Veseli: Shtyrja e liberalizimit të vizave deri më 2020, lajm dëshpërues për BE’në

Kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur rreth vonimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Veseli ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se shtyrja e heqjes së vizave për kosovarët deri më 2020 – afat i përmendur sot në Prishtinë nga komisionari i BE’së, Johannes Hahn – është “lajm dëshpërues për Bashkimin Evropian”.
“Kjo për vetë faktin se BE’ja i ka vënë disa standarde, përmes së cilave e ka vlerësuar çdo vend… Ne më shumë se çdo vend tjetër në rajon kemi plotësuar kushte”, ka theksuar Veseli.
Sipas tij, BE’ja s’po i qëndron pas fjalëve të saj, dhe s’po i respekton parimet e veta.
“Kemi arritur të shkojmë edhe më tutje me reformat në sistemin e drejtësisë”, është shprehur ai në T7.
Veseli ka thënë se problemi qëndron te BE’ja, e assesi te Kosova. Sipas tij, Kosova qëndron shumë para disa vendeve të Ballkanit. /Express/
Veseli: E mbështeta kryeministrin për taksën, sepse besoj që ka një plan
Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se qeveria e Kosovës ka mbështetjen e tij të plotë për taksën 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake.
Deri te ky veprim ai thotë se nuk erdhi vetëm për shkak të dështimit në Interpol, por pas një varg veprimesh të ngjashme nga ana e Beogradit zyrtar.
“Javët e fundit kryeministri i Republikës disa herë ka kërkuar këshillë nga unë për ngritjen e tarifës dhe unë e kam mbështetur atë sepse është e drejtë legjitime’, tha Veseli në Pressing me Leonard Kerqukin në T7.
“Nuk duam të shesim populizëm por për faktin se jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam të respektohemi ashtu si i respektojmë të tjerët’, shtoi Veseli.
‘Haradinaj propozoi taksën prej 30 për qind, unë i thash ta bëjmë 100 për qind.
E mbështeta kryeministrin për taksën, sepse besoj që ka një plan”, shpjegoi Veseli.
Veseli nuk e kupton as reagimin e BE’së që po kërkon heqjen e taksës.
“E zhgënjyer nuk e kuptova pse duhet të jetë BE. Ndoshta e dëshpëruar, pasi BE i di mirë veprimet e Serbisë”, tha kryetari i PDK’së.
Ai thotë se taksa nuk do të hiqet pasi sipas tij kjo ka të bëjë ‘me reputacionin e shtetit’.