RCCOLA

Vetëdije e re e shqiptarëve

/ 9 minuta lexim

Politikanë drejtues shqiptarë në Ballkan janë kujdesur kohën e fundit për shqetësimin e fqinjëve të tyre me tone nacionaliste. Përmes toneve nacionaliste ata përpiqen t’i shmangin problemet brendapolitike.

Në festimet e njëqindvjetorit të ditëlindjes së Shqipërisë politikanë shqiptarë befasuan me tone nacionaliste. Përmes retorikës së re, që i shqetëson fqinjët, duan t’i shmangin problemet brendapolitike.

„Nga këtu, nga Shkupi, i thërras shqiptarët që çdo minut, çdo orë, çdo muaj, çdo vit të punojnë për bashkimin.“ Kështu iu kumtonte kryeministri shqiptar Sali Berisha më 25 nëntor 2012 dëgjuesve të tij në një tubimi të madh në kryeqytetin maqedonas, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeminsitri shqiptar i Maqedonisë, Musa Xhaferi, si dhe politikani i lartë maqedono – shqiptar dhe ish- udhëheqësi i guerilës, Ali Ahmeti. Kryeqyteti maqedonas ishte zhytur në një det flamujsh shqiptarë.

„Një gjak, një gjuhë“

Fjalimi i u mbajt me rastin e kremtimeve të njëqindvjetorit të shtetit shqiptar më 28 nëntor 2012, që përveç gëzimit festiv solli edhe tone të pdëgjuara nacionaliste nga pikërisht kreu udhëheqës. Politikanë të rëndësishëm të Shqipërisë, në tone më të dobëta ata në Kosovë dhe me tone më të matura në Maqedoni, u shërbyen me një gjuhë, e cila, përndryshe, përdoret vetëm nga grupet radikale: Shqipëria shtrihet nga Preveza (Greqi) deri në Preshevë(pjesë e Serbisë jugore e banuar me shumicë nga shqiptarët), nga Podgorica (kryeqyteti i Malit të Zi) deri në Shkup (me një pakicë të madhe shqiptare),theksoi Berisha, i cili përdori edhe termin „Shqipëria etnike, ku shqiptarët paraqesin shumicë etnike dhe kanë prani të përhershme“.

Kryeminsitri kosovar tha se ekzistimi i dy shteteve shqiptare nuk ka qenë dëshirë e shqiptarëve dhe së bashku Shqipëria me Kosovën do të ishin „më mirë“ . Ali Ahmeti, duke pasur parasysh gjendjen e brishtë në Maqedoni, foli më me kujdes për të drejtat e shqiptarëve dhe domosdonë e respektit të ndërsjelltë brendaetnik. Politikanë shqiptarë pa përgjegjësi qeveritare ishin më pak të vetëpërmbajtur: „Ne kemi një gjak, një gjuhë, një flamur“, shkruante Xhavit Haliti, i cili nga Zvicra kishte udhëhequr dikur edhe kryengritjen shqiptare në Maqedoni.

Retorika e re e udhëheqësve shqiptarë në Ballkan nuk mbeti pa u vënë re. Shtetet fqinje patën kënaqësinë të gjejnë kështu të vërtetuar shprehjen e drojës së tyre , të përdorur edhe për qëllime propagandistike, të nacionalizmit kërcënues shqiptar. Politikanë të lartë, si ministri grek i punëve të jashtme, bojkotuan kremtimet në Tiranë. Nacionalistëve, si kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i cili pa marrë parasysh dëmet ndërkombëtare politike shfrytëzon nacioanlizmin maqedonas të drejtuar kundër Greqisë dhe pakicës shqiptare për mbajtjen e pushtetit, ju konvenoi triumfalizmi shqiptar. Fjalët më të qarta i gjeti ambasadori amerikan në Tiranë, i cili ia bëri me dije qeverisë së Berishës, se SHBA-të nuk tolerojnë ndryshim kufijsh në Ballkan.

Manovrime për të shmangur vëmendjen

Dëmi politik ndërkombëtar pas furisë nacionale në Shqipëri duket i madh, sepse që pas rrëzimit të diktaturës komuniste vendi konsiderohej si faktor stabiliteti dhe orientohej qart sipas politikës së NATO-s dhe para së gjithash të SHBA-ve. Hyrja në NATO dhe së fundi edhe statusi i kandidatit për BE nga Komisioni Evropian, i cili u relativizua nga Këshilli ministror, e shpërblyen këtë qëndrim. Pse po e vë në lojë qeveria shqiptare këtë emër të mirë të krijuar në politikën ndërkombëtare?

Vëzhguesit bëjnë me dije në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri në qershor 2013. Ashtu si edhe në vendet fqinje, si në Maqedoni, retorika nacionaliste shmang vëmendjen nga problemet reale të korrupcionit dhe të keqqeverisjes që karakterizojnë qeverinë; por ajo do të zhduket pas zgjedhjeve. Ky qëndrim nuk duket adekuat. Sepse në Shqipëri sie edhe në Kosovë janë krijuar parti nacionalradikale, që në zgjedhje do të mund të jenë të rrezikshme për partitë e etabluara. “Aleanca Kuq e Zi” (sipas ngjyrave të flamurit shqiptar), nën Kreshnik Spahiun në Shqipëri, dhe “Vetëvedosja”, nën Albin Kurtin në Kosovë, synojnë hapur bashkimin e të dyja vendeve.
Në janar 2013 “Aleanca Kuq e Zi” kërkoi një referendum gjegjës. Ajo u formua më 2011 pas regjistrimit të popullsisë si protestë ndaj mënyrës së regjistrimit të pakicave, sidomos asaj greke. Ajo agjiton sidomos kundër konstituimit si greke të Kishës Ortodokse të përceptuar si shqiptare, metropoiliti i së cilës, Anastas Janulatos, së fundi u kërcënua masovisht; në Maqedoni ajo nxit urrejtje kundër martesave të përziera shqiptaro-maqedone.

Nacionalizmi, si shprehje e opozitës radikale, i shtyri siç duket si Berishën edhe Thaçin që me një retorikë të re t’i mbajnë zgjedhësit e tyre, të cilët nga dëshpërimi kërcënoheshin të largoheshin. Për këtë janë të gatshëm t’i bindin SHBA-të dhe BE-në sidomos demokratët e Berishës. Qeveria e Berishës ka paralajmëruar dhënien e pasaportave për kosovarët, të cilën gjë opozita shqiptare e konsideron si formë të blerjes së votës. Por edhe drejtuesi i opozitës, Edi Rama, iu fryen burive nacionaliste, kur kërkon që Shqipëria të hapë spitale për nënat shqiptare në Preshevë në jug të Serbisë. Rama krijoi shpejt konceptin e tij të bashkimit: kjo duhet të ndodhë në kuadër të BE-së. Kjo nuk është diç e re, sepse edhe Berisha e përmend integrimin evroatlantik si rrugë drejt bashkimit, të cilën ai e quan një të drejtë “të shenjtë”.

Mobi Casa

Nacionalizmi shqiptar politikisht nuk paraqet një njësi. Shumë më tepër duhet bërë dallimin mes shteteve të vogla të veçanta në Ballkan dhe të diasporës shqiptare. Një ndër intelektualët e paktë në politikën shqiptare, Ben Blushi, e quan nacionalizmin si opozitë sistemit me imazhe armiqsh që ndryshojnë. Në Shqipëri nacionalizmi drejtohet kundër partive të mëdha, në Kosovë kundër misionit të BE-së dhe “ndërkombëtarëve” në përgjithësi, në Maqedoni kundër kombit titullar. Kjo shpie në situatën paradoksale kur në Shqipëri, në kundërshtim me Kosovën, do të duartrokiteshin gjyqtarët e BE-së.

Mostra që moti të njohura të të menduarit

Intelektuali më i rëndësishëm kritik i Shqipërisë, Fatos Lubonja, flet për „evropeizmin nacional“. Ai mendon me këtë se elita shqiptare e dalur nga kuadrot komuniste po e mbulon nacionalizmin e saj me një retorikë të zbukuruar evropiane pikërisht ashtu siç e përdorte marksizmin dikur si një gunë mbrojtëse.

Faktikisht një analizë e retorikës nacionaliste tregon se mostrat e të menduarit janë të njohura që moti. Koncepti hapësinor i Berishës i përgjigjet idesë së Shqipërisë së katër vilajeteve, do me thënë të ekzistimit të provincave të mëdha osmane deri në vitin 1912: Shkodrës, Kosovës (me kryeqytet Shkupin), Manastirit dhe Janinës. Në vend të “Shqipërisë së madhe” përdoren termat “Shqipëri etnike” ose edhe më me dëshirë “Shqipëri natyrale”. Mbi të gjithë Sali Berisha postulon konceptin e një nacionalizmi “pozitiv”: shqiptarët do të mbroheshin vetëm nga sulmet, ncionalizmi i tyre është “human” dhe “më i civilizuar” sesa nacionalizmat “shovinistë” të fqinjëve. Miti i viktimës, një vetëparaqitje e nacionalistëve e përhapur në tërë Ballkanin, plotësohet me “popullin e pavëlla” (të cilit i brohorasin edhe grekët gjuhësisht të izoluar dhe hungarezët) dhe me paranojën e rrethimit të kohës së komunizmit. Kombi si në kohën e komunizmit paraqitet në hapësirë dhe në kohë si etnikisht homogjen.

Më e madhe apo më e mirë?

Por klasifikimi i toneve të reja duhet të bëhet edhe në rrafshin e politikës së jashtme dhe në rrafshin historik. Shqiptarët në Ballkan ndihen më të fortë se asnjëherë. Hashim Thaçi e shprehu këtë saktë kur e krahasoi gjendjen e sotme me atë të vitit 1999. Por shqiptarët hedhin vështrimin edhe në dobësitë e vendeve, të cilat ata i konsiderojnë si kundërshtare të tyre: në Serbinë, e dërrmuar nga luftrat, dhe në Greqinë e deri para pak kohe me shumë ndikim në Shqipëri.

Edhe raporti ndaj fuqive mbrojtëse perëndimore po ndryshon : ashtu sikur edhe pushtetmbajtësit shqiptarë të shekullit XX edhe Berisha po manovron mes shumë mbrojtësve politikë ndërkombëtarë dhe njëkohësisht paradhënësve. Përballë qeverisë turke ai flet për „gjakun e përbashkët“ të turqve dhe të shqiptarëve, tek Papa profilon si pasardhës i heroit kombëtar Skënderbeut. Nga diplomatët amerikanë, të cilët angazhohen për shtet juridik dhe ndarje të pushteteve, Berisha mund të nxjerrë më shumë sesa Qeveria e Kosovës, e cila varet fuqishëm nga SHBA-të.

Furia festive nacionaliste, retorika e luftës zgjedhore dhe zhvendosjet tektonike si në politikën e jashtme edhe në atë të brendshme vijnë së bashku në këtë dimër nacional shqiptar. Rezonanca në masa është mbresëlënëse, por jo edhe e lehtë për ta shpjeguar. Deri tash 1.5 milion njerëz- statistikisht më shumë se gjysma e popullsisë – e kanë vizituar brenda 45 ditësh ekspozitën me armët e huazuara nga Austria (kryesisht të falsifikuara) të Skënderbeut.

Simboli i dytë i kremtës ishte torta 550 metërshe katrorë – „Torta e Pavarësisë“- shpërndarja e urdhëruar në Tiranë e së cilës dështoi si pasojë e ngarendjes së masave. Pamjet e njerëzve, që gëlltisnin copa torte, e paketonin atë në qese plastike, dhe së fundi edhe vallëzonin në të dhe të tjerë që gjuheshin me copa torteje, paraqesin pjesën tjetër të fjalimeve të fryra dhe thonë ndoshta më shumë mbi raportet e qytetarëve me shtetin dhe mbi dëshirat e vërteta të shumicës së shqiptarëve. Intelektualët kritikë i bien pikës: alternativat janë një Shqipëri më e madhe ose më e mirë.

Profesor Oliver Jens Schmitt ligjëron historinë evrojuglindore në Universitetin e Vjenës.Autori, Oliver Jens Schmitt. Përkthimi: Nexhmedin Gerguri