Veseli: Nesër në pyetje është liberalizmi i vizave!

Pengimi eventual që opozita mund t’i bëjë seancës së Kuvendit që mbahet nesër, do të pengonte procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën. Të paktën kështu mendon kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili beson se opozita nuk do të pengonte një gjë të tillë.
Nesër, 19 shkurt, Kuvendi pritet të miratojë amendamentet për Ligjin e Prokurimit Publik në Kosovë, si një nga tetë kushtet që Komisioni Evropian i ka vendosur Kosovës për liberalizmin e vizave.
E Veseli shpreson se edhe opozita do të jetë pjesë e kësaj vendimmarrje nesër, ngase kjo është për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Veseli në një intervistë për Radio Dukagjinin thotë se gjatë vizitës së tij në Bruksel të gjithë zyrtarët e lartë atje e kanë përmendur faktin se Kosova ka ulur numrin e refugjatëve dhe në të njëjtën kohë ka plotësuar thuajse të gjitha kriteret teknike, për liberalizmin e vizave.
Ai beson se kosovarët shumë shpejt do të lëvizin pa viza.
“Ekziston një frymë shumë pozitive e vlerësimit të Kosovës për çështjen e liberalizmit të vizave. Isha shumë i gëzuar kur u përmend fakti se Kosova ka ulur aq shumë numrin e refugjatëve dhe në të njëjtën kohë ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret teknike. Faktikisht rruga për Kosovës është e hapur, në vendimmarrjen e vendeve të BE-së për liberalizmin e vizave, tani është çështje teknike. Nga vendimmarrja politike që vjen nga ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së, unë shpresoj dhe besoj se shumë shpejtë qytetarët do të lëvizin lirshëm, ashtu siç e kanë merituar drejtë BE-së pa viza”, ka thënë Veseli.
Thotë se në BE, zyrtarët kanë shprehur shqetësim të madh për bllokimin e Kuvendit, dhe se kanë rikujtuar se të gjitha çështjet duhet rregulluar përmes rrugëve institucionale.
“Është një shqetësim i gjithë miqve tanë në BE, veçanërisht me rrugën e zgjedhur si mjet për arritjen e qëllimeve politike. Është një vendosmëri e të gjithë zyrtarëve evropian, se çdo shqetësim duhet zgjedhur në rrugë institucionale, brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me partneritet dhe veçanërisht si dialog dhe komunikim. Me respektim e madh për pozitë dhe opozitë, por rruga e vetme për zgjedhjen e çdo çështje është brenda institucioneve”, ka thënë ai, për Radio Dukagjinin.
Kur foli për seancën e nesërme, Veseli shpreson se opozita kësaj radhe do të mendojë për të mirën e qytetarëve.
“Nesër mbahet seanca plenare,që ndërlidhet me vizitën time në Bruksel, pra lidhet me liberalizmin e vizave, është çështja e një kriteri teknik që do plotësohet, shpresoj në vendimmarrjen e përbashkët opozitë dhe pozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe të vazhdohet edhe më tutje në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Veseli.
Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Bruksel, Veseli është takuar me Komisionarin e BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Johannes Hahn dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherin si dhe të tjerë.