Vetëm Specialja e shthur Kosovën nga kapot e krimit

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre se në Kosovën e sotme njerëzit e rëndomtë dënohen për gjërat më të vogla, derisa asnjëherë deri më tani nuk ndodhi të dënohen edhe pushtetarët dhe matrapazët, milionerët e njerëzit e nëntokës politike, duke u dhënë kësisoj përparësi atyre, të cilët kanë mundësi ta “blejnë” drejtësinë.
Salihaj: Prokuroria vendore nuk do të bëjë asgjë për t’i dërguar prapa grilave ‘peshqit e mëdhenj’.
“E para, pushtetarët dhe nëntoka politike e kanë në dorë dhe e kontrollojnë komplet sistemin e drejtësisë, ndërsa e dyta, milionerët dhe matrapazët i blejnë prokurorët dhe gjyqtarët me para. Andaj, përderisa të jetë kështu dhe pa funksionimin e shtetit ligjor dhe pa sundim të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët njësoj, asnjëherë nuk mund të ketë demokraci të avancuar, ashtu siç është në vendet e zhvilluara perëndimore”, shprehet analisti Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur shqetësimin e tyre se në Kosovën e sotme njerëzit e rëndomtë dënohen për gjërat më të vogla, derisa asnjëherë deri më tani nuk ndodhi të dënohen edhe pushtetarët dhe matrapazët, milionerët e njerëzit e nëntokës politike, duke u dhënë kësisoj përparësi atyre, të cilët kanë mundësi ta “blejnë” drejtësinë.
Andaj për të ndryshuar këtë realitet, analistët mendojnë se vetëm Gjykata Speciale mund të pastrojë ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës dhe tek më tutje Prokuroria dhe gjyqësia vendore të ‘marrë pak zemër’ për të ndëshkuar edhe zyrtarët e tjerë më të ulët dhe oligarkët e bizneseve, që shkatërruan shtetin duke vjedhur përmes tenderëve e formave të tjera.
Burime ndërkombëtare kanë siguruar se të gjithë emrat e përmendur në raportin e Dik Martit do të dalin në bankën e të akuzuarve, mirëpo shtrohet pyetja deri kur Prokuroria vendore do të hezitojë të merret me krimin e organizuar politik e mafioz?
Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se Prokuroria vendore nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë asgjë, madje as hapin më të vogël për të dërguar prapa grilave ‘peshqit e mëdhenj’, pasi siç tha ‘peshqit e mëdhenj’ janë shefat e Prokurorisë, derisa, sipas tij, në këto kushte as që duhet menduar se mund të ndiqen penalisht ‘peshqit e mëdhenj’. “Vetëm Gjykata Speciale mund të bëjë diçka në shthurjen e Kosovës nga kapot e krimit. Por, të them sinqerisht unë nuk kam shumë besim as në Gjykatën Speciale, sepse mund të bëhen lojëra të llojllojshme, që faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë t’i arrijnë qëllimet e tyre, duke shantazhuar kriminelët dhe kapot e tyre. Kosova është e stërmbushur me krim të të gjitha llojeve, madje është bërë kazan i fëlliqtarëve, duke iu falënderuar ndërkombëtarëve, pasi ndërkombëtarët kanë përdorur të gjitha mënyrat për t’i sjellë në krye të shtetit njerëzit e sojit më të keq të Kosovës,vetëm e vetëm që t’i arrijnë qëllimet e tyre në rajon dhe më gjerë”, është shprehur Salihaj.
Milionerët matrapazë dhe njerëzit e nëntokës politike mbesin të pandëshkuar Ndërsa analisti Florim Zeqa thotë se në Kosovën e sotme njerëzit e rëndomtë dënohen për të gjitha gjërat e vogla, madje edhe për ato më banalet, por asnjëherë deri në ditët e sotme, siç tha, nuk ndodhi të dënohen edhe pushtetarët dhe matrapazët, milionerët e njerëzit e nëntokës politike, dhe kjo, sipas tij, për dy arsye të vetme. “E para, pushtetarët dhe nëntoka politike e kanë në dorë dhe e kontrollojnë komplet sistemin e drejtësisë, ndërsa e dyta, milionerët dhe matrapazët i blejnë prokurorët dhe gjyqtarët me para. Andaj, përderisa të jetë kështu, dhe pa funksionimin e shtetit ligjor dhe pa sundim të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët njësoj, asnjëherë nuk mund të ketë demokraci të avancuar ashtu siç është në vendet e zhvilluara perëndimore”.
Zeqa thotë se fillimi i punës së Gjykatës Speciale qytetarët e Kosovës i gjen mes shpresës dhe dilemës për pastrimin e skenës politike nga ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të shkuar tutje me prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, për të vazhduar më pas me ndëshkimin edhe të zyrtarëve të tjerë më të ulët dhe oligarkëve e bizneseve, që shkatërruan shtetin duke vjedhur përmes tenderëve dhe formave tjera të keqpërdorimeve. “Edhe përkundër kërkesave dhe sugjerimeve të vazhdueshme të miqve ndërkombëtarë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, akoma Prokuroria vendore heziton të merret me krimin e organizuar të mafio-politikës, po ashtu kontrabanduesve dhe matrapazëve të llojeve të ndryshme. Nëse nisemi nga parimet se stabiliteti politik i një shteti buron nga drejtësia, kur të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, atëherë shteti i Kosovës është shumë larg arritjes së këtyre dy objektivave fundamentale për të pasur një shoqëri të lirë dhe demokratike, në kuptimin e plotë të fjalës”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa./kosova sot/