kurti me deputetët e tij e amnistuan edhe më shumë këtë qeverisje, e cila nuk do mend se është e degraduar dhe se po e dëmton shtetin tonë çdo ditë e më tepër.