Vështirësohet qarkullimi nëpër disa rrugë të Vitisë

Viti – Të reshurat e shiut që kanë përfshirë sërish komunën e Vitisë, kanë ndikuar që të rritet niveli i ujit duke vështirësuar edhe qarkullimin nëpër disa rrugë. Kështu rruga magjistrale Gjilan-Ferizaj, konkretisht në Radivojc, për momentin po funksion me vështirësi, pasi që ka dalje të ujit mbi asfalt.
Ngasësit e automjeteve, po shfrytëzojnë edhe trotuarin e këmbësorëve për të kaluar. Po ashtu dalje të ujit ka edhe në rrugën Viti-Letnicë në fshatin Ramnishtë ku qarkullimi po bëhet me vështirësi.
Gjendje alarmante është paraqitur edhe në rrugën “Dëshmorët e Kombit” që qon tek tregu i gjelbër ku niveli i ujit është duke u rritur. Ndërkohë që nga ekipet emergjente në terren, bëhet e ditur se është duke u intervenuar në hapjen e përroskës në mes fshatrave Budrikë e Skifteraj e cila është bllokuar nga mbeturinat e hedhura në atë pjesë.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë Nexhmedin Jakupi, ka apeluar tek qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë qarkullimit, që të mos kufizojnë lëvizjet e panevojshme, sepse të reshurat që po vazhdojnë mund ta keqësojnë edhe më shumë gjendjen.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të cilët kërkojnë ndihmë që të thërrasin numrin emergjent 112 për çdo lloj intervenimi. Ekipet e Komitetit komunal për mbrojtje dhe shpëtim, janë në terren duke vëzhguar situatën dhe po ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e vërshimeve./rajonipress/