KKVITI

Vetëmashtrimi si botëkuptim

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerim Shala: I hedhim kështu hi syve vetes. Sepse nuk duam të shohim se çka po ndodh me ne. E pastaj na kanë faj të tjerët.

Nuk jemi të gatshëm akoma të përballemi me historinë a të kaluarën tonë, me atë të njëmendtën, nuk duam ta shohim në sy as të tashmen, atë të vërtetën, dhe jemi të akomoduar në një lloj botëkuptimi vetëmashtrues, në një kulturë të gënjeshtrës dhe të iluzionit, të cilat na dëmtojnë ne dhe vetëm ne.

Kësisoj, nuk mund dot të marrim vesh se çka na pret në të ardhmen. Dhe as të përgatitemi për te. Kur të na vijë ajo, do të shohim se çka mund të bëjmë me te. Dhe me vetveten.

Shembuj të këtij botëkuptimi ku e rrejmë veten, ka sa të duash. Këtu mund të spikaten tri prej tyre.

I pari është më i rëndi, ai është i vazhdueshëm, na përsëritet në çdo qershor, në muajin kur Kosova u bë e lirë, në vitin 1999.

Mund të ketë një lloj justifikimi (edhe pse edhe këtij i ka skaduar afati i përdorimit qëmoti), që ngjarjet e vitit 1878 në Prizren apo ato në vitin 1912 në Shkup dhe në Vlorë sot e kësaj dite nuk i kemi kuptuar si duhet, dhe ato nuk jemi në gjendje t’i vendosim në kontekstin politik dhe historik të kohës, por nuk na falet assesi që kemi pranuar ta falsifikojmë historinë tonë të re, të krijojmë data false të çlirimit të qyteteve dhe të gjithë Kosovës, që prej qershorit të vitit 2000 e këndej. Dhe nëse nuk pyesim veten me sinqeritet se për çka bëhet fjalë, nëse nuk braktisim sa më parë këtë qasje, gjeneratat pas nesh do ta krijojnë një perceptim të gabuar dhe të paqëndrueshëm për ngjarjet në muajin më të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.

Ta zëmë, Prishtina fare gabimisht, feston 11 qershorin (1999) si ditë të çlirimit të vet!

Si është e mundur që atë ditë Prishtina të ketë qenë e lirë, nëse atë mbrëmje, pos forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës, patën mbërritur këtupari, në misionin e mbrojtjes së ‘Kosovës serbe’ edhe trupat ruse nga Bosnja e Hercegovina?

Si është e mundur që 11 qershori kremtohet si ditë e tillë, kur ajo ditë dhe ajo mbrëmje kanë shënuar kulminacionin e tmerrit, me shqiptarë të vrarë!!!

Trupat serbe, në bazë të Marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, kanë qëndruar në Prishtinë dhe në Veri të Kosovës deri me 20 qershor (1999), ndërsa KFOR-i ka hyrë në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit të 12 qershorit.

Logjika e thjeshtë e thotë, e lëre më një analizë e qëndrueshme politike dhe historike, që Prishtina nuk ka mundur të jetë e lirë a e çliruar, derisa një forcë (ushtar, polic, paramilitar) e Serbisë ka qëndruar këndejpari.

Kjo do të thotë, shkurt e shqip, që dita e çlirimit të Prishtinës dhe e Kosovës është 20 qershori, e jo 11 dhe 12 qershori si festohet tash e 12 vjet me radhë.

Qytetet veç e veç të Kosovës mund t’i kenë datat e veçanta të çlirimit, duke ditur orarin e largimit të trupave serbe, gjë që vlen për shumë qytete të Kosovës, por në rastin e Prishtinës dhe të Kosovës, jemi duke bërë gabim të madh me datat aktuale të paqena të çlirimit të tyre, pra, me 11 dhe 12 qershorin.

KKVITI

12 qershori mund të kodifikohet si Dita e NATO-s në Kosovë, ndërsa 20 qershori, si Dita e Çlirimit të Prishtinës dhe Kosovës.

Mbase, Kuvendi i Kosovës do të duhej të diskutonte për këtë çështje. Për hirë të brezave të ardhshëm, tek e mbrama. Sepse mund të na tallin ata që do të vinë pas nesh.

Shembulli tjetër, fare i freskët i kësaj qasjeje vetëmashtruese, është ai që ka të bëjë me numrin e shteteve që kanë njohur Republikën e Kosovës prej 17 shkurtit 2008 e këndej.

Deri pak ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka gënjyer së pari veten (sepse nuk është që nuk e kanë ditur si është puna), e pastaj edhe neve, që Kosova është pranuar prej 91 shteteve anëtare të OKB-së, e në fakt, ky numër është 89-të, sepse njohja e mirëfilltë akoma nuk ka mbërritur prej dy shteteve afrikane, Nigerisë dhe Ugandës.

Pati edhe interpretime letraro-kreativo-fantastike, prej një zyrtari të Qeverisë së Kosovës, që madje numri i shteteve që na kanë njohur është 105, sepse aq shtete kanë votuar për anëtarësimin tonë në Fondin Monetar Ndërkombëtarë.

Gjë prej gjëje nuk mbërrihet duke luajtur me numrat e shteteve që na kanë njohur, pos që bëhemi përrallë para vetes dhe para të tjerëve, duke treguar që jemi akoma larg të qenit një shtet serioz.

Po disi jemi akomoduar brenda këtij mashtrimi që ia bëjmë vetes, ndihemi rehat, nuk na brenë fare ndërgjegjja dhe mendojmë që mund të vazhdojmë edhe tash e tutje në të njëjtën mënyrë, pa pasur fare pasoja.

I ngjet kjo gjendjes së një të sëmuri serioz, që i beson përshtypjes dhe bindjes së tij që i ka punët mirë me shëndet, ndërsa të gjitha analizat dalin që atë e ka përfshirë një sëmundje e rëndë.

Që diçka, thënë më mirë, shumëçka nuk është në rregull me aftësinë për ta parë të vërtetën nga Qeveria e tashme e Kosovës, kjo konfirmohet edhe me shembullin e tretë që flet në dobi të ‘pasqyrës së thyer’ të politikës kosovare. Autoritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës (nuk ke si të mos e klasifikosh në këtë mënyrë Zëvendës-Kryeministrin e parë), kanë paralajmëruar që Kosova shumë shpejt do të mund të aplikojë për anëtarësim në OKB, ndërsa edhe kosovarët që nuk kanë farë vullneti të madh me u marrë me procedurat e kësisojta, e dinë shumë mirë që diçka e tillë aktualisht, është thjeshtë e pamundshme.

I hedhim kështu hi syve vetes. Sepse nuk duam të shohim se çka po ndodh me ne.

E pastaj na kanë faj të tjerët.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)