Eko Higjiena

Veriu i Kosovës: Trazira në dhjetor?

/ 3 minuta lexim

Në mes të dhjetorit, në veri të Kosovës, në Jarinë, do të fillojë zbatimi i pilot-projektit për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare, njofton shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Në anën tjetër, serbët në veri të Kosovës thonë se me çdo mjet do të kundërshtojnë marrëveshjet e Brukselit dhe se do të vazhdojnë të përdorin rrugët alternative. Kështu shfaqet rreziku që sërish të ketë probleme në veri të Kosovës dhe obstruksione në realizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Serbia do të insistojë”, thotë Vulin, “që në kalimet administrative, EULEX-i – si një garantues i neutralitetit të statusit – të ketë një funksion ekzekutiv dhe që atje të mos ketë doganierë por tatimpagues”.

“Kërcënimi më i madh për marrëveshjen e IBM-së ka të bëjë me shkurtimin e mandatit të EULEX-it. Për ne do të ishte pengesë e pakapërcyeshme kur EULEX-it nuk do t’i zgjatet mandati në Kosovë”, shton ai.

Në pyetjen e ditores “Danas” se si i komenton deklaratat e ish-ministrit për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, se është iluzion që EULEX-it të jetë i pranishëm në pikëkalime, Vulin deklaron: “Ai e di se çfarë ka nënshtruar qeveria e mëparshme, kështu që ne me siguri nuk do të krijojmë kufi”.

Milan Ivanovic, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb të në veri të Kosovës, thotë se “serbët nuk i duan institucionet shqiptare”.

“Kjo do të thotë se ne nuk dëshirojmë që edhe në pikëkalimet administrative të kemi doganierë dhe policë të Kosovës, sepse kjo do të thotë kufi brenda shtetet të Serbi, gjë që është antikushtetuese. Madje, tash mund të them se në veri të Kosovës do të ketë rezistencë ndaj zbatimit të marrëveshjeve që i ka arritur Borislav Stefanovici – përkatësisht Boris Tadici – me palën e Kosovës”, ka thënë Ivanovic.

Fundamenti

Në pyetjen se çfarë serbët mund të bëjnë në këtë aspekt, ai shton se “ka mjaftë hapësirë për të realizuar të drejtat tona legjitime”.

Marko Jaksic, përfaqësues i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se nuk sheh “asgjë të mirë për serbët nga këto pilot-projekte”.

“Shteti jonë na futi thikën në shpinë. Po të mos ngriheshim ne, ata nisën të bëjnë kufi mes Serbisë qendrore dhe Kosovës. Janë marrë vesh me EULEX-in dhe Prishtinën që është më mirë që xhandarmëria serbe të arrestojë bijtë tanë, që mllefi jonë të mos derdhet tek BE dhe KFOR-i”, thotë Jaksic.

Sipas tij, përfaqësuesit e Partisë Përparimtare Serbe, veçanërisht Vulini, arsyetohen me obligimet ndërkombëtare të Serbisë.

“Është e qartë se kjo parti mes Kosovës dhe BE-së ka zgjedhur BE-në dhe se de facto e ka pranuar Kosovën si shtet. E vërteta është e hidhur, por e tillë është”, shton Jaksic, sipas të cilit do të zvogëlohet mundësia e veprimit të serbëve, sepse rrugët alternative do të ruhen nga KFOR-i.

Bojan Jakovljevic, kryetar për Kosovën i Partisë Përparimtare thotë nëse “ajo që është shkruar në media për IBM-në është e vërtet, atëherë kjo marrëveshje është e pranueshme për serbët”. /Telegrafi/