Veteranët humbin durimin!

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Në Projektbuxhetin e vitit 2014 Qeveria e Kosovës ka ndarë 292 milionë euro për kategoritë sociale, përshirë këtu edhe invalidët e luftës dhe ish- të burgosurit politikë, por nuk janë specifikuar veteranët e Luftës së UÇK-së.

Mospërfshirja e ish-guerilëve në buxhetin e vitit të ardhshëm ka revoltuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët kanë paralajmëruar revoltë kundër qeverisë.

Kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, për këtë anashkalim ka akuzuar ministrin e FSK-së, Agim Çekun, duke thënë se ky është i vetmi fajtor për mosverifikimin e veteranëve të luftës. Ai tha se qeveria mund të justifikohet se nuk ka ndarë mjete për veteranët, sepse nuk ka përfunduar procesi i verifikimit.“Prandaj kjo nuk ka justifikim. Mosverifikimi i veteranëve është papërgjegjësi totale e kreut të komisionit, Agim Çekut dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Xhemajli.

RCCOLA

“Realisht Agim Çeku ka përgjegjësi morale, institucionale dhe ligjore që ta bëjë këtë verifikim, ndonëse ishte vetëm në fund të luftës i përfshirë në të, madje në strukturat udhëheqëse të UÇK-së ka pasur pozita të larta, prandaj obligimi i tij moral është i pashmangshëm për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Xhemajli.

Nga ana tjetër Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se janë në organizim e sipër që të kërkojnë nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa që t’i kërkojë Qeverisë ndryshimin e këtij projektbuxheti, me qëllim që të ndajë mjete për veteranët e luftës.

“Ne do të shikojmë a do të ndahet ky buxhet apo jo, në rast se nuk do të ndahen mjete për vitin 2014, atëherë nuk ka rrugë tjetër pos radikalizmit të veteranëve, sepse janë shtjerrë të gjitha rrugët tjera për t’i përmbushur kërkesat e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë Qeriqi…(Zëri)