Vërshimet e kobshme

Vërshimet po vazhdojnë të shkaktojnë dëme të shumta në Kosovë. Lumenjtë që dolën nga shtrati i tyre të enjten mbrëma morën jetën e një vajze të vogël në Izbicë të Skenderajt, derisa në Gjakovë e Mitrovicë shembën ura. Hiç më mirë situata nuk është as në qytetet e tjera.
Mori gjithçka me vete, dëmtoi pemë e prishi ura. Madje preku edhe në njerëz. Këto janë pasojat që lanë vërshimet vetëm një ditë pas. E më së keqi nga to e pësoi familja Osmani nga fshati Izbicë e Skenderajt. Është kjo familje që mbrëmjen e së enjtes kur ndodhën gjitha ato vërshime, humbën vajzën e tyre 10 vjeçare. E gjitha ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 derisa vajza e vogël G.Osmani po kthehej nga shkolla ka rrëshqitur dhe ka rënë në lumin e këtij fshati duke humbur jetën.
Tragjedia ndodhi për shkak se lumi i këtij fshati ka dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditë së sotme, që besohet se ka qenë shkaktar i mbytjes së 10-vjeçares. Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Ai ka bërë të ditur se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se po e heton rastin.
Shembi edhe ura
Sikurse për vogëlushen nga Izbica, vërshimet nuk u treguan të mëshirshme as për asgjë tjetër. Si pasojë e reshjeve të shiut, të cilat më pas krijuan vërshimet, është shembur një pjesë e urës së Rakovinës në magjistralen Gjakovë – Klinë – Prishtinë dhe si pasojë e kësaj qarkullimi në këtë aks mjaft të frekuentuar është bllokuar në tërësi. Shembja e urës, konkretisht njërës prej shtyllave të saj mbajtëse, sipas dëshmitarëve ka ndodhur në natën mes të enjten dhe të premtes si pasojë e ujërave të rrëmbyeshëm të lumit “Drini”, i cili është fryrë pas reshjeve të pandërprera të shiut.
“Rreth orës 00:30 kur kemi dalë nga lokali këtu afër e kemi parë që mesi i urës ka qenë i shembur dhe bazamenti i saj gati ishte kapluar nga uji që vinte me të madhe. E kemi lajmëruar policinë dhe ata e kanë bërë bllokimin e sigurimin e rrugës”, ka thënë Muharrem Krasniqi, banor i fshatit Rakovinë. Ndërkohë, në mëngjesin e së premtes në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarë komunalë të emergjencave dhe zyrtarët regjionalë të Ministrisë së Infrastrukturës, institucion nën mbikëqyrjen e të cilit është magjistralja së bashku me urën.
Këta të fundit kanë thënë se për dëmtimin e urës i kanë njoftuar edhe instancat qendrore, konkretisht zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe po presin ardhjen e tyre për verifikimin dhe procedimin e mëtejmë të situatës. Ndërkohë, sipas disa ekspertëve të ndërtimtarisë, gjasat për sanimin e dëmit janë gati minimale, për të mos thënë të pamundshme, prandaj zgjidhje e vetme në këtë rast mbetet ndërtimi i urës së re. Ndryshe, Ura e Rakovinës, e cila ishte bombarduar nga NATO, është ndërtuar e re disa vjet pas përfundimit të luftës, konkretisht rreth viteve 2001 – 2002. E nuk është veç ura e Gjakovës që u rrënua të njëjtën ditë.
Rritja e nivelit të lumit Ibër si pasojë e reshjeve të djeshme ka rrënuar gjatë natës së enjte edhe një urë që lidhë fshatin Kutinjë dhe Leposaviqin në veri të Kosovës. Mësohet se reshjet kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale edhe në fshatrat Dolan, Korilë dhe Bajnskë të komunës së Zveqanit. Sipas banorëve të këtyre fshatrave, diçka e tillë nuk mbahet mend që 40 vitet e fundit. Me ndërprerjen e reshjeve, situata në këtë zonë është normalizuar dhe është nën kontroll.
Preku edhe Podujevën
Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime të lumenjve në disa zona të Komunës së Podujevës, por deri tash pa pasoja të mëdha. Ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës, i cili nga dje është vazhdimisht në terren duke vizituar pikat e goditura nga vërshimet, ku ka identifikuar hapësirën përreth pendës për ujitje në lumin Llap në fshatin Repë. Në këtë pikë uji ka vërshuar një sipërfaqe të vogël të tokës bujqësore.
Edhe në fshatin Metehi lumi Llap, i cili ka dalë nga shtrati, ka vërshuar një pjesë të tokës bujqësore. Ekipet e emergjencës vazhdojnë të jenë në terren duke përcjellë situatën, meqë bora që ka rënë gjatë natës tashmë është duke u shkrirë dhe mund të shkaktojë rritje të nivelit të ujit nëpër lumenj, bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate nga Zyra për Informim e Komunës së Podujevës. E uji sipas shërbimit komunal të emergjencës në Komunën e Klinës ka depërtuar në mbi 90 shtëpi, kurse në 15 sosh ka qenë i domosdoshëm evakuimi njerëzve.(express)