Mobi Casa

Veriu që prish hesape

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Po të fitoheshin zgjedhjet me to, aksione policore në veri do të organizoheshin shpesh nga pushtetet e kaluara. Më tepër se vota, nga veriu i kontrabandës dhe krimit të organizuar politika ka përfituar para. Andaj goditja e krimit dhe kontrabandës atje i prish hesape dikujt.

Një aksion plotësisht normal në disa komuna të vendit, në mesin e tyre edhe në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan, solli sërish në qendër të debatit problemet më veri të vendit. Nga aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar më së shumti u alarmuan një grup serbësh lokalë, pushteti në Beograd dhe Bashkimi Europian. Një zyrtar i lartë i BE’së, madje, tha që për aksione të tilla pushteti në Prishtinë po u dashka koordinuar me të tjetrët, thua se komunat veriore nuk janë pjesë integrale e Kosovës dhe policia nuk mund të ndërhyjë kudo që ka nevojë.

Por, aksioni në veri u zhvendos edhe në rrafshin e përfitimeve eventuale në fushatë zgjedhore. Partitë opozitare dhe mbështetës të tyre thanë se nëpërmjet këtij aksioni policor partia në pushtet po synon të përfitojë vota dhe t’i fitojë zgjedhjet e 17 tetorit. Por, po të ishte kështu, aksione policore në veri do të organizoheshin shpesh nga pushtetet e kaluara.

Për më shumë se dy dekada veriu ka shërbyer si burim i destabilitetit, por edhe i milionave të përfituar nga kontrabanda dhe krimi i organizuar. Nuk bëhet fjalë këtu për kontrabandistë e kriminelë të një etnie të caktuar – kontrabanda dhe krimi i kanë bërë bashkë të gjitha etnitë që jetojnë në atë pjesë.

Në raporte të ndryshme organizatash kredibile ndërkombëtare është thënë se nga krimi e kontrabanda në veri përfiton edhe politika në Prishtinë. Pushteti në Beograd po se po. Kjo mund të jetë një ndër arsyet pse njerëzit që kryejnë veprime kriminale në veri janë lënë të lirë. Në fakt, veriu është lënë në duar të kontrabandistëve e banditëve, sepse ata kanë qenë burim financimi për politikën. Për më tepër, plot nga ta janë veshur me petk politikani, duke legjitimuar veprimet e tyre të jashtëligjshme. Ka nga ta që janë pritur edhe në zyra shtetërore në Prishtinë.

* * *

Problemet në veri dhe ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e tyre nuk duhet parë vetëm në rrafshin e përfitimeve të mundshme të politikës ditore, por shumë më gjerë se kaq. Nuk ka asgjë të keqe që policia të ndërmarrë aksione jo vetëm atje, por në gjithë territorin e vendit sa herë që konsideron se ka arsye për ta bërë një gjë të tillë. Dhe veprimet e tilla duhet të përkrahen – ashtu siç janë përkrahur aksionet si ai i vitit 2011 dhe ato të mëvonshmet.

KKVITI

Pavarësisht dialogut me Serbinë që vazhdon tash një dekadë, strukturat paralele serbe vazhdojnë të funksionojnë gjithandej Kosovës. Një pjesë e tyre janë bërë vetëm formalisht pjesë e institucioneve të sigurisë të Kosovës dhe paguhen nga shteti i Kosovës, por në thelb ato mirëmbahen nga Beogradi. Siç mirëmbahen edhe sisteme të tëra sikurse gjithë sistemi shëndetësor e ai i arsimit, por edhe veprimtari tjera jo vetëm në veri.

Për të kuptuar se kujt i prishin punë aksionet në veri mjafton të përcillen me kujdes reagimet për ndërhyrjen e para pak ditëve. Beogradi u përpoq të alarmojë se bëhej fjalë për sulm kundër serbëve lokalë, por nuk hasi në mbështetjen as të NATO’s, as të SHBA’së. Në pretendimet e veta e mbështeti, për fat të keq, BE’ja.

Është budallallëk nga kushdoqoftë që insitucioneve të një shteti të mos iu jepet e drejtë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Aq më tepër është irritues ragimi i zyrtarëve të Brukselit.

BE vazhdimisht në raportet për Kosovën kritikon institucionet për mungesë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kërkon nga to të bëjnë më shumë punë në këtë drejtim. Tash kur ndërmerren veprime pikërisht kundër këtyre dukurive, zyrtarë të rëndësishëm të BE’së, si Josep Borrell, dalin kundër. Një qasje hipokrite kjo, që tregon edhe njëherë se BE nuk mund të jetë ndërmjetës i paanshëm në dialog. Në këtë rast u tregua palë – palë me Beogradin.

* * *

Institucionet e vendit duhet të kryejnë punën e vet kundër kontrabandës e krimit të organizuar në gjithë territorin e Kosovës, pa pasur nevojë të marrin leje nga askush. Aksionet si ato të kësaj jave duhet të jenë normale. Duke e konsideruar veriun praktikisht si pjesë jointegrale të Kosovës, krimi e kontrabanda kanë lulëzuar atje. Natyrisht, aksione të ngjashme mund t’i prishin hesape edhe një pjese të politikës në Prishtinë. Beogradit po se po. Por, kjo nuk duhet bërë shkak që të mos punohet në kthimin e ligjshmërisë në atë pjesë të vendit. Trajtimi me shpërfillje i veriut ndër vite ka sjellë situatën që të konsiderohet thua se është pjesë e një shteti tjetër. Por, veriu është pjesë e Kosovës.