Vetëm me VETTING krijohet brezi i ri i drejtësisë
Dilemat se a ka shpresë dhe mundësi reale që Kosova të krijojë një brez të ri nga e para të prokurorëve dhe gjyqtarëve të painkriminuar, të shkolluar dhe të aftë e me etikë dhe integritet profesional, të cilët do të zëvendësonin më pastaj të gjithë të korruptuarit e të inkriminuarit ekzistues në sistemin e drejtësisë, ende mbeten të forta sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë.
Ata thonë se në këtë drejtim do duhej veç të tjerash që të ketë një lloj ‘Vetting’-u si në Shqipëri, që të filtrohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe ata, të cilët nuk e kalojnë atë filtër në mënyrë automatike të zëvendësohen me kuadro të reja. Analistët thonë po ashtu se përzgjedhja e tyre do duhej të bëhej në mënyrë meritore dhe korrekte pa interferim e ndikim nga mafio-politika e mafio-oligarkia e korruptuar dhe e inkriminuar e shtrirë gjithandej në gjykata dhe prokurori, në KGJK, KPK, si dhe në legjislativ e ekzekutiv, që kanë kapur shtetin, duke mos lejuar të ecet para në forcimin e sundimit të ligjit e rendit për një shtet të së drejtës. Por, për këtë dhe atë se kush do të mund ta bënte këtë punë larg korrupsionit e krimit të organizuar në institucionet e vendit, dhe a mund të gjinden së paku “heronjtë e drejtësisë” për t’ ia kthyer shpresën dhe besimin e qytetareve të humbur tash e shumë vite me radhë në drejtësinë e tashme kosovare, flet shkrimi në vijim.
Ndikimi i madh i mafio-oligarkisë
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se deri më tash në sistemin e drejtësisë politika i ka përzgjedhur dhe ka ndikuar në të emëruarit në sistemin e drejtësisë gjithashtu, siç tha, pa lënë anash as KGJK-në e KPK-në, duke i vendosur njerëzit e vet për të qenë më vonë drejtësia e kapur prej tyre dhe për interesa të politikës, derisa, sipas tij, kështu edhe mund të thuhet se ka rrjedhur edhe degradimi i sistemit të drejtë- sisë.
Por, Kelmendi nënvizon se mbase në të ardhmen do të duhej një përzgjedhje pa interferimin e politikës në këtë drejtim dhe mbase pa asfarë ndikimi politik, teksa siç tha është imperativ që domosdoshmërisht në sistemin e drejtësisë të inkuadrohen kuadro të afta, njerëz të rinj gjyqtarë e prokurorë të painkriminuar e të pastër dhe të aftë profesionalisht, e që krejt kjo do të ishte e dobishme për sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e tij nga ndikimet e politikes dhe inkriminimit të saj. “Por, mafio-oligarkia dhe mafio-politika e kanë shtrirë ndikimin e vet edhe në gjykata e prokurori, duke e lënduar kështu pavarësinë e drejtësisë dhe dukshëm duke e shtrirë ndikimin e vet edhe në gjykata e prokurori, dhe në anën tjetër, duke e penguar kështu për kaq vite forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimin e rendit dhe ligjit, dhe kjo sistematikisht e ka degraduar sistemin e drejtësisë, por dhe mbase potencialisht edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Përndryshe vetëm një klasë politike e përgjegjshme që do të vinte në pushtet do të mund të pastronte drejtësinë nga të inkriminuarit e të korruptuarit, duke e parë sistemin e drejtësisë në dobi për vendin, të pavarur dhe të fuqishëm në sundim të rendit dhe ligjit pa ndikimet e politikës”, theksoi Kelmendi./kosova sot/


