Veshkat, ja pse janë jetësore për trupin

Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme. Veshkat janë organe çift të vendosura në të dy anët e shtyllës kurrizore, në pjesën e pasme të hapësirës së barkut nën kafazin e brinjëve, ku afërsisht secila veshkë ka madhësinë e grushtit tuaj.
Veshkat kryejnë shumë detyra thelbësore për të na mbajtur të shëndetshëm. Puna kryesore e veshkave është eleminimi i toksinave dhe ujit të tepërt nga gjaku ynë. Ato gjithashtu ndihmojnë për kontrollimin e presionit arterial, për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe për të mbajtur kockat tona të shëndetshme.
Veshkat kontrollojnë nivelet e qarkullimit në gjak të shumë mineraleve dhe molekulave përfshirë natriumin dhe kaliumin dhe ndihmojnë për të kontrolluar aciditetin e gjakut. Çdo ditë veshkat kontrollojnë me kujdes kripën dhe ujin në trupin tonë, në mënyrë që presioni i gjakut të mbetet i njëjtë.
Veshkat, këto lojtare të sistemit urinar, janë filtra inteligjente që eliminojnë mbetjet nga gjaku, të cilat bëhen toksike nëse do të grumbullohen në trup. Uji dhe veshkat veprojnë në simbiozë: uji lejon veshkat të hollojnë mbetjet për t`i eliminuar në formën e urinës.
Veshkat rregullojnë sasinë e ujit të nevojshëm në trup, balancën e hyrjeve dhe daljeve të ujit. Veshkat janë atje për të filtruar ujin dhe rithithur (riabsorbuar). Çdo minutë, 600 ml ujë arrijnë në veshka dhe 20% filtrohet. 99% e këtij filtrati riabsorbohet, dhe 1% që mbetet korrespondon me sasinë e urinës në 24 orë, ose 1.5 deri 2 litra urinë. Pra, roli i veshkave është hollimi i urinës dhe gjendjes së hidratimit.
Është e këshillueshme të pihet çdo ditë një litër e gjysmë deri në dy litra ujë për një të rritur të shëndetshëm. Marrja e përditshme ideale duhet të sigurohet 1,5 litër nga lëngjet, 0,6 litra nga ushqimi dhe 0,4 litër nga uji i oksiduar nga dekompozimi i ushqimit. Kjo, për një person me funksion renal normal, i cili mund të eliminojë çdo ditë 1,5 litra urinë, 0,8 litra përmes djersës dhe frymëmarrjes, dhe 0,2 litra nëpërmjet feçeve.
Mos harroni të pini ujë mjaftueshëm për të mbrojtur veshkat tuaja, të paktën 1-1,5 litra ujë në ditë, dhe mos harroni të kontrolloni rregullisht funksionimin e duhur të veshkat tuaja.
Bëni kujdes, nëse pini ujë mund të mbroni veshkat tuaja, por nuk do të kuroni sëmundjen kronike të veshkave tuaja./gazeta shendeti/