Veseli analizon: PDK nuk ekzaltohet nga pushteti, por as nuk frikësohet nga opozita
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një shkrim autorial ka ftuar edhe njëherë subjektet politike të bashkohen për një qeverisjeje të qëndrueshme nga dy e treta e komunitetit shumicë,pasiqë kjo do të ishte garancia për vazhdimin e reformave, sundimin e ligjit, zhvillimit ekonomik, si dhe çështjeve tjera që e presin Kosovën.
Veseli ka shkruar se skena politike e vendit nuk ka përse t’u ofrojë individëve të pasuksesshëm vazhdimisht shanse për të qeverisur vendin por kjo praktikë duhet të nisë të pushojë duke filluar së pari nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të vazhdojë tutje.
Në të kundërtën, sipas tij, nuk mund të ketë sukses sundimi i rendit dhe i ligjit, proceset integruese euroatlantike, reforma zgjedhore dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese e, mbi të gjitha, perspektiva e zhvillimit ekonomik do të zëvendësohej me nevojën e meskinitetëve të disa individëve në kuadër të Republikës. Dhe gjithçka do të behej edhe më keq.
Veseli ka thënë se është koha e përshtatshme për spektrin politik të vendit të përfaqësuar në Kuvend, që të ngritët përtej ‘filozofisë së meskinitetëve’, për ta mirëkuvenduar qeverisjen e ardhshme, e cila, në vetvete, do të kishte një formësim të ri me standard ekskluzivisht euroatlantik.
Sipas tij, qeverisja e ardhshme e Kosovës do të duhej t’i përgjigjej sfidave dhe rrethanave të reja të krijuara edhe prej ‘detyrimeve ndërkombëtare’, që do të thotë, jo vetëm prej atyre të ‘prekshme’, që tashmë shteti i Kosovës i ka marrë si ‘obligime kushtetuese’, por shumë më tej sesa kaq.
Ai ka shtuar se nuk është peshë vetëm stabiliteti i numrave në Kuvendin e Republikës prej komunitetit shumicë por gatishmëria e përgjegjësive për vendimmarrje prej përfaqësuesve të komunitetit shumicë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës e, veçmas, në të mirë të komuniteteve joshumicë dhe të perspektivës së vendit në përgjithësi.
Ai ka shtuar se duhet mirëkuptuar dhe respektuar edhe ‘Marrëveshjet politike’ ndërmjet subjekteve të caktuara politike, të cilat janë të drejta të garantuara kushtetuese.
“Ato janë të saktësuara edhe kur ato bëhen e edhe si bëhen dhe sa vlejnë në kuadër të një shtetit demokratik.Por, në emër të kësaj të drejte demokratike e politike, nuk duhet të mohohet thelbi i garës demokratike dhe politike në një shtet demokratik.Në të kundërtën, mund të lind pyetja: përse duhet të ekzistonte një garë demokratike, rrjedhimisht zgjedhjet kur gjithçka mund të arrihet me ‘marrëveshje politike’!?”. Më në fund, mund të respektohet tërësisht edhe një ‘përvojë e tillë’ e edhe ‘gjahu i numrave’, por jo me tendencën e rrënimit të rendit kushtetues, me tendencën e rrënimit të rendit demokratik dhe me tendencën e rrënimit të procedurave demokratike e kushtetuese”, ka shkruar ai.
Veseli ka shtruar pyetjen se sa serioz mund të jetë një subjekt politik, rrjedhimisht përfaqësuesit e saj, në qoftë se ata deklarojnë botërisht se nuk duan të pinë as kafe pune me subjektin tjetër politik, vajzat dhe djemtë e të cilit, deri tash kanë qenë bashkëkryesues e bashkëdrejtues me të tjerë në luftë kundër pushtuesit të vendit tonë.
“Kanë qenë më të tjerë bashkëkryesues e bashkëdrejtues të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, bashkëkryesues e bashkëdrejtues me të tjerë në formësimin dhe shtetndërtimin e Republikës, kanë qenë me të tjerë bashkëkryesues e bashkëdrejtues në partneritet me Bashkësinë Ndërkombëtare, në dialogim me Republikën e Serbisë – mirënjohje kjo e veçantë prej Bashkësisë Ndërkombëtare për shtetin dhe popullin e Kosovës etj.Në skajimin e kësaj logjika të disa prej përfaqësuesve të opozitës është dëgjuar një gjuhë dhe një kulturë politik, e cila nuk mund të arsyetohet as me teorinë makiaveliste, në thelbin e së cilës qëndron arritja e qëllimit me çdo mjet, me çdo rrethanë e më çdo kusht!? Ashtu siç nuk ka munguar ky komunikim i ulët dhe i pa dinjitet as prej disa përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës. E përse e gjithë kjo!? Vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin!?
Ai ka thënë se nuk beson në këtë rrugëtim të politikës sepse beson se në rrethana të tilla, në të vërtetë, për një kohë fare të shkurtër, opozita do të ishte pushteti real i Republikës, e cila do të mund t’i provokonte zgjedhjet e ardhshme në çdo çast që do t’i voliste interesit të saj dhe gjërat do të ktheheshin sërish në pikën zero, ndërkohë që është duke ndodhur një devalvim vrastar, një përçmim i frikshëm ndaj klasën politike të Kosovës përgjithësisht.


