Vështirë për Hajdarin

Gjilan – Të martën ka filluar procesi gjyqësor ndaj ish drejtorit të spitalit Xhavit Hajdarit. Para trupit gjykues që po e kryeson Sahit Borovci është dëgjuar e dëmtuara Sevdije Demolli dhe V.D. si dhe polici Bashkim Vranja.
Gjykimi ndaj ish drejtorit të spitalit të Gjilanit ka filluar këtë të marte në Gjykatën Komunale të kryesuar nga kryetari i trupit gjykues Sahit Borovci. Në seancën e parë është dëgjuar e dëmtuara Sevdije Demolli dhe V.D.
E dëmtuara Demolli në hollësi e ka përshkruar ditën kritike dhe takimin me Xhavit Hajdarin në restorant Bujana. Ajo ka thënë se Hajdari i ka kërkuar 1000 euro ose në të kundërtën do t`ia ndërpresë kontratën kompanisë së saj. “Unë nuk kisha të holla dhe i tregova policisë e cila mi dha ato dhe e takova Hajdarin, i cili kërkonte me çdo kusht 1000 euro” tha Demolli.
Edhe dëshmitari tjetër Bashkim Vranja-polic hetues ka përshkruar në hollësi atë që ka thënë në prokurori dhe hetuesi. Vranja tha se rastin e kanë simuluar me lejen e prokurorit. Kurse Xhavit Hajdari ka kundërshtuar deklaratën e Sevdije Demollit me arsyetimin se atij ajo ia ka pasur borxh 1000 euro. “Parat e kërkuara ajo mi kishte borxh mua” ka sqaruar Hajdari.
Avokatët mbrojtës Abdylaziz Sadiku dhe Kadri Syla gjithashtu u kanë bërë pyetje dëshmitarëve derisa seanca e radhës në rastin e Hajdarit pritet të vazhdojë më 9 nëntor.
Ndryshe në aktakuzën e ngritur nga prokurori komunal Esat Ademi thuhet se Xhavit Hajdari ka kërkuar përfitim material në shumën prej 2000 eurove nga pronarja e kompanisë “Toni”.
Sipas aktakuzës më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, Xhavit Hajdari në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.
Fillimisht i pandehuri thuhet në aktakuzë në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit,në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.
Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove,dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë.
E dëmtuara Sevdije Demolli ka specifikuar në polici dhe prokurori se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012./rajonipress/