Vetëm 2 vjet burg burrit që ia nxori syrin gruas

Më mbylli jetën, më nxori syrin, ky ësh të një dënim i pamjaftueshëm. Tani jam në një qendër për gratë, kam frikë për veten e për fëmijët”. Ky është rrëfimi dëshpërues i Hyrije Brukës për “Gazetën Shqiptare”, gruas që ra viktimë e dhunës bashkëshortore.
Qazim Bruka, njeriu që i nxori syrin gruas nga goditjet me thikë, do të qëndrojë vetëm dy vite prapa grilave.
Gjykata e Tiranës e cilësoi fajtor Brukën për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” të ish – bashkëshortes Hyrije Bruka dhe dënoi me tre vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar burrit iu ul një e treta e dënimit.
Në verdiktin e firmosur nga gjykatësja Ardiana Bera thuhet se “Qazim Bruka do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme”. Po e njëjta gjykatë, dënoi pak muaj më parë dhe Hyrije Brukën, e cila e goditi më sëpatë bashkëshortin Qazimin për ta vrarë, pasi nuk duronte më dhunën fizike mbi veten dhe fëmijët.
Gruaja bashkë me katër fëmijët e mitur ndodhet në një qendër për gratë e dhunuara. Duket se për momentin siguria e saj dhe e fëmijëve të vegjël është e zgjidhur, pasi bashkëshorti dhe babai dhunues është mbyllur prapa hekurave. Por, shpejt ai do të rifitojë lirinë dhe rreziku për gruan dhe fëmijët do të bëhet sërish evident. /Telegrafi/