Vërejtjet me shkrim, që ia dorëzoi Kurtit bashkë me dorëheqjen ministri Latifi

Rifat Latifi të enjten ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Ai i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Albin Kurti e bashkë me të edhe raportin 10 mujor të gjeturave dhe sfidave si dhe të arriturat e tij gjatë kësaj periudhe.

Latifi në dokumentin që ia ka dorëzuar Kurtit ka renditur të gjeturat për mbi 11 muaj, që përfshijnë parregullsitë e identifikuara sipas tij në sistemin shëndetësor, por edhe brenda ministrisë.

“Mungesën e strategjisë themelore për zhvillim afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë si dhe mungesën e projekteve kapitale dhe infrastrukturës spitalore si dhe humbjen e besimit të donatorëve. Shkatërrim të Sistemit të Edukimit Post-diplomatik”, thuhet në dokument, transmeton Telegrafi.

Më tej Latifi ka përmendur mangësi të mëdha në hartimin e akteve ligjore për sektorin për gati gjashtë vitet e fundit (Strategjia sektoriale, Strategjia e burimeve njerëzore, Plani i sëmundjeve ngjitëse dhe ligjet bazike të shëndetësisë). Mungesë totale e aftësive menaxheriale e lidershipit të SHSKUK, që e pamundëson t’a zhvillojë këtë institucion.

Këto janë 13 të gjeturat e Latifit në kohën sa e ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë:

Me ardhjen time në krye të Ministrisë së Shëndetësisë me 16 nëntor 2021 e deri më sot unë kam arritur të konstatoj:

  1. Mungesën e strategjisë themelore për zhvillim afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë si dhe mungesën e projekteve kapitale dhe infrastrukturës spitalore;
  2. Humbje e besimit të donatorëve;
  3. Shkatërrim të Sistemit të Edukimit Post-diplomatik:
  4. Mungesën e infrastrukturës spitalore dhe ekspertizės klinike lokale që si pasojë ka numrin e madh të pacientëve që trajtohen jashtë vendit;
  5. Mosbesim të thellë të publikut në sistemin publik shëndetësor të Kosovës, për shkak të mungesës së ekspertizës, profesionalizmit, keq menaxhimit dhe korrupsionit të madh prezent në çdo hallkë të këtij sistemi;
  6. Mungesën e sistemit informativ shëndetësor dhe
  7. Mungesën e sistemit të sigurimeve shëndetësore,
  8. Keq-menaxhim i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore;
  9. Mangësi të mëdha në hartimin e akteve ligjore për sektorin për gati gjashtë vitet e fundit (Strategjia sektoriale, Strategjia e burimeve njerëzore, Plani i sëmundjeve ngjitëse dhe ligjet bazike të shëndetësisë).
  10. Mungesë totale e aftësive menaxheriale e lidershipit të SHSKUK, që e pamundëson t’a zhvillojë këtë institucion.
  11. Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës, dhe menaxhim diktatorial i administratës që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim.
  12. Buxheti i vogël dhe mungesa totale e projekteve kapitale për vitin 2022 ishte shembull i neglizhencës zhvillimore të shëndetësisë.
  13. Mungesë totale të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.

Latifi gjatë së enjtes ia ka dorëzuar kryeminsitrit Kurti dorëheqjen. Ai, që nga koha e emërimit në këtë pozitë, ishte kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për udhëtime të shpeshta jashtë vendit si dhe neglizhim të punës në këtë ministri.

Kurti e kishte emëruar doktor Rifat Latifin ministër të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Rifat Latifi ka qenë i angazhuar me detyrë publike edhe më herët.

Ai në 2009 ishte emëruar këshilltar për Shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS